“Fjalimet historike”, ngopje me lugë të zbrazët…

926
Sigal

Nga Xhevat Mustafa

Mund të mendohet dhe thuhet se në këto rreth 14 vjet shumë “të majtëve” po ua mban gjallë dhe po ua shton dozat e enverizmit dhe të nostalgjisë për të, sidomos frazeologjia, oratoria dhe mjeshtëria e Edi Ramës për t’ua prishur apo marrë mendjen njerëzve, njësoj si Enveri, me “fjalë të bukura dhe gurë në trastë”. Nostalgjia për Enverin u shpreh edhe ditët e fundit të shtatorit 2019, në jehonën për takimin si çifte të kryeministrit Edi Rama me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, më 25 shtator dhe për fjalimin e kryeministrit tonë mbajtur më 27 shtator, në New York në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Edhe pse ishte një takim i çastit, si në dasma, ku të gjithë dëshirojnë të bëjnë foto me nusen dhe dhëndrin, me shumë gjasa i kërkuar me përgjërim nga dy përfaqësitë tona diplomatike në SHBA , me urdhër nga Tirana e për konsum propagandistik, ai lumturoi shumë tifozë personalë, partiakë dhe kryeministrorë të Ramës. Disa edramistë më të flaktë e reklamuan edhe takimin jo protokollar, në nivel të dy shteteve, jo rastësisht, pa praninë, qoftë edhe të një flamuri të vogël kombëtar shqiptar, si “takim historik”. Doza e nostalgjisë ishte edhe më e lartë sidomos pas fjalimit që mbajti kryeministri Edi Rama. Paragrafi kushtuar Kosovës dhe drejtuar Serbisë ua ka ngritur në kulm nostalgjinë disave, sa këpusin kumbulla fare të papjekura, duke nxjerrë prej saj disa epitete dhe vlerësime, që duhet ta kenë bërë për të qeshur edhe vetë autorin e këtij fjalimi dhe “çuditur” apo “zemëruar” atje në ferr Enverin… Për të qenë sa më objektiv dhe realist, po ju përcjell disa nga komentet në facebook, në faqen “Gent Cakaj, 27 shtator, ora 20.40””, pa ua shënuar autorëve inicialet e emrave dhe të mbiemrave. Por, për të kuptuar nivelin e tyre të partishmërisë, nostalgjisë, arsimimit, kulturimit, qytetarisë, emancipimit politik dhe demokratik, nuk u kam bërë korrekturë gjuhësore. Vetë ministri Gent Cakaj e fillon komentin e tij me këto fjalë: “…Krenar me fjalën e Kryeministrit të Republikës të Shqipërisë, Edi Rama, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara…” Duke i mbajtur iso atij vijojnë komentet nga rreth 220 vetë, shumica, jo rastësisht shokë fëmijërie dhe shkollimi si dhe të rrethit familjar me Cakajn, me vlerësime në shkallën superiore për Ramën dhe me mbështetje të tij më të dy duart dhe këmbët. Por, nuk janë të paktë edhe ata komentues, që i janë përveshur fort si Ramës ashtu edhe mëkëmbësit të tij në MPJ.

“- Me ne fund kombi ka nje udheheqes dinjitoz largpames e mendje ndritur , si shqiponje sypatrembur… -Ai eshte Larg pames shume mire mund ta bej dhe per President ne Amerike, por ketu tek ne ka dhe nga ato Socialist Drejtues qe nuk ecin ne gjurmet e tij kjo duhet pare me perioritet -Bravo kemi .kryeminister gjigand..Ismaili i dyte ..i shqiptareve i te gjigha trojeve shqiptare… -Me kete thirrje te Rames, te gjithe shqiptaret ketej dhe andej kufirit, duhet te solidarizohen….”

