Lulëzojnë koncesionet, ja kompanitë me fitime më të mëdha

417
Sigal

 

Si u zhvillua në dekada një model i paqëndrueshëm zhvillimi, renditja e kompanive “shushunja”më të mëdha “sipas fitimeve” dhe e atyre me norma më të larta

 

Mungesa e “dhuruar” e konkurrencës u mundëson operatorëve të fiksojnë çmimet dhe të kenë norma të larta fitimi, që arrijnë edhe mbi 50%.

 Koncesionet, të dhëna ndër vite, po rezultojnë biznesi më fitimprurës në ekonomi. Mungesa e “dhuruar” e konkurrencës u mundëson operatorëve të fiksojnë çmimet dhe të kenë norma të larta fitimi, që arrijnë edhe mbi 50%.

Shumë prej tyre kanë qenë të mbrojtur edhe gjatë vitit pandemik, pasi në marrëveshjet e Partneritetit Publik-Privat (PPP) që janë bërë të zakonshme së fundmi, i kanë të garantuara pagesat nga buxheti.

Nga 13 koncesionarët, që janë në renditjen e më të mëdhenjve sipas fitimeve, vetëm 4 prej tyre kanë parë rënie të normës së kthimit (fitimi para taksave/të ardhurat). Më i vështirë viti ishte për “Aleat”, që ka me koncesion prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit dhe renditet e dyta në vend për nga fitimet më të larta në vlerë, pa një rritje të normës së kthimit me rreth 3 pikë përqindje, në gati 41%. Fitimet në vlerë ishin 2.5 miliardë lekë (rritje 41%).

“Tirana International Airport”, që u godit direkt nga kufizimi i udhëtimeve, me një normë që zbriti në 16.3%, nga mbi 40% në vitet e mëparshme, kur operatori ishte ndër më fitimprurësit në vend. Fitimet ranë me 83% në 528 milionë lekë.

Sipërmarrje të hapura që nga fillimi i viteve 2000, raportojnë norma të larta fitimi. P.sh., “Regjistri i Barrëve Siguruese”, një kontratë koncesionare e vitit 2009 për veprimtarinë e mbajtjes, ruajtjes, kryerjes së të gjitha veprimeve në lidhje me Regjistrin e Barrëve Siguruese, kishte një normë fitimi prej 57%, në 2020-n, në rënie nga 70% vitin e mëparshëm.

“Alb-Sale-Vlora”, një koncesion i llojit të Partneritetit Publik-Privat, i miratuar në vitin 2009, për shfrytëzimin e ish-Ndërmarrjes së Kripës së Vlorës, kishte një normë kthimi prej 44% (nga gati 50% vitin e mëparshëm).

“GFI Albania”, koncesionari i markimit të karburanteve, i miratuar në vitin 2013, me synim ndërtimin dhe testimin e Sistemit Operativ për ofrimin e shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në RSH, kishte një normë prej 34.4%, në rritje me gati 3 pikë përqindje. Në vlerë fitimet u rritën me 34%, duke arritur në 137 milionë lekë.

“SGS Automotive Albania”, që prej vitit 2009 zbatoi kontratën e koncesionit “Për shërbimin e kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor”, kishte një kthim prej 31.7%. Fitimet ishin 315 milionë lekë (rritje 32%). Shërbimi i kolaudimit ishte ekskluzivitet i kompanisë zvicerane deri në dhjetor të vitit 2020 dhe nga ky vit, shërbimi është vënë nën kontroll direkt shtetëror të organizuar nga DSHPTR.

“La Petrolifera Italo Albanese” dhe “Shoqëria koncesionare Porti MBM”, që kanë me koncesion portet e hidrokarbureve përkatësisht në Vlorë e Porto Romano, kishin norma që i afrohen 30%.

“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, raportoi një rritje të lehtë të normës së fitimit, duke arritur në 19%. Fitimet në vlerë arritën në 302 milionë lekë, me një zgjerim rreth 10%.

Koncesionarët e rinj, preken PPP-të e shëndetësisë, fitime të larta për inceneratorët

Në vitin e pandemisë, kompanitë që kanë marrëveshje PPP me qeverinë kishin një vit përgjithësisht pozitiv, me rritje të të ardhurave midis 3 dhe 33%, me përjashtim të koncesioneve në fushën e shëndetësisë. Këto të fundit shënuan dhe rënie të fitimeve, për shkak të pezullimit të përkohshëm të kontratave, apo uljes së fluksit të shërbimeve, të ndikuara nga pezullimi i operacioneve sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga Revista ekonomike “Monitor”.

“3P Life logistic”, që zbaton Kontratën e Koncesionit/Partneritetit Publik-Privat për Paketën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 40-65 vjeç, pothuajse nuk kishte aktivitet në 2020-n;

“SaniService” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, për një afat 10-vjeçar. Të ardhurat e kompanisë ranë me 25%, ndërsa u raportua një humbje prej 195 milionë lekësh. Rezultati u ndikua nga rënia e numrit të operacioneve, si rrjedhojë e shtyrjeve të tyre gjatë pandemisë.

Kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, në 2020-n ka rezultuar me humbje prej 687 mijë lekësh, që sipas raportit të aktivitetit ka ardhur nga rritja e shpenzimeve materiale për mbrojtjen kundër COVID-19 dhe shtimin e shpenzimeve për pagat për personelin mjekësor.

“Albanian Highway Concession” raportoi rënie të të ardhurave me 15% në 2020-n (në 2.2 miliardë lekë), e ndikuar nga tkurrja e fluksit të pasagjerëve për shkak të pandemisë. Fitimet më se u dyfishuan, në 50 milionë lekë, por gjithsesi mbeten minimale, me një normë prej 2.3%.

Kompania ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot – Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj filloi vetëm në shtator të vitit 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila).

Ecurinë më të mirë nga koncesionet e reja në vitin 2020, si për fitimet, edhe për të ardhurat, e shënoi “Integrated Technology Services”, që po zbaton projektet e inceneratorëve të Tiranës. Kompania raportoi të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, sipas të dhënave në Tatime, me rritje prej 33% me bazë vjetore. Edhe fitimet e kompanisë u trefishuan, në 723 milionë lekë, me një normë prej 31%.

Operatori tjetër “Integrated Technology Services”, që ka me koncesion inceneratorin e Fierit, raportoi të ardhura 1.1 miliardë lekë, me rritje prej rreth 9%. Fitimet e kompanisë u më se dyfishuan në 276 milionë lekë, me një normë (fitim bruto/të ardhura) prej 25%.

Për të tre inceneratorët, ai i Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, buxheti pritet të paguajë edhe rreth 40 miliardë lekë deri në vitin 2046. Projekti më afatgjatë është inceneratori i Tiranës, i shtrirë deri në vitin 2046 dhe do të marrë pagesa nga buxheti në total prej gati 40 miliardë lekësh (314 milionë euro) për periudhën 2019-2046.

KONCESIONET E ENERGJISË, NORMA E FITIMIT MBETET E LARTË

2020-a konsiderohet si një vit jo i mirë hidrologjik edhe për faktin se, pavarësisht rritjes së kapaciteteve prodhuese në vitin 2020, prodhimi total i energjisë elektrike për këtë vit ka rezultuar në sasinë 5,313 GWh, ose rreth 569 GWh më pak se mesatarja në periudhën 2009 – 2020, sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE).

Sipas INSTAT, në 2020-n, prodhimi u realizua nga hidrocentralet publike në masën 58,2%, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 41,2% dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,6% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Sipas ERE-s, për vitin 2020, numri total i centraleve prodhuese private, të cilat kanë prodhuar energji elektrike është 216, ku 8 prej tyre janë prodhues privatë të pavarur, të cilët zotërohen nga 3 subjekte të licencuara, kurse pjesa tjetër prej 208 centralesh janë prodhues me përparësi të energjisë elektrike, të cilët zotërohen nga 155 subjekte në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike.

Në total, kapaciteti i instaluar i centraleve prodhuese private është 1,058 MW, ku kapaciteti i instaluar i centraleve të prodhuesve të pavarur është 436 MW, ndërsa 622 MW u përket centraleve të prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike.

Në vitin 2020 hynë në prodhim gjithsej 20 centrale prodhuese të energjisë elektrike, me fuqi të instaluar 227.8 MW, të cilët kanë prodhuar gjatë 2020-s sasinë prej 182,816 MWh.

Prodhimi i energjisë elektrike, i realizuar nga impiantet që hynë në prodhim gjatë vitit 2020 zë rreth 3.44% të prodhimit total vendas të energjisë elektrike, që është një vlerë e cila ka arritur të mbulojë dhe tejkalojë ecurinë e parashikuar të rritjes së kërkesës së energjisë elektrike në vitet në vijim, raporton ERE.

Ndonëse 2019-a dhe 2020-a nuk kanë qenë vite të mbara për prodhimin e energjisë, dhe të ardhurat kanë rënë, shumë subjekte që kanë hidrocentrale private me koncesion raportuan norma fitimi të larta dhe të qëndrueshme, por me rënie nga vitet e mëparshme. Aktorët e tregut pohojnë se biznesi i HEC-eve private jep kthime të larta, teksa pas investimit fillestar, shpenzimet e mirëmbajtjes dhe administrimit janë të ulëta. Një tregues tjetër që shohin investitorët është ai i kthimit nga kapitali, që sa më i ulët të jetë prodhimi (të ardhurat) aq më shumë zgjat afatin e kthimit të investimit.

“Alb-Energy” ka gjeneruar nga aktiviteti i saj 415 milionë lekë të ardhura, nga shitja e energjisë elektrike nga HEC Bele 1 dhe Topojan 2, në Kukës. Klienti i vetëm i shoqërisë është OSHEE. Norma e fitimit ishte 62.3% në 2019-n, me rënie me 7 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm. Kompania është pjesë e Alb-Building, një prej më të mëdhave të ndërtimit në vend.

