“Zonja Nikolla, ndërhyni për të ndalur dhe eliminuar dhunën e nxënësve ndaj mësuesve në shkolla”

519
Zonja Ministre e Arsimit!
E nderuar kolege, ish-mësimdhënëse! 
Në mungesë të përfaqësimit dhe në mungesë të mbështetjes nga sindikatat kukulla të cilat na kanë braktisur mbasi janë bërë veglat tuaja të bindura si ministri, për më tepër duke u kthyer në shërbëtore të qeverisë, ne 200 mësues të shkollave 9 vjeçare të Elbasanit, po ju bëjmë këtë letër publike në gazetën “Telegraf”, duke kërkuar prej Jush ndihmë administrative praktike e juridike, për të përballuar situatën e krijuar muajt e fundit në raportet mësues-nxënës e anasjelltas nxënës-mësues në shkollat ku ne japim mësim. 
Zonja Ministre!
Prej muajsh në klasat ku ne japim mësim, sidomos në ato të klasave të 7, 8 e 9, po përballemi me akte të shëmtuara nga nxënës elementë problematikë, që prishin orët e mësimit, fyejnë, tallin, shajnë e kërcënojnë mësuesit me fjalorin më të ulët jo vetëm shokët e klasës e të shkollave, por këtë prej kohësh po vazhdojnë të bëjnë edhe me ne mësuesit”. Qëndrimi nga elementë të tillë po bëhet i zakonshëm e i përditshëm në punën tonë. Përballja jonë po bëhet me nxënës të tillë, ku për fatin e keq të shkollës, të arsimit dhe të mësuesve, kohët e fundit këto kontigjente po shtohen në numër e në egërsi sjelljeje në klasat dhe shkollat tona, duke krijuar situata për të cilat edhe drejtuesit e shkollave po ndjehen të pafuqishëm të zgjidhin problemet që krijohen, mbasi siç dihet edhe ata në raste reagimi kërcënohen, denigrohen e dhunohen fizikisht prej këtyre nxënësve.
Zonja Ministre! 
Ju e dini, që edhe në shkollat tonë ku ne japim mësim, prej këtyre nxënësve sherret krijohen konfliktet fizike mes nxënësve, aq sa shpesh agravimi i rasteve shkon deri në përdorimin e armëve të ftohta e armëve të zjarrit brenda dhe jashtë shkollave, prezent rëndomë është dhunimi fizik i nxënëseve të