Gjithsesi, edhe këto komente që u cituan, janë të bollshme për të kuptuar shkallën e lartë të nostalgjisë enveriste tek jo pak shqiptarë të vitit 2019 dhe për t’u trembur prej saj. Shqiptarët në moshat rreth 40-80 vjeç nuk besoj se e kanë harruar se sa shumë ” fjalime historike” ka mbajtur Enver Hoxha sa qe gjallë, në “mitingje madhështore”, kur na dridheshin gjunjët nga uria dhe jo pak mund t’i zinte gjumi në këmbë nga pagjumësia e radhëve qysh nga mesnata për ushqimet me tollona. Dihet se sa shumë të mira na sollën e na lanë “fjalimet historike” të tij. Iku e na la si në ferr, afërsisht siç jemi edhe sot e kësaj dite, pas 75 vitesh mbretërimi nga “e majta”. Pastaj, sikur të zgjidheshin 1001 hallet e Shqipërisë e të botës me ” fjalime historike”, nga një herë në vit në New York, në OKB, as Shqipëria dhe as bota nuk do të ishin kështu siç janë. Të lumturuarit nga fjalimi i radhës i Ramës në OKB “harrojnë” se ai nuk ka bërë asgjë më tepër se punën dhe detyrën, për të cilat merr një pagë të majme dhe do të na kushtojë jo pak dollarë, për dieta, hotel, për fotografinë… Për më tepër, foli mirë për Shqipërinë dhe Kosovën e keq për Serbinë, sepse është kryeministër i Shqipërisë e nuk mund të bënte të kundërtën. Pastaj, për cilat vende të tjera me halle të përafërta mund të fliste? Për Palestinën dhe Izraelin? Për Spanjën dhe Katalonjën? Për Ukrainën dhe Krimenë? Për Hongkongun dhe Kinën?…Mbështetur në opinionet e shprehura publikisht nga krerë shtetesh dhe qeverish si dhe nga analistë politikë të njohur në arenën ndërkombëtare, mbledhjet vjetore të fund-shtatorëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sidomos këto vitet e fundit, kanë prodhuar më shumë “takime dhe fjalime historike” se sa zgjedhje, zgjidhje, kthesa, siguri, paqe, “miell e bukë” për mbarë njerëzimin, veçanërisht për vendet me nivele ekstreme varfërie dhe në luftëra shumëvjeçare. Sipas tyre ato janë bërë si festivale oratorie dhe fjalimesh, të krahasueshme me sfilata të modës, të bukurisë… Natyrshëm, të gjithë fjalim mbajtësit dhe popujt e tyre, kanë të drejtë të mburren se fjalimi i tyre “ishte më i miri, më i forti, më mbresëlënësi, më historiku…”. Nostalgjia ndaj enverizmit lidhur po me fjalimin e kryeministrit Edi Rama në New York shprehet edhe në formën e presionit apo të kërkesës, që ai duhet duartrokitur, pranuar si “historik” nga të gjithë, edhe nga ata që nuk e kanë dashur dhe nuk do ta duan kurrë Edi Ramën dhe “rilindjen’ e tij…Përndryshe, ata që nuk e pëlqejnë dhe lavdërojnë, që kanë një thes me pakënaqësi, vërejtje, kritika ndaj Edi Ramës si kryeministër dhe si qeverisje, na dalin “armiq të partisë dhe të popullit”. Gjithnjë sipas mendjes së këtyre enveristo-edramistëve, të mos e duash Edi Ramën si kryeministër, ta kritikosh, t’ia thuash sy më sy e publikisht, në media, gabimet, dështimet, skandalet…, na qenka denigrim i të gjithë vendit, sidomos në sytë dhe veshët e botës…Po sipas këtyre, kush nuk e do Edi Ramën nuk do as Shqipërinë, duke mos marrë parasysh, se ne antiRamat, ndryshe nga ata, duam më shumë Shqipërinë se sa partitë dhe kryetarët e tyre kalimtarë. Pra, na del se Edi Rama na qenka Shqipëria dhe Shqipëria një nga pronat e shumta të tij???!!! Sipas kësaj logjike dhe llogarie qesharake, të gjithë shqiptarët, nga 25 shtatori 2019, duhet të ndjehen borxhlinj e të bëhen, të paktën për 365 ditë, “dele të urta” ndaj Edi Ramës, pse më 25 dhe 27 shtator “na nderoi, me një “takim historik” dhe me një “fjalim historik”. Me humor, presidenti Trump duhet të ndiejë shqetësim e frikë nga “sinqeriteti i dashurisë dhe mbështetjes” së komunisto-socialistëve, enveristo-edramistëve shqiptarë, që deri para 3 vitesh e shanë dhe e nxinë, ashtu siç kanë bërë prej më se 70 vitesh me të gjithë presidentët e tjerë amerikanë. Nuk na bën mirë nostalgjia për ” fjalime historike”, euforia se “ua bëmë 8 me 2 të gjithë armiqve”, pandehma dhe iluzioni për fitore të paqena apo të fantazuara po nga ne! Politikanët dhe qeveritarët gjykohen nga veprimet dhe mosveprimet; nga veprat, punët, frytet konkrete e jo nga fjalët e bukura, aq më shumë kur edhe kanë talent të lindur në të shkruar e folur. Përgjithësisht, fjalimet janë për publik e media dhe fjalët, siç thotë populli, sado të forta e të bukura i merr era. Nuk mund të harrohet edhe se “frytet” vilen më shumë jo nga fjalimet, por nga bisedimet dhe marrëveshjet jashtë kamerave, mikrofonëve, shumë larg syve e veshëve tanë si qytetarë… Pasi mbahen, sipas një praktike të moçme, “fjalimet historike” mbyllen në dosje, faqe gazetash dhe në arkiva. Shndërrimi i tyre në vepra konkrete, të prekshme, të përjetueshme, konstruktive e të dobishme, në të shumtën e rasteve, ka mbetur ëndërr në sirtarë. Mbështetur në këtë përvojë, edhe frytshmëria Edi Ramës si kryeministër, nuk maten me sasinë e fjalëve të bukura dhe të “fjalimeve historike”, që mban në New York, Bruksel, Berlin, Paris…As nga sasia dhe lartësia e pallateve dhe kullave mbi gërmadhat e trashëgimisë e të gjelbërimit. As nga numri i tenderëve, koncesioneve, PPP-ve, që firmos dhe vulos, kryesisht për ortakët dhe miqtë e tij…Sidomos ne shqiptarët, pas 75 vjet “ngopjeje” ”me premtime, fjalë të bukura dhe “fjalime historike”, ose shqip fare, me lugë të zbrazura, kapacitetin dhe dobishmërinë e një një krye/qeveritari, duhet t’i kërkojmë dhe gjejmë tek punët e mira me përfitime të ndjeshme për shumicën e qytetarëve. Meqenëse jemi as dy 2 javë larg vendimit të BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit, një kryeministër mund të quhet, lavdërohet, mbështetet si i suksesshëm, kur arrin të ngushtojë “detin” që na ndan me shumicën e vendeve të BE-së për nga standardet e zhvillimit ekonomiko-shoqëror, të pagave dhe të pensioneve, të politikës sociale, të mirëqenies, të funksionalitetit normal të demokracisë dhe të shtetit ligjor…

Politikanët dhe qeveritarët gjykohen nga veprimet dhe mosveprimet; nga veprat, punët e frytet konkrete e jo nga fjalët e bukura, aq më shumë kur edhe kanë talent të lindur në të shkruar e folur