Vangjush Saro:  “Teatri” i Partive

367
Sigal

Harta e vendit është tejmbushur me parti politike. Këto ditë, hartës po i shtohen edhe të tjera. Shpesh ato janë produkt i zënkave që nuk gjejnë argumentin dhe i mërive që nuk shuhen përveçse duke shpallur… një lëvizje të re politike. Nga koha në kohë, të tilla parti lindin, shuhen, shumohen, pluskojnë vazhdimisht në ujërat e qelbura të politikës shqiptare. Sot, çdo dhjetë shqiptarë kanë ose një parti ose një sindikatë ose një shoqatë. Ndjenja e egoizmit frenetik shërbehet si kënaqësi apo përfitim, që rëndom i mbetet në qafë taksapaguesit shqiptar. (“Për hiç gjë do t’i zgjoja njerëzit…” F. Dostojevski)

Çdo dhjetë shqiptarë, pra, e kanë një… Por mund të ishte edhe më keq. Një shqiptar, një parti… Dhe nuk është as humor, as ironi. Ka ndodhur vërtet. Ka ndodhur që një individ ka mbetur i vetëm në partinë e tij (!) Krijimi i partive për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe inateve vetjake, është një fenomen i hershëm i tranzicionit shqiptar, është pjesë e luftës dhe e lojës politike. Prirja e hershme e shqiptarëve për t’u ndarë copash sapo që iu preken sadopak interesat, mori një zhvillim të veçantë në këtë periudhë të ndërtimit të njëlloj demokracie hibride; të gjithë janë hedhur të kapin a të shfaqin a të zhvatin ndonjë gjë. (“Sa shumë yje, si mikrobe në ajër…” E. Jevtushenko)

PD ishte e para parti që ‘polli’ të tjera. I ndjeri Petrit Kalakula tentoi të shkëputej për të krijuar një forcë të djathtë më të besueshme. Madje, ndër të parët që krijuan tjetër parti, ishin Neritan Ceka e Arben Imami, që pastaj u rikthyen nga ku ishin nisur. Por nuk mbeti pas as z. Pollo; për të ikur dhe për t’u kthyer. Pas vitit ‘97 të njëjtën gjë bëri Dashamir Shehi. Pastaj Bamir Topi. Sot po e tentojnë këtë, pas Patozit, edhe Hajdari, Topalli… Tani, këto tentativa janë bërë qesharake.

Sa për ‘histori’, pjellore rezultuan edhe Partia e Ballit Kombëtar dhe ajo e Legalitetit, të cilat gjithashtu janë shumuar e degëzuar në atë farë feje, sa nuk mbahen mend emrat. Në krahun tjetër, PSD ishte gjithashtu një parti që ‘polli’ pareshtur, nga Bashkimi Socialdemokrat te partia e z. Milo dhe më tej ajo e z. Apostoli. Të mos flasim për një sërë ‘partiçka’ të tjera, që krijohen e shuhen sa hap e mbyll sytë ose asish që vetëm emrat dhe kryetarët kanë. E çuditërisht, jetojnë dhe, me raste, sidomos kur ka zgjedhje të përgjithshme politike apo vendore, bëjnë sikur lëvizin nga pak, kapin ndonjë ekran, i ngjiten ndonjë force tjetër, përpiqen të sigurojnë ndonjë përfitim në pushtetin qendror apo atë vendor. Skeç; në mos më pak se kaq.

Në shumicën e vendeve të përparuara – e kemi fjalën për Perëndimin – veprojnë disa pak parti, që numërohen me gishtat e njërës dorë. Sistemi shoqëror është i tillë, që nuk lejon përkëdhelje e qaravitje politike. Kultura qytetare është e tillë, që nuk krijon mjedis për ‘kërpudha politike’; njerëzit në masë shikojnë punën e tyre, shumica e vendeve të punës nuk varen nga politika. Dhe kjo është një arritje. Ne jemi të prapambetur në këtë pikë, ashtu si edhe në… pika të tjera. Dhe nuk merret vesh çfarë duam e çfarë bëjmë: kërkojmë ‘ndryshimin e sistemit’, nuk na zë gjumi për përmirësimin e ‘financave tona’ apo lypim cazë lavdi? (“Forma më e lartë e injorancës, është dëshira për lavdi.” G. Santajana)

Kam menduar se me kohë, sëmundja e krijimit të partive politike do të kurohej; disa parti do të konsolidoheshin dhe përtej çdo teatraliteti, do të kishte një stabilitet, do të ndërtohej një sistem politik deri diku i besueshëm, ku rolet dhe pjesëmarrja të ndaheshin në mënyrë pak a shumë të qetë e të paqtë. (Kam këtë vizion, këto bindje, do të ndjek këtë parti a lëvizje…) Por jo. ‘Teatri’ i Partive, mbase nga të vetmit ‘institucione’ përherë në punë e në bërje fitimesh, vazhdon shfaqjet, huton publikun, tërheq vëmendjen nga problematikat e rëndësishme të vendit. Dhe kjo është një strategji që e ktheu tranzicionin në makth.

Për sa kohë sistemi politik dhe shoqëria në tërësi nuk kanë pasur ndonjë mirësi apo ‘të ardhur’ nga këto zhvillime të sforcuara, mbetet të themi që nuk duhen inkurajuar; s’është ndonjë ‘prerje në besë’ e parimeve demokratike dhe lirisë, përkundrazi mpaken dalldia dhe kaosi.