Xhevat Mustafa: Shqipëri, t’u bëftë nëna, të keqen e ke brënda

628
Sigal

Pas “JO”-ve të vazhdueshme nga BE-ja , krizave politike të stërgjatura dhe përplasjeve në prag të vendimeve të mëdha të Brukselit shpërthen “ushtria e tifozve të rilindjes”. Përpara se të shani Macronin dhe gruan e tij, kërkojini llogari Elisës, Ballës, Mimit duke I vendosur me shpatulla pas murit për varfërinë, PPP dhe arratisjen e fëmijve tuaj në emigrim

Nga Xhevat Mustafa

Për titullin e shkrimit të sotëm, duke u bërë shprehës i një këshille zemre të shumicës së nënave shqiptare, kam bërë një ndryshim në pjesën e parë të një shprehjeje popullore të Jugut, “Laro, të hëngërt tenja, të keqen e ke brenda!”, sepse mesazhi i saj i përshtatet mirë e bukur edhe “gjëmës së re”, që na erdhi nga Brukseli e Parisi. Qysh nga data 17 tetor në Shqipëri e diasporë ka nisur një luftë e madhe, allashqiptarçe, mes tifozëve të zjarrtë të Edi Ramës e kundërshtarëve të flaktë të Emmanuel Macronit dhe justifikuesve të kundërshtimit të tij, të “JO”-së së radhës për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Ushtria e tifozëve edramistë”, me kokën e vet ose, me shumë gjasa, plot prej tyre me dirigjimin nga një “kapo”, “padrino” apo nga ERTV, po gërmon nëpër dosjet e historisë dhe të kohës së sotme për të gjetur sa më shumë fakte që dëshmojnë “antishqiptarizmin historik” të Francës ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe “filosllavizmin” e saj disa shekullor. Mbi Macronin dhe gruan e tij po bien pareshtur “gur e baltë”, “domate, fiq, hurma e vezë të prishura”. Shihet dhe ndihet se “ushtria” e antiRamave e justifikon dhe e mbron, po me shqiptari, pa i kundërshtuar gjëmat historike, që na kanë ardhur nga Franca dhe pa e dashur fort Macronin si njeri dhe si president. Plot prej tyre, pa e parë Macronin si demon dhe Ramën si martir, kanë shprehur dhe shprehin edhe mirënjohje ndaj tij dhe formuluesve të tjerë të “JO”-së, së 18 tetorit 2019. Në qoftë se do të lexohen dhe analizohen pa tifozllëk ndaj “ekipit të zemrës” dhe “kapitenit” të tij, “JO”-ja dhe deklaratat publike në justifikim të saj, del lehtësisht e qartë se ai kundërshtim më shumë i ka ndihmuar se sa dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo “JO” mbart edhe bollshëm dashamirësi, mbështetje, të mira, ndaj nesh si popull e si vend. Duke u thënë “shqip” në Bruksel disa të vërteta të mëdha, mospërmbushjen e një thesi me kërkesa dhe “detyra shtëpie” për 4 vjet radhazi, Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Erion Braçes, Gent Cakajt, Taulant Ballës, Mimi Kodhelit, Elisa Spiropalit me shokë e shoqe, na kanë “kujtuar” edhe ne qytetarëve shqiptarë, nënkuptohet atyre që i duan më shumë se sytë e tyre të ballit dhe fëmijët e barkut, se do të kishim bërë mirë t’i kishim vënë vetë shumë më përpara me shpatulla për muri,duke u kërkuar llogari, një për një, për të gjitha këto detyra të pakryera. Me të drejtë, ne si qytetarë e shqiptarë kërkojmë të na respektojnë, duan, ndihmojnë më shumë Trumpi, Merkeli, Macroni… dhe që këto ndjenja t’i shprehin, me kurbë ngjitëse e me vepra. Prej tyre kërkojmë e presim ndihmë shumë më të madhe politike, ushtarake, ekonomike, financiare, integruese, për t’iu larguar vendit të fundit në Evropë dhe për të dalë “nga fundi i humnerës”, ku qëndrojmë “me meritë” apo “për kokën tonë” gjatë 75 viteve, nga 29 Nëntori 1944. Por, “harrojmë” që këtë kërkesë t’ua bëjmë demokratisht apo ashpër, kur nuk na dëgjojnë nga të dy veshët pipëz, më së pari, liderëve tanë politikë dhe qeverisës. Sidomos gjatë këtyre 28 viteve të gjasme demokracisë nivelet e pasurimit të tyre marramendës, edhe brenda një mandati si