Prof.Dr. Et’hem Ruka: Si e përjetova Tiranën e viteve 1960-1970

541
Sigal

Tirana ishte ëndërra e rinisë së brezit tonë. Në këtë qytet ishte përqendruar gjithçka, organet e qeverisjes së vendit, inteligjenca krijuese, universitetet, opera, estrada, teatri, arti, letërsia, sporti, industria, kinematë, spitalet më të mira e gjithçka tjetër. Njerëzit ndiheshin krenarë nëse kishin bërë shkollën, ushtrinë a ndonjë kurs në Tiranë. Kështu ndiheshin edhe ata që kishin dikë të afërt që banonin e punonin në kryeqytet.

Qyteti i Tiranës së viteve 1960-1970 përfshihej gati brenda unazës së vogël. Lagjet e sotme të reja të Tiranës në atë kohë konsideroheshin periferike dhe ishin thjesht livadhe, shkurre, ose parqe. Të gjitha ndërtimet e sotme përtej ish Stacionit të Trenit, Qytetit të Studentit, Tiranës së re, Laprakës, Kinostudios, ish Uzinës së autotraktorëve etj nuk ekzistonin. Lagjet më të largëta ishin Kombinati, Lapraka dhe Kinostudioja.

Tirana kishte shumë pallate me katër-pesë kate, të ndërtuara kryesisht pas çlirimit, për të përballuar strehimin e të ardhurve nga të gjitha anët e vendit. Pjesa autoktone e qytetit kishte lagje të tëra tiranase plot shtëpi një e dy katëshe, por edhe vila dy-tre katëshe të ndërtuara sipas stilit italian qysh në vitet 1930.

Lagjet autoktone të Tiranës ishin krejt të veçanta. Ne të ardhurve në Tiranë na bënin përshtypje muret e larta prej qerpiçi, që rrethonin oborret e shtëpive si dhe çatitë e tyre të mbuluara me tjegulla të kuqe në formë kubeje. Kur e shikoje nga larg një lagje tiranase të dukej sikur çatitë ishin vazhdim i njëra-tjetrës dhe siç thoshin tiranasit edhe macja mund të kërcente nga një çati në tjetrën deri sa të dilte në fund të lagjes.

Oborret e shtëpive kishin gjithmonë një rrugë kalldrëmi që lidhte portën e jashtme me hyrjen e shtëpisë. Një shtëpi tiranase nuk mund të kuptohej pa pusin e ujit, magjen në krahë të saj dhe pemët frutore si hurmat, fiqtë, hardhitë etj. Mes shtëpive kishte rrugica të pastra e plot jetë ku shetitnin banorët e lagjes.

Cilido nga ne të ardhurit që ka patur fatin të hyjë në një shtëpi tiranase, me siguri është ndjerë i rrethuar nga dashuria dhe bujaria e pafund e “ijeve” apo nonave tiranase gjithmome me shami të bardhë në kokë.

Tirana e viteve 1960-1970 kishte shumë vila dy e trekatëshe të ndërtuara nga familje të pasura tregëtarësh, politikanësh, e intelektualësh që në shumicën dërrmuese u shpronësuan pas çlirimit. Pronarët e vjetër u zëvendësuan nga banorë të rinj, por gjithmonë zyrtar të lartë të kohës që banuan aty deri në vitet 1990.

Në tridhjetë vjetët e fundit ne kemi humbur një pjesë të qenësishme të identitetit të kësaj trashëgimie të vyer autoktone. Politika e uritur gëlltiti pa mëshirë shtëpi pas shtëpie, lagje pas lagjeje dhe rrugicë pas rrugice jo vetëm shtëpitë tiranase e vilat e viteve 1930, por edhe identitetin e Tiranës dhe vet tiranasve. Tashmë nuk kanë mbetur veçse disa “ishuj” të Tiranës autoktone që brezi ynë i kujton me dhimbje dhe shumë nostalgji.

Rrugët e rrugicat e Tiranës së atyre viteve ishin të pastra e plot gjelbërim. Mjeti kryesor i lëvizjes së qytetarëv ishte biçikleta. Hapësirat kryesore të gjelbra ishin Parku “Rinia” përballë Hotel “Dajtit”, lulishtja pas monumentit të Skëndërbeut në qendër, gjithë pjesa para Parlamentit deri te qendra e sotme tregëtare “Toptani,” parku që shtrihej nga ish Vilat Gjermane në lindje të terrenit sportiv të Qytetit të Studentit deri te Spitali “Shefqet Ndroqi” ose siç quhej atëhere Senatoriumi dhe Parku i Liqenit të Tiranës.

Linjat e autobuzëve lidhnin pjesët kryesore të qytetit. Veturat ishin të rezervuara vetëm për funksionarët e lartë të shtetit. Me përjashtim të udhëheqësve të lartë të Partisë që përdornin benz-mercedesa, të gjitha automjetetet e tjera ishin prodhime të vendeve lindore. Jo rrallë në disa nga rrugët e Tiranës së asaj kohe shihje edhe karroca që tërhiqeshin nga kuaj.

Në kryqëzimet e rrugëve kishte police, që drejtonin trafikun. Semaforët mungonin. Këmbësorët kalonin rigorozisht në vijat e bardha, ndryshe policia vendoste gjoba. Në rrugët e Tiranës nuk lejoheshin lypsarë. Në kapakët e pusetave shkruhej gjithmonë ndalohet pështytja. Mjedisi ishte i pastër dhe qytetarët pinin ujë drejtëpërdrejtë nga rubinetat.

Qyteti ishte i gjallë dhe rrugët plot njerëz. Në orët e mbrëmjes thuajse gjithë banorët e qytetit ishin jashtë për shetitje. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” i dorëzohej qytetarëve dhe qarkullimi i mjeteve në të ndalohej. Ky bulevard ishte plot e përplotë me qytetarë që shetitnin familjarisht ose me grupe shokësh e miqsh. Aty i gjeje të gjithë, grupe të rinjsh, burra, gra e fëmijë, intelektualë, artistë, ushtarakë, zyrtarë, familjarë, punëtorë etj.

Askush nuk largohej nga shetitja pa përshkuar një ose dy herë bulevardin nga Universiteti i Tiranës deri te Sheshi “Skënderbe”. Në qendër të Tiranës. Edhe ne studentët e atyre viteve, rrallë e humbisnim shetitjen e mbrëmjes. Të huajt befasoheshin nga kjo shëtitje masive dhe mendonin se bëhej ndonjë demonstratë.

Disa nga godinat në qendër të Tiranës nuk ekzistojnë më. Ato ekzistojnë vetëm në kujtimet tona dhe fotot e albumeve të Tiranës së dikurshme. Nuk ekziston më godina e ish Komitetit Ekzekutiv e projektuar në vitet 1930 nga arkitektët italianë Gherardo Bosio, Armando Brasini dhe Florestano de Fausto, Kafja e famshme “Kursal” që ndodhej në trekëndëshin që formohej mes fillimit të Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, Hotel “Vjosa”, Godinat ku sot është ngritur hotel Tirana, etj.

Vitet 60-70 të shekullit të kaluar sipas Prof. Dr. Fatos Tarifës ishin vitet e “lirisë” në diktaturë. Ishin vitet kur muzika, arti, moda u ndje më e lirë për të përkrahur trendet e reja botërore. Ndoshta gjimnazistët e Sami Frashërit shpikën emërtimin më origjinal për një nga rrugët e qendrës së qytetit duke e quajtur “Brodway”. Ishte një gjetje unikale që në fakt shprehte me qartë se gjithçka dëshirën e një brezi për të qenë më afër perëndimit në shije, prirje e mënyrë jetese. Mbasditet e mbrëmjet në Brodway ishin krejt të veçanta. Aty shëtitnin të shpenguar gjimnazistët, studentët, artistët, sportistët, të pasionuarit pas modës, “gjahtarët” e femrave, por edhe të moshuarit.

Në mungesë të telefonave takimet mes njerëzve liheshin në disa nga pikat më kryesore të qendrës së Tiranës, si te reklamat e famshme të filmave që shfaqeshin në kinematë e kryeqytetit që ndodhesh në krahun e djathtë të ish Komitetit Ekzekutiv, para monumentit të Skënderbeut, te kafe “Flora”, kafe Kursal, te shatërvani në qendër të sheshit qendror të Tiranës, para xhamisë së Ethem Beut etj.

Fotografët me aparate në dorë rrinin gjithmonë diku afër te Monumenti i Skënderbeut, xhamisë së Tiranës dhe në qendër të sheshit “Skënderbe”. Aty shikoje vazhdimisht familjarë, studentë, ushtarë e nxënës që vetëm ose kolektivisht bënin foto. Në arkivat tona personale ekzistojnë dhjetra foto bardhë e zi me përmasa të vogla e buzë të dhëmbëzuara, të cilat janë dëshmi e atyre viteve.

Është e vështirë të përshkruash gjithçka për Tiranën e atyre viteve. Ajo që ka mbetur brenda nesh është kujtesa, nostalgjia dhe malli për gjithçka që ekzistonte dikur dhe që sot nuk ekziston më. Ajo ishte Tirana që na rriti dhe ne nuk mundëm ta ruanim si vlerë historike për tua trashëguar brezave të sotëm.