Venecia i jep të drejtë Presidentit/ Diplomati: Meta i vetmi që mbrojti Kushtetutën dhe i vuri “fre” mazhorancës abuzive….

118

Diplomati Lisien Bashkurti  në një analizë të tijën lidhur me raportin më të fundit të Komisionit të Venecias për lidhur me debatin midis Presidentit dhe mazhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, theksoi se Venecia i jep të drejtë Presidentit Ilir Meta për këtë çështje.

“Jam njohur me opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me padinë që ka paraqitur mazhoranca për debatin kushtetues me Presidentin. Raporti përfundimtar i Venecias në thelbin e tij është mbështetës për mendimin e Presidentit, veprimin e tij, qëndrimet e tij që kanë qenë në përgjithësi në mbrojtje të frymës dhe të procedurave kushtetuese për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe në përgjithësi i ka mbështetur edhe Komisioni i Venecias veprimet dhe qëndrimet e Presidentit. Ky është një element shumë pozitiv. Unë gjithnjë kam qenë i mendimit se veprimi i Presidentit Meta ka qenë shumë konsistent në mbrojtjen e Kushtetutës dhe parimeve të saj, madje, mund të thuhet që ka qenë i vetmi faktor që i ka vënë “fre” një mazhorance qeverisëse, e cila ka abuzuar shumë me vakuumin e institucioneve kushtetuese, duke kaluar dhjetëra akte ligjore, vendime, projekte, programe me një mazhorancë arbitrare, shpeshherë duke shkelur në mënyrë flagrante parimet e Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionin ekzistues, por edhe parimet e qeverisjes së mirë evropiane, siç është parimi i transparencës, i llogaridhënies, i gjithëpërfshirjes dhe i bazës së gjerë demokratike të participimit qytetar. Vakuumi që është krijuar në institucionet e drejtësisë është shndërruar në abuzim. Këtë duhet ta themi, dhe këtë duhet ta themi fare haptazi për të mirën e Shqipërisë, për të mirën edhe të mazhorancës, për të mirën edhe të vetë qeverisjes. Është shndërruar në një abuzim ku dukshëm është cenuar legjitimiteti i institucioneve kryesore nga qeveria, është cenuar dukshëm transparenca, është injoruar llogaridhënia para qytetarëve, janë mbyllur dyert e vendimeve të shumta që janë bërë, ka pasur mungesë aksesi në dokumentacionet qeveritare për opinionin publik, për qytetarët e për mediat, dhe kjo frymë në tërësi ka shkuar për nga rënia e besimit midis qytetarëve dhe qeverisë, midis popullit dhe shtetit, midis njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe institucioneve në tërësi. Kjo situatë ka krijuar luhatje të madhe dhe e ka vënë vendin në një moment shumë të rrezikshëm: jemi në tehun e shpatës në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim. Lipset të jemi shumë seriozë, pasi konsekuencat e veprimeve të gabuara e keqqeverisjes dhe zvarritjes ose shtrembërimeve të parimeve demokratike në Shqipëri do të ishin fatale nëse do të vononin hapjen e negociatave për Shqipërinë”, u shpreh në analizën e tij për “A2 Cnn”, diplomati Lisen Bashkurti.

Situata në Kosovë pas vendimit të Kushtetueses

Çfarë po ndodh në Kosovë? Zgjedhjet e 6 tetorit i fitoi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, por jo me rezultat të thellë. Qeverinë nuk e krijonte dot i vetëm, ndaj bëri koalicion me LDK-në e Isa Mustafës. Qeveria qëndroi fare pak në punë, pasi mesa duket përçarja erdhi për postet që do ndaheshin mes tyre. Kjo çoi në krizë dhe aleatët e Kurtit u tërhoqën nga aleanca, duke e çuar qeverinë në rënie. Albini, nën petkun e kryeministrit, kërkoi zgjedhje për të rimatur forcat edhe njëherë në popull. Por, presidenti nuk i dekretoi zgjedhjet, duke kërkuar që qeverinë ta bëjë partia e dytë fituese, pra LDK. Albini e çoi këtë dekret në Gjykate Kushtetuese për interpretim dhe mbrëmjen e së enjtes, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë të drejtë dekretit të presidentit. Kështu, vendi nuk shkon në zgjedhje, por krijohet qeveria nga numrat që janë në parlament.