“Energo-Sas” është krijuar në vitin 2006 dhe shfrytëzon burimet e energjisë nga hidrocentrali Sasaj, në Sarandë. Aksioner kryesor është grupi “Agna”. Kompania raportoi në vitin 2020, fitime prej 118 milionë lekësh, me një normë prej 60% (nga 80% vitin e mëparshëm). Shitjet neto ishin 171 milionë lekë, me tkurrje prej 12% me bazë vjetore, me rënie dyshifrore për të dytin vit radhazi.

“HEC-i i Tërvolit” zbaton kontratën koncesionare të vitit 2007. Sipas burimeve zyrtare është e para kompani, e cila ka ndërtuar të parin HEC me investim privat, pas viteve ’90. Hidrocentrali i Tërvolit ndodhet rreth 7 km nga rruga kombëtare Cërrik – Gramsh dhe shfrytëzon ujërat e lumit të Holtës me skemën me derivacion. Të ardhurat ranë me 31% në 182 milionë lekë për të dytin vit radhazi, po ashtu dhe norma e fitimit u reduktua në 56%, nga 72% vitin e mëparshëm.Për kompanitë e tjera, normat e fitimit variojnë nga 25-60%.

“Devoll Hydropower” është prodhuesi privat më i madh i energjisë në vend, përmes dy hidrocentraleve. Në vitin 2020, të ardhurat e tij u rritën ndjeshëm me 57%, në 2.5 miliardë lekë.

HEC-i i Banjës (me kapacitet të instaluar të energjisë së rinovueshme 72 MW) filloi veprimtarinë tregtare në 2016, ndërsa HEC-i Moglicës (me kapacitet të instaluar të energjisë së rinovueshme 197 MW) nisi veprimtaritë tregtare në tremujorin e dytë të vitit 2020. Por, kompania është ende me humbje, që në vitin 2020 ishin 744 milionë lekë.

“Fillimi i pandemisë i tronditi të gjitha industritë, përfshirë sektorin e energjisë. Sektori përjetoi rënie të kërkesës, çmime më të ulëta deri te pasiguritë se si do të zhvillohej situata. Disa nga aktivitetet e projekteve tona hasën vonesa, por angazhimi ynë për zgjerimin dhe investime në energjitë e rinovueshme mbetet i njëjtë”, thotë Tima Iyer Utne, zv.presidente e “Statkraft” për Azinë Jugore dhe Europën Jugperëndimore, që ka në pronësi HEC e “Devoll Hydropower”.

Ajo shton se “Shqipëria duhet të përparojë në përpjekjet dhe reformat e saj në sektorin e energjisë, për të arritur liberalizimin e plotë të tregut, ashtu siç e ka planifikuar. Elementet thelbësore në këtë drejtim janë rritja e kapaciteteve të kompanive publike dhe private të energjisë për të qenë të afta të operojnë në treg të liberalizuar; Bursa Shqiptare e Energjisë mirëfunksionale; si dhe të vazhdohet me proceset e ndërthurjes së tregut me vendet fqinje”.

BIZNESI I NDËRTIMIT NUK ZHGËNJEN AS NË PANDEMI

Ndërtimi është sektori që po tërheq më shumë kapitalet e lira, si rrjedhojë e normës së lartë të fitimit, kthimit të shpejtë, por edhe kanalizimit të parave informale, si në ngritjen e pallateve, ashtu edhe në transaksionet e shitblerjes.

Në 2020-n, në kulmin e pandemisë, ai lulëzoi si asnjë vit tjetër. Sektori u rrit me gati 2%, i nxitur dhe nga rindërtimi pas tërmetit. Pesha e ndërtimit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në total u rrit me 0.6 pikë përqindje, në 9.2%, duke arritur në nivelin më të lartë që nga 2013-a. Ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme kishin ecurinë më të mirë në pandemi, me një rritje vjetore prej 7%, kur e gjithë ekonomia u tkurr me 4% në 2020-, sipas INSTAT.

Si kompanitë rezidenciale, ashtu dhe ato inxhinierike (rrugët e të tjera përmes tenderave) raportojnë një panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore. Në vitin 2020, fitimet kanë mbetur të qëndrueshme për pjesën më të madhe të kompanive, kryesisht në punimet inxhinierike. Ndërsa për apartamentet, fitimet luhaten në bazë të ciklit të shitjeve.

Kompanitë me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe punëve publike, raportojnë marzh të lartë, në një tregues indirekt të uljes së konkurrencës reale në garat publike. Në 2020-n, kompania më fitimprurëse ishte “Gjoka Konstruksion”, me një normë prej gati 24%, e ndjekur nga “Alb Building”, 23% dhe “G.P.G Company”, me 16.2%.

Por sektori më fitimprurës mbetet ai i ndërtimeve rezidenciale, ndonëse është i varur nga cikli i shitjes së apartamenteve. Nga sektori rezidencial, me normë më të lartë në vitin 2020 janë “Fratari Construction 1990” (64%); “Erjoni” (24%); “Alba Konstruksion” (23.5%); “ManeTCI”, (18.8%), “Homeplan” 10.8%, etj.

Ndër subjektet e ndërtimit me norma më të ulëta janë “Rafaelo 2002”, prej 4.67%; “Parc Construction” 5.1%, “Edil-Al-It”, 3.1%.