kryeministër, president, deputet, ministër, drejtor të përgjithshëm, kryebashkiak, kryedoganier…japin arsye të bollshme për të menduar, se deri më sot kanë menduar dhe punuar kryesisht për veten dhe sojin dhe sorrollopin e tyre. Gjithashtu, pas këtyre “JO”-ve të vazhdueshme nga BE-ja dhe krizave politike dhe institucionale të shpeshta e të stërzgjatura në vend, nuk do të bënim gabim të kujtoheshim për të dyshuar se gjithë këto sherre e bojkote nga pozitat dhe opozitat, në ndërrim rrolesh e kolltukësh, ndodhin krejt “rastësisht” apo “çuditërisht” në prag të vendimeve të mëdha nga Brukseli. Mos vallë mes tyre e nëpër to mund të gjejmë edhe shprehje të reja të armiqësive të vjetra nga fqinjët dhe aleatë të tyre historikë? “JO”-ja e 18 tetorit 2019 ishte e paralajmëruar dhe e parakuptuar, të paktën qysh në fillim të vitit 2019. Shumica e shkaqeve dhe arsyeve të saj mund të kërkohen dhe gjenden në adresën e kryeministrisë dhe të ministrive në Tiranë. Një pjesë në adresën e PD-së dhe të partive të tjera të koalicionit opozitar. Ndërsa e fundit, në Bruksel, Paris, Amsterdam, Kopenhagen. Në qoftë se shumica, qeveria, sidomos kryeministri, do të kishin dëshirë të sinqertë për të kryer gjithçka u takonte atyre, për të ndryshuar rrjedhën e punëve, “JO”-në në “PO”, ishte e domosdoshme të punonin krejt ndryshe, shumë më tepër e shumë më mirë. Kështu nuk do të shkonin më 17 tetor në Bruksel, siç thotë një shprehje e popullit , “si jevgu në dasmë”, me lugë e pirun për të ngrënë tortën e pirë shampanjën. Apo si studentët, krejt të papërgatitur në një nga provimet më të vështirë. Sinjalet paralajmëruese i kishin marrë me kohë, sidomos me 9 kushtet e parlamentit dhe të qeverisë së Gjermanisë, të krahasueshme në mënyrë figurative me 9 malet e Dibrës… Por, për mungesë dëshire të madhe e të sinqertë, për eufori të pabazë, për profanllëk apo naivitet politik, apo “për t’ua lënë kopilin në derë” Macronit dhe të tjerëve të një mendjeje me atë, pa përjashtuar edhe derën e opozitës në Tiranë, Edi Rama, Gent Cakaj, Taulant Balla etj., e pritën 18 tetorin 2019, me sytë nga qielli dhe nga Berlini e Brukseli. Në të vërtetë, sipas bindjes sime, kancelarja Angela Merkel e tregoi edhe këtë herë se është një mike e madhe dhe e sinqertë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, pse jo, edhe më shumë se plot nga politikanët dhe qeveritarët tanë, që deri më sot kanë treguar se e duan vetëm me fjalë dhe për pasurim vetjak dhe familjar. Ajo u përpoq skajshëm, së pari, të “zgjonte” nga gjumi apo nga “dehja” politikanët dhe qeveritarët kryesorë të Tiranës dhe së dyti, të ndryshonte mendimin dhe qëndrimin francez, holandez, danez….Mund të thuhet se dështoi në të dy “frontet”. Me Macronin “i ngeci sharra në gozhdë”, për shkak të rritjes së ambicieve të tij dhe të Francës për ekuilibër me Gjermaninë në rolin dhe drejtimin e BE-së. Në mënyrë figurative, mund të thuhet ,se më 17-18 tetor 2019, në Bruksel, këto fakte, argumente, “detyra shtëpie të pabëra” nga qeveria jonë, në formën e 9 kushteve të Gjermanisë dhe të atyre të Francës, iu mblodhën si litar në fyt Edi Ramës. Por, ia kishin lënë ca lirë, sa të mund të fliste si “e ëma e Zeqos në majë të thanës” se “nuk na e dhanë edhe këtë vit “PO”-në, për shkak të problemeve të brendshme të BE-së”, duke fshehur kështu fare trashë apo me gjethe fiqsh “bunkerin e madh” në Tiranë mbushur me probleme të brendshme shqiptare. Edhe unë si qytetar, jam i një mendjeje me shumë shqiptarë se Franca nuk na ka dashur për të paktën 200 vjet dhe se ka ” dashuri të vjetër” me botën sllavo-ruse, prandaj ndihem i mërzitur, humbës dhe i dëmtuar nga ” JO”- ja e Francës, Holandës, Danimarkës…