Ky moment çon në aleancë LDK-në e Isa Mustafës me AAK-në e Ramush Haradinajt për të krijuar qeverinë e re. E gjithë kjo panorama na hap çështje për diskutim, jo për të komentuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimet e gjykatave nuk komentohen, por ndoshta na shërben për një analizë se çfarë po ndodh në Kosovë. Ndërkombëtarët kanë nxituar të thonë mendimin e tyre duke mbështetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të krijohet sa më shpejt qeveria e re, thonë ata. Kjo, sipas tyre, do i shërbejë edhe stabilitetit të vendit për të mos çuar në krisje të mëtejshme politike. Për të hedhur më shumë dritë në këtë situatë të re, diplomati Lisen Bashkurti, një njohës i politikës dhe historisë në Ballkan, ishte i ftuar në “A2 Cnn”, nga ku foli për situatën në Kosovë. Për të hedhur më shumë dritë në këtë situatë të re, diplomati Lisen Bashkurti, një njohës i politikës dhe historisë në Ballkan foli për situatën në Kosovë.

“Kosova do të hyjë në një cikël të ri krize politike”

“Edhe para vendimit të gjykatës edhe pas saj, interpretimet vazhdojnë të jenë të polarizuara, madje edhe nga ndërkombëtarët. Për këtë arsye, do të thotë se jeta politike në Kosovë nuk do të shkojë nga qetësimi, por nga tensionimi i saj. Faktori politik nuk do të shkojë nga bashkëpunimi dhe konsensusi, por do të shkojë drejt thellimit të polarizimit politik. Kjo klimë, do të jetë një faktor serioz që do të pengojë thellimin e reformave, ndoshta do të krijojë situata të paparashikueshme edhe me ndërkombëtarët dhe në bisedimet me Serbinë”, theksoi Bashkurti.

“Do të kemi një opozitë jashtëzakonisht të fortë”

“Unë i qëndroj mendimit se do të kemi një koalicion, i cili do të ngelët për t’u parë se si do të funksionojë, ndërsa do të kemi një opozitë jashtëzakonisht të fortë. Mund të thuhet se nga 2008-ta e këtej, kjo do të jetë opozita më e fortë. Ajo që është më shqetësuese, është se janë përfshirë edhe faktorë të jashtëm”, u shpreh ish-ambasadori.

“Parimet e Kushtetutës janë vënë në dyshim”

“Kemi të bëjmë edhe me një problem themelor që ndikon në politikën e Kosovës, që është dialogu me Serbinë dhe qasja që kanë faktorët politikë në këto dy vende. Qasjet janë shumë kontradiktore në Kosovë. Palët lypen që të lënë interesat personale dhe të vënë në plan të parë kushtetutën, e cila ka tre parime: Jo kthim në Serbinë e para 1999, jo copëtim të territorit dhe jo bashkim me ndonjë shtet tjetër. Këto parime e kanë bërë Kosovën e lirë dhe e kanë vënë hartën e Kosovës. Këto parime janë vënë në dyshim, së pari nga mungesa e transparencës, nga mungesa e frymës së bashkëpunimit mes institucioneve dhe partive politike. Në mënyrë të veçantë, kur ka filluar dialogu me Serbinë, kjo ka krijuar një skepticizëm të madh, i cili ka prodhuar panik, që më pas është transformuar në frikë, tension dhe në konflikt serioz politik. Për këtë, unë mendoj se përgjegjësinë kryesore e mban Thaçi, i cili ka vepruar shpesh herë në mënyrë individuale”, deklaroi diplomati Lisen Bashkurti.