Qytetarët: Ende na vijnë faturat e larta të energjisë, s’i përballojmë dot!

    337
    Sigal

    Fatura e energjisë, shumë të larta, qytetarët nuk i paguajnë dot nga vështirësitë ekonomike

    Qytetarët shqiptarë ende po përballen çdo ditë me fatura të larta që duhet të paguajnë për energjinë elektrike. Arsyen e ardhjes së faturave të larta qytetarët mundohen që ta justifikojnë ende me mostabilizimin e situatës energjetike në Shqipëri edhe pas largimit të kompanisë energjetike CEZ. Por edhe pse flitet çdo ditë për stabilizim të situatës energjetike në vend, por çdo ditë qytetarët paraqiten pranë zyrave të energjisë për të paguar fatura të larta që u vijnë në adresë për pagimin e energjisë elektrike. Por ajo që e vështirëson më shumë situatën për qytetarët është se ankesat e tyre nuk i merr njeri në konsideratë dhe asnjë ankesë e tyre nuk po merr zgjidhje në zyrat përkatëse. Por një pjesë e mirë e faturave të larta sipas qytetarëve që  kanë folur për “Telegraf” i përkasin periudhës që ishte e pranishme kompania CEZ në Shqipëri. Por për qytetarëve të kryeqytetit nuk u ngelet rrugë tjetër, përveç asaj të pagesës së faturave të larta që u vijnë, edhe pse janë të bindur se ato nuk i kanë harxhuar paratë për aq fatura sa u kanë ardhur për të paguar. Qytetarët shqiptarë janë të bindur se pagesa e këtyre faturave është pjesë e mashtrimeve që u bëri CEZ, shqiptarëve.

    Qytetarët: Faturat janë të dyfishuara!

    Situata në sektorin energjetik sipas qytetarëve mbetet ende kaotike, për aq kohë sa atyre u vijnë fatura shumë të larta. Po ashtu situata mbetet kaotike edhe për shkak se nuk merr njeri përsipër të shqyrtojë ankesat që bëjnë qytetarët. Ata theksojnë janë të bindur që nuk i kanë konsumuar asnjëherë kilovatët që u janë vënë nëpër fatura. Por kjo periudhë kaotike që është krijuar në fushën e energjisë po lë shumë pasoja tek qytetarët, pasi këtyre të fundit po u vijnë fatura të larta dhe nuk ua merr njeri në konsideratë ankesat që ato duan të bëjnë për problemet që kanë me energjinë. Tek zyrat që bëhet pagesa e energjisë dëgjon ankesa të pafundme: fatura që vijnë bosh në disa raste, fatura shumë të larta, fatura që janë paguar njëherë por që dalin sërish të papaguara, fatura që nuk korrespondojnë me numrat e matësve të energjisë. Edhe pse qytetarët shprehen se tregohen të kursyer në përdorimin e energjisë edhe kjo duket jorezultative nëse shikon faturën e energjisë. Qytetari E.Ll, nga kryeqyteti, është shprehur për “Telegraf” se: “Ende nuk po gjejmë zgjidhje ne shqiptarët me energjinë,  pasi herë pas here kemi pasur probleme. Na vinin dhe vazhdojnë të na vijnë fatura shumë të larta të energjisë elektrike. Tani më erdhi fatura bosh fare, ndërkohë që për muajt e mëparshëm kam pasur fatura shumë të larta”.

    Ja faturat e dyfishuara

    Me dhjetëra qytetarë shkojnë për të paguar faturat e tyre. Por qytetarët shprehen të revoltuar për “Telegraf”, për arsyen që po paguajnë ende fatura të larta, për të cilat ato nuk kanë harxhuar. Shqiptarët asnjëherë nuk u dëmshpërblyen për pajisjet e djegura që u prishën nga rryma e lartë në disa momente, ato nuk e gjetën të drejtën e tyre edhe pas ankesave që bënë për padrejtësi me faturat. Ndërkohë që një problem tjetër prezent është edhe ardhja e faturave gati të dyfishuara për qytetarët. Nasip Ibrahimi, shprehet për “Telegraf” se: “Më ka ardhur fatura afërsisht njëqind e njëmbëdhjetë mijë lekë. Ndërkohë që më parë kam paguar deri në 20 mijë lekë, dhe nuk kam gatuar as nuk jemi ngrohur me korrent. Të njëjtin konsum energjie kemi bërë edhe tani, sepse jemi vetëm dy pensionistë dhe jemi munduar në maksimum që të kursejmë”. Ai shton më tej se: “Nuk kam me çfarë t’i paguaj, mora lekë borxh për t’i paguar, por këto janë pasojat e asaj që na la CEZ. Sepse këto janë faturat e muajit që e kishte CEZ në administrim energjinë”.

    Bullgaria vendos heqjen e licencës së CEZ. Grupi çek: Vendimi, i motivuar politikisht!

    Pas presionit të madh publik, qeveria e Bullgarisë ka vendosur t’i heqë licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike kompanisë çeke CEZ. Siç raporton prestigjiozja “Fox Bussines” lajmin e ka dhënë vetë kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov, i cili shtoi se ka vendosur gjithashtu, të gjobisë tre shpërndarës të energjisë. Përpara kësaj deklarate zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Bullgarisë tha se, do të propozojë heqjen e licencës së njësisë bullgare të grupit energjetik CEZ. Ka reaguar menjëherë CEZ, përmes zëdhënëses Barbara Pulpanova. “E konsiderojmë deklaratën e kryeministri bullgar dhe prokurorisë një shkelje të rëndë të normave ligjore në Bullgari si shtet anëtar i Bashkimit Europian”,-tha Pulpanova. Sipas saj, CEZ nuk ka bërë asnjë shkelje nga ana e tij dhe se nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë vendim të qeverisë së Bullgarisë, të cilin ajo e konsideroi të motivuar politikisht përpara zgjedhjeve parlamentare që mbahen këtë verë. Ndërkohë, CEZ ka deklaruar se, vetëm Enti Rregullator i Energjisë elektrike në Bullgari ka autoritetin t’i heqë licencën dhe ky ent nuk ka marrë asnjë vendim. Vendimi i qeverisë bullgare vjen vetëm dy ditë pasi dhjetëra mijë bullgarë protestuan në më shumë se 20 qytete të vendit kundër faturave të larta të energjisë elektrike dhe vetëm një ditë pasi policia anti-korrupsion në Çeki njoftoi se ka nisur hetimet për katër marrëveshje ndërkombëtare të CEZ. Kështu Bullgaria bëhet vendi i dytë që i heq grupit energjetik çek licencën për shpërndarjen e energjisë elektrike brenda një muaji, pasi Enti Rregullator i Energjisë elektrike në Shqipëri vendosi t’i heqë licencën CEZ-it për shkelje të kontratës.