- -Idealistët e djeshëm dhe interesaxhinjtë e sotëm
- -Shoku apo miku i vërtetë njihet në ditë të vështira dhe kur është në detyrë të lartë.
- – Të bukur janë ata zyrtarë, që nuk shikojnë xhepin e vet, por mendojnë dhe punojnë për mirëqenien e popullit.
- -Idealistë dhe të bukur mbeten heronjtë e dëshmorët.
- – I bukur është ai zyrtar, që të dëgjon një ankesë dhe nuk të sorollat, as të shikon në se i jep ndonjë “zarf”.
E bukura dhe e mira shpesh ngatërrohen. Quhen të njëjta, s’bëhet si duhet dallimi midis tyre. Janë dy nocione, që kanë tërhequr përherë vëmendjen e njerëzve në çdo sistem shoqëror. Popuj e dijetarë janë shprehur për thelbin, të përbashkëtën e të veçantën e tyre.
E mira përmban dhe të bukurën.
Në gjuhët e botës nuk mungojnë fjalë të urta dhe aforizma për të bukurën dhe të mirën. Janë bërë përkufizime e krahasime për to. Njëri është tërhequr më shumë nga e bukura, tjetri nga e mira. Ky ka shpjeguar ku bashkohen këto dy fjalë, ai është shprehur ku ndahen. Dikush ka mbivlerësuar të bukurën e tjetri të mirën. Shpesh nuk është parë si duhet raporti midis tyre. Kjo vihet re në përcaktime absolute si “Bukuria ka fuqi që të tërheqë edhe një fije floku”. “Vetëm bukuria dridhëruese është bukuri e vërtetë” etj. Mendimi më i plotë për të bukurën është kur atë e percepton të krahasuar me të mirën. “Nuk është gjithmonë e mirë ajo që është e bukur”. (Leonardo da Vinçi). “E bukura s’është gjithmonë e mirë, kurse e mira është gjithmonë e bukur”. (Seneka). Pra, tek e mira është dhe e bukura, ndërsa tek e bukura nuk është gjithnjë e mira. E mira ka brenda dhe të bukurën. Të dyja pleksen me njëra-tjetrën. Njeriu është i bukur kur është dhe i mirë. Mendon dhe vepron drejt ai që i shikon të dyja njëherazi: të bukurën dhe të mirën. Fytyra pasqyron shpirtin e njeriut, por kjo është relative, nuk ndodh gjithnjë. Dikush mund ta ketë të bukur fytyrën, por nuk ka të tillë botën e brendshme. Dhe e kundërta, mund të mos jetë i bukur nga fytyra, por ka të bukur shpirtin dhe zemrën. Mund të jetë fytyrëbukur, por nuk është zemërbardhë. E ka të bukur paraqitjen, por i mungon bujaria. Një nuse është bukuroshe, por s’është e urtë. Një djalë në fytyrë’s’është i bukur, po të jetë përtac. Përtaci i rëndon edhe dheut. Puna shoshit mendimet. Ajo nxjerr në pah se ç’mendime ke. Rezultati që arrin është matësi më i mirë i punës. Dhe kur ky rezultat është i lartë, je vërtet i bukur. Dijetarë, filozofë, estetë, shkrimtarë e poetë dhe njerëz të tjerë të mëdhenj në botë na japin shumë mësime që të mirën dhe të bukurën, t’i shikojmë të gërshetuara. T’i vlerësojmë të dyja. “E bukura tek njeriu as që mund të mendohet pa zhvillimin harmonik të organizmit të shëndetit” (Çernishevski). “Ajo që është e këndshme për shpirtin, është e bukur edhe për syrin”. “Bukuria dhe pastërtia e jashtme duhet të jenë një shprehje e bukurisë dhe e pastërtisë së brendshme”. (Belinski). Bukuria e fytyrës qëndron në bukurinë e karakterit. “Bukuria dhe mençuria e vërtetë janë shumë të thjeshta dhe të kuptueshme për të gjithë”. (Gorki). “Do të falja me kënaqësi gjysmën e zgjuarsisë sime, për të pasur gjysmën e bukurisë suaj”.
“Është i bukur kush ka shpirtin të bukur”.
E bukura tek njeriu është dyplanëshe: bukuri e jashtme dhe bukuri e brendshme. Bukuria e jashtme është bukuria fizike. Me këtë bukuri ushqehet e kënaqet syri i njeriut. “Bukuria e njeriut qëndron në fytyrë, kurse bukuria e fytyrës qëndron tek sytë”. (turke). Kur njeriu sheh një tjetër, menjëherë sytë i shkojnë tek fytyra, në radhë të parë tek sytë. Nuk thuhet kot që “sytë janë stolia e njeriut”. “Sytë janë gjuha e dashurisë”, se “dashuria fillon nga sytë dhe zbret në zemër”. Pasi shihen sytë, njerëzit vazhdojnë duke e parë njëri-tjetrin tek balli, vetullat, hunda, goja dhe ndalen tek buzët e trëndafilta, të cilave populli u ka kënduar me vargje: “Buzët si kuti, syri si ulli, balli sheshmejdan, vetullat gajtan”. Tek e bukuria e fytyrës njeriu kupton gëzim ose mërzitje, buzëqeshje ose “shqetësim”. S’ka gjë më të bukur se një fytyrë që rrezaton gëzim. Bukurinë e jashtme njeriu mund ta soditësh edhe në natyrë, në një livadh apo kopsht me lule, në një muze, në një ekspozitë pikture e të tjera, por kryesorja është të zbulohet bukuria e shpirtit të njeriut, bota e brendshme të tij. Në qoftë se të pëlqen një kopsht me lule, më parë është për t’u pëlqyer kopshtari, mendja dhe dora e të cilit e ka bërë të bukur e prodhues atë kopsht, shpirti i të cilit është i bukur. Këtej del se “Është i bukur ai që ka shpirtin të bukur”. Në një pamje të jashtme e bukura mund të mbulojë një shpirt të shëmtuar. Një shpirt i bukur zbukuron edhe pamjen e jashtme. Ndërsa bukuria e jashtme shpreh formën, bukuria e brendshme shpreh përmbajtjen, është bota e brendshme e njeriut, mendja, zemra, karakteri i tij. Por fytyra e bukur jo gjithmonë është pasqyrë e shpirtit të mirë. S’ka bukuri atje ku nuk ndodhet shpirti. Bukuria pa dituri është si druri i thatë pa stoli. Bukuria e brendshme e njeriut shfaqet tek fjala dhe mendimi, në unitetin dhe dallimin e tyre. Mendimi është superior ndaj fjalës. Mendimi është i pari, fjala është e dyta. I bukur është ai që më parë mendon, pastaj flet. Është e bukur ajo fjalë që nuk del para mendjes. Kur fjala ka në thelb mendimin, është e bukur. “Të flasësh pa menduar, është si të zbrazësh pushkën pa e vënë në shenjë”. (S. Frashëri). Ndarja e fjalës nga mendimi ia heq bukurinë e brendshme njeriut. Bukuri ka fjala e ëmbël dhe jo fjala e egër. Fjala e ëmbël zbut edhe njeriun e egër, kurse fjala e hidhur pezmaton dhe helmon zemrën. Fjala e ëmbël është dhurata më e mirë që mund t’u bëjnë njerëzit njëri-tjetrit. Në Veri thonë: “Kush asht gojambël, han përshesh me tamël”. Fjala është e bukur kur përshkohet nga mendimi i bukur. Flet bukur kur fjala përputhet me mendimin. Kur mendon ndryshe dhe flet ndryshe, ia ke hequr bukurinë fjalës, fytyrës dhe shpirtit. Nuk je i bukur kur mburresh, kur “i bie gjoksit”, kur përdor fjalë “të mëdha”, për të krijuar përshtypjen se “di shumë”, “je i ngritur”! Kur premton matu mirë. Po premtove dhe fjalën nuk e mban, të iku bukuria. Nuk je për të tjerët. Kush e mban fjalën e dhënë do ta duan edhe ata që s’e kanë dashur më parë. Njeriu që flet bukur mbjell kënaqësi e gëzim në zemrat e të tjerëve.
Bukuria e vëtetë, duket në zbatim
Bukuria e brendshme e njeriut duket jo vetëm në fjalë e në mendime, por sidomos në zbatim të tyre, në punë konkrete. Zgjuarsinë e tij njeriu e tregon jo aq në fjalët që shpreh, sado të bukura që të jenë, as në mendimet, që shfaq, në zotimet që merr, por në radhë të parë në veprimtarinë praktike, që kryen, në cilësinë e saj. Sa më mirë të punojë njeriu, aq më i bukur është, aq më tepër përshtypje të mira lë tek ata që dëgjojnë. Më të bukur janë ata, të cilët punojnë e luftojnë deri në dhënien e jetës së tyre, siç janë heronjtë e dëshmorët. I bukur është ai zyrtar, që të dëgjon një ankesë dhe nuk të sorollat, por ta zgjidh shpejt me drejtësi, as të shikon në se i jep ndonjë “zarf”, por të shërben me buzëqeshje. Të bukur janë ata zyrtarë, që nuk shikojnë xhepin e vet, por mendojnë dhe punojnë për mirëqenien e popullit. Njerëzit janë krijues, mendojnë dhe punojnë gjithë jetën e vet. Ka një dialektikë në vitet dhe punën e tyre. Kërkesat ndryshojnë sipas moshave. Janë minimale tek fëmijët, vijnë duke u rritur më vonë. Në moshën e rinisë frontin kryesor e përbën mësimi. Kjo është mosha më e përshtatshme për të pasuruar mendjen, dijet, për të zgjeruar horizontin kulturor. Mëso sa je i ri, që kur të plakesh të kesh dobi.
























