Albin Kurti: Sovraniteti, barazia, pavarësia, demokracia!

374
Sigal

Albin Kurti

Kryeministër i Kosovës

 

Nëse thuhen e rrijnë kështu të ndara e vetëm, vazhdojnë të jenë fushëbeteja të interpretimit. Por, të integruara në frymën e dokumentit më të vlefshëm të shtetit – Kushtetutës së Republikës – marrin kuptim të plotë. Dhe kanë vlerë të saktë.Kushtetuta jonë shprehimisht përcakton që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë të barabartë para ligjit. Krahas kësaj, në Kushtetutën tonë përcaktohet qartë dhe saktë përkufizimi i shtetit tonë si sovran, i pavarur dhe demokratik.Një shtet, i cili në frymën e Kushtetutës është shoqëri multietnike e cila qeveriset në mënyrë demokratike. Shtet që respekton parimet e barazisë para ligjit dhe garanton të drejtat dhe liritë e njeriut.

Në Republikën e Kosovës të drejtat dhe liritë themelore vlejnë për të gjithë qytetarët e Republikës. Vlejnë njësoj edhe kur vjen fjala për të drejtën e votës.

Me këtë logjikë, votimi për referendumin që do të mbahet nga Serbia, i garanton komunitetit jo shumicë serb në bazë të Kushtetutës dhe ligjit në fuqi në Republikën e Kosovës. Por, ushtrimi i kësaj të drejte duhet të bëhet nën ombrellën e këtyre normave juridike tona.Duke respektuar në mënyrë analogjike rregullat për votim jashtë vendit që vlejnë për qytetarët e Republikës së Kosovës, e të parapara me Ligjin për Zgjedhjet dhe Rregullën Zgjedhore.

Kjo nuk është diçka e paprecedentë. Përkundrazi. Edhe praktika evropiane e thotë të njëjtën, që shtetet anëtare duhet të mundësojnë qytetarëve të tyre të marrin pjesë në proceset zgjedhore.

Edhe ne këtu e dimë që shumë qytetarë tanë të cilët kanë dyshtetësi nuk është e thënë që votojnë vetëm në njërin shtet. E shfrytëzojnë të drejtën për të votuar edhe në shtetin tjetër kur kanë më shumë se një nënshtetësi. Por, gjithmonë duke respektuar rregullat e vëna për këtë proces nga shteti përkatës ku kryhet votimi.

Raporti i Komisionit të Venedikut përmend mënyrën më të shpeshtë të mbajtjes së regjistrave të qytetarëve që jetojnë në territorin e një vendi të caktuar, përmes zyrave konsullore apo ambasadave jashtë shtetit përkatës në territorin e vendit të huaj, praktikë kjo e shumicës së shteteve.

Në situatën konkrete, dua ta bëj të qartë që askush askujt s’po i cenon të drejtën e votës. Thjeshtë nisur nga fakti që detyrën e Ambasadës së Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës e ushtron Zyra Ndërlidhëse në Prishtinë, votimi për referendum, mund të bëhet në këtë zyre, në pajtim me ligjin e Kushtetutën tonë.Tash, natyrisht që duhet adresuar elefantin në dhomë. Të gjithë e dimë që mbledhjen e kutive të votimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e mbajtura në Republikën e Serbisë e ka bërë OSBE-ja në vitet 2012, 2014, 2016 dhe 2017. OSBE-ja këtë e ka bërë natyrisht pas marrjes së pëlqimit nga autoritetet vendore. Mirëpo, organizimin e zgjedhjeve siç e dimë e kanë bërë strukturat ilegale të Serbisë të cilat janë financuar e janë dirigjuar nga Beogradi.

Serbët e Kosovës në këto vite, nuk kanë votuar si votues jashtë vendit, por si votues brenda vendit. Problemi natyrisht nis tek Kushtetuta e Serbisë që Kosovën e trajton si njësi brenda Serbisë. Një kushtetutë e cila daton nga koha e para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përkatësisht nga viti 2006.

Megjithatë, një praktikë e gabuar e vendosur nëpër vite, nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjte. Pëlqimi i autoriteteve nuk është mbi ligjin, e aq më pak mbi Kushtetutën. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe duhet të trajtohet si e tillë.

Organizimi i votimit jashtë Zyrës Ndërlidhëse, është kundër kufijve të ligjit dhe parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Për të siguruar aplikim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e të legjislacionit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit, votimi në këtë referendum mund të bëhet në Zyrën Ndërlidhëse ose edhe përmes postës.

Për ta bërë të qartë që një qëndrim i tillë nuk është vetëm i Qeverisë por i komplet spektrit politik dhe qytetarëve në Kosovë, që në këtë rast përfaqësohen nga Kuvendi, unë ju ftoj që ta votoni një rezolutë, tekstin e së cilës do ta lexoj pas pak.Kosova me të vërtetë është shtet i ri dhe jo i madh, megjithëkëtë kjo nuk do të thotë që ne duhet të shkelim mbi ligjet dhe parimet që vet i kemi vendosur për të mirën e vendit tonë, dhe në linjë me praktikat më të mira europiane.Nëse dikush nuk na njeh, kjo s’duhet të na lëkund neve për njohjen e vazhdueshme që duhet t’ia bëjmë vetvetes. Qëndrimet dhe vendimet tona burojnë dhe kufizohen nga Kushtetuta dhe nga ligji ynë.

 

Box

Albin Kurti pas miratimit të rezolutës

Falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për miratimin e rezolutës së përbashkët. Me 76 vota PËR dhe një abstenim, u përmbyll seanca e jashtëzakonshme të cilën e kërkova lidhur me synimin për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës.

Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është qëndrim parimor, në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Ne nuk do t’i shkelim parimet tona.