Mini-shengeni gjeopolitik përbën rrezik kombëtar

468
Sigal

Nga Prof. Dr Qemal Lame 

Politika serbe realizoi “mini-shengenin” gjeoekonomik me pasoja të rënda për ekonominë shqiptare.  Propoganda për ta zgjeruar atë me dimensionin gjeopolitik e ushtarak, ka për qëllim të krijojë një model të BE-së në Ballkan dhe të sabotojë kontretisht politikën evropiane të integrimit të Ballkanit perëndimor.

Nisma e re serbe për “mini-shengenin” gjeopolitik rrezikon sovranitetin shtetëror dhe i hap rrugë dominimit ushtarak serb në rajonin tonë. Kërkohet ndërgjegjësim dhe reagim i fuqishëm kundër kësaj ideje që publikohet papritur në median, por që na lejon të kujtojmë rrezikun e vërtetë për sovranitetin dhe në tërësi për interesat kombëtare të shqiptarëve në rajon.

Së pari, politika serbe shfrytëzon situatën e krijuar nga mafia ndërkombëtare për emigrantët sirianë dhe kërkon të krijojë një aleancë gjeopolitike të udhëhequra nga Serbia në Ballkanin Perëndimor. Në datën 9 mars, presidentja e “serpska republikës” në Bosnjë-Hercegovinë, Zhelka Cvijanoviç, deklaroi në Banja Luka në konferencë shtypi, se ajo mbështet idenë e formimit të një force të përzier policore dhe ushtarake të përbashkët, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të dislokohet në kufijtë e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, për të ndalur valën e madhe të emigrantëve, që pritet të arrijnë.

Tërheq vëmëndjen intensifikimi i kësaj propogande. Propozimi gjeopolitik i kësaj “presidenteje” kritikohet me të drejtë dhe  pasi është përtej të drejtave e kompetencave të saj shtetërore, si dhe në kundërshtim me veprimtarinë ndërkombëtare të këtij minishteti artificial të imponuar nga gjeopolitike që ndërhyn në funksionet politike e diplomatike të shtetit të Bosnjë-Herzegovinës.

Së pari, Beogradi nuk deklarohet vetë për politikën e tij dhe përdor këtë zëdhënëse për të njohur reagimet e shteteve të tjera dhe përgatitur terrenin për një ofensivë të re gjeopolitike në rajon. Në qarqet diplomatike diskutohet hapur se ky është një projekt i Serbisë. Ajo po përshkallëzon programin e saj të konkretizuar vjeshtën e vitit të kaluar, për krijimin e një blloku politiko-ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të emërtuar “Mini-Shengen”. Pa një marrëveshje të gjerë politike dhe pa u bashkëpunuar me Kosovën, Qeveria e Shqipërisë u bë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Megjithse ky grupim dhe kjo marrëveshje nuk njihet nga BE, tani kërkohet të imponohen planet për krijimin e një force të përbashkët ushtarake dhe policore, të vendeve të këtij “blloku” të ri. Si shteti më i madh dhe forca më e fuqishme ushtarake e bllokut artificial të Ballkanit Perëndimor, Serbia do të jetë edhe komanduese dhe drejtuese e kësaj force të përbashkët policore dhe ushtarake.

Së dyti, kërkohet të bëhet fakt një bllok i veçantë politiko-ekonomik sipas modelit të mekanizmit shtetëror të bashkësisë evropiane. Më thjeshtë, minishengen të jetë me përmasat e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kërkohet krijimi i forcave të përbashkëta ushtarake e policore, të vendosen në kufijët e shteteve dhe të kenë për detyrë të mbrojnë bashkërisht kufijtë e jashtëm. Kufijë e Shqipërisë do të mbrohen nga këto forca ku përfshihen edhe ato serbe nga vërshimi i emigrantë të paligjshëm sirianë që vijnë nga Greqia. Për këtë qëllim, pretendohet që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin përsipër përgjegjësistë për mbrojtjen e kufijve shtetërorë, me të njejtin argument të propoganduar edhe për aleancën ekonomike të minishengenit. Zhelka Cvijanoviç deklaroi e provokoi se “përderisa BE ka të drejtën të trajtojë kufijtë e saj të jashtëm në këtë mënyrë, përse të mos e bëjmë ne?”, që do të thotë se shtetet e Ballkanit Perëndimor do të konsiderohen bllok i veçantë politiko-ekonomik, njësoj si BE.

Propozimi serb synon që dimensioni i deritanishëm ekonomik të marri formë edhe me atë ushtarak. Presidentja serbe e “serpka republikës” deklaroi se “koha ka ardhur për përgjegjësi kolektive të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka përse të na mbrojnë të tjerët”. Po të pranohet ky projekt ushtarak me po të njejtin militantizëm si ai ekonomik, forcat ushtarake serbe do të marrin edhe detyrën e ruajtjes së kufirit të Shqipërisë!? Propoganda e maskuar me rrezikun e emigrantëve sirianë, do të shkaktonte si pasojë që Shqipëria të humbiste sovranitetin e saj shtetëror të ruajtjes e mbrojtjes së kufirit me Greqinë e Maqedoninë dhe vënien nën vartësi të Serbisë, të ushtrisë e policisë serbe.