Por, ç’bëri klasa jonë politike dhe qeverisëse, për ta parandaluar JO- në e tyre?

Sot ne jemi:

  • pa pluralizëm,
  • pa president ose me gjysmë president, pa parlament pluralist,
  • pa opozitë në parlament,
  • pa Gjykatë Kushtetuese,
  • pa Gjykatë të Lartë,
  • pa Kryeprokurore me mandat të plotë;
  • pa KQZ pluraliste…

Gjithashtu jemi:

  • Me standardet më të ulëta në Evropë për paga, pensione, mirëqenie…
  • Me nivelet, ndër më të larta

a)për papunësi,

b)varfëri,

c)emigracion,

d)korrupsion,

e)PPP,

f)trafiqe drogash,

g)kriminalitet…

A nuk mund të thuhet se ua falëm vetë këto fakte dhe argumente Macronit dhe mbështetësve të tjerë të JO- së? ”. Nuk na ndalohet të mendojmë edhe se, ndryshe nga ne qytetarët, poshtë, ata lart, të politikës dhe qeverisjes, nuk e duan me kaq zemër e zjarr “PO”- në dhe se nuk po përjetojnë zhgënjim e keqardhje sa dhe si ne… Është për t’u skandalizuar se edhe më 21 janar, Mimi Kodheli, kryetare e komisionit parlamentar të politikës së jashtme, në një intervistë në “Top Channel”, në orën 15.55-16.10 si dhe kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PS-së, folën si me një mendje dhe një gojë. Faji, fajtorët dhe përgjegjësitë ishin BE-ja, që bëri “një gabim historik”; Macroni që tregoi mungesë mëshire ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve si dhe “kokë shqiptari”; Merkeli që nuk diti ta bindte; opozita në Tiranë që bojkotoi parlamentin dhe maskaradën zgjedhore të 30 qershorit… Për fajet dhe përgjegjësitë e veta, për dorëheqje të fajtorit dhe përgjegjësit kryesor, sipas shembullit fare të freskët të Zoran Zaevit në Maqedoninë e Veriut, fare të afërt gjeografikisht dhe më shumë viktimë e jona, asnjë fjalë. Heshtje si në varreza… Edhe më rëndë: Në mënyrë absurde të papërgjegjshme, Mimi Kodheli arriti të nxirrte nga goja edhe shprehjen se “të gjithë ata që fërkojnë barkun nga kënaqësia (që mbajnë anën e Macronit për “JO”-në), janë antishqiptarë…” Sipas mendjes së saj, na del se Edi Rama është personifikim i Shqipërisë dhe veprimet e firmat e tij (edhe ajo e Novi Sadit) , të shqiptarizmit????!!! Shumëkush ka të drejtë t’i kthehet po me pyetje Mimit të Edit: Po “Shefi i madh”, Edi Rama, Gent Cakaj, Taulant Balla, ti vetë dhe shokët e shoqet e tjerë, që nuk i kryet për 4 vjet detyrat e shtëpisë dhe e ndihmuat Macronin për “JO”-në, çfarë na dilni të jeni?