Projekti i Serbisë synon hapur të ligjërojë praninë gjeopolitike në Shqipëri dhe shtetet e tjera të rajonit. Po riaktivizohet plani i dështuar të Titos për Federatën Ballkanike, për vartësinë politike, ekonomike e ushtarake të Shqipërisë nga Jugosllavia.

Së treti, Beogradi po avancon programin e tij gjeopolitik për të dominuar në rajon dhe krijimin e një aleance të re gjeopolitke dhe ushtarake përballë gjeopolitikës evropiane dhe Natos. Kjo politikë është në radhë të parë në shërbim të Rusisë për të rritur më tej ndikimin në Ballkan, të ketë më shumë hapsirë veprimi dhe krijon precedente të rrezikshme kundër BE-së dhe Natos.

Bashkimi Evropian dhe Nato kanë parashikuar me kohë mundsinë e përkeqësimit të situatës me emigrantët. Kujtojmë se kufijtë e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, janë të mbrojtura nga rreziku i emigrimit ilegal nga jugu. Të dy këto shtete kanë forcuar masat për mbrojtjen e kufirit. Kjo mbrojtje me focat ushtarake dhe policore të secilit shtet është edhe më shumë e garantuar me  masat ndërkombëtare dhe të  bashkëpunimit me “Frontex”, Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijve dhe Bregdetit.

Edhe vetë Serbia është përfshirë në masat ndërkombëtare të mbrojtjes nga emigrimi nga jugu. Pesë shtete të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, nënshkruan vitin e kaluar një “marrëveshje të statusit” me “Frontex”-in, për ruajtjen e përbashkët të kufijve nga forcat e BE dhe forcat vendase.

Shqipëria nuk ka nevojë për një aleancë të re gjeopolitike e ushtarake për mbrojtjen nga emigrimi ilegal. Ju rikujtojmë politikanëve serbë dhe mbështetësve të tyre që nuk janë shprehuar akoma për këtë marrësi të re, se përballimin e situatës së rëndë të emigrimit ilegal e ka marrë përsipër BE dhe agjensitë e saj të specializuara në bashkëpunim me Naton. Në majin e kaluar, “Frontex” nisi misionin e tij në Shqipëri, me një mandat kohor të pakufizuar.

Për këto arësye, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë asnjë nevojë për një aleancë të re për mbrojtjen e kufirit nga emigrimi masiv ilegal.

Është e domosdoshme të theksojmë se 1. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë partnere të aleancës euroatllantike, kanë detyrime të përbashkëta gjeostrategjike me partnerët si dhe përgjegjësi kombëtare të sovranitetit dhe integritetit teritorial dhe mbrojtjes së kufijve. Serbia nuk është partnere e Natos dhe ka aleancë ushtarake me Rusinë. 2. Rreziku i emigrimit ilegal dhe masat për ta përballuar atë, janë të parashikuara në strategjinë e Bashkimit Evropian dhe të Natos. 3. Nuk ka asnjë rrethanë të re dhe as domosdoshmëri për një nismë rajonale në favor të interesave të shteteve të rajonit, kur ato janë të mbrojtura nga aleanca euroatllantike.

Bashkimi Evropian është e domosdoshme të shpejtojë hapjen e bisedimeve për antarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut para Samitit të Zagrebit. Kështu do të paralizohen dhe mënjanohet edhe rreziqet e politikës ruse e serbe për aleanca gjeopolitike me pasoja për ndryshimein e ekulibrave politike, ushtarake dhe ekonomike.

Problem për politikën evropiane është goditja e mafies ndërkombëtare që nxit emigrimin ilegal dhe krijon fitime kolosale duke ju kundërvënë politikës zyrtare të emigacionit dhe marrëveshjeve me shtetet e tjera. Qeveria është e domosdoshme të ruajë interesat kombëtare dhe të mos lejojmë që mafia ndërkombëtare të imponojë në Shqipëri një tragjedi të re të emigrimit ilegal me sirianë dhe të ndryshimit të demografisë pas largimeve masive të shqiptarëve drejt vendeve evropiane, sidomos në Gjermani. Natyrshëm të pranojmë me dinjitet planin e marrjes së emigrantëve sipas mundësive dhe mos biem viktimë e premtimeve për integrimin në shkëmbim të marrjes masive të emigrantëve.

Ndryshimi i politikës së Turqisë dhe anullimi i marrëveshjes që ajo kishte me BE-në përbën shqetësimin e madh të krijimit të situatës së rëndë me emigrantët në kufijët e BE-së. Emigranëtë sirianë nuk duhet të përdoren politikisht nga Turqia për të imponuar kërkesat e saj ndaj BE-së. BE ka nevojë për një marrëveshje të re me Turqinë.

 

10 mars 2020  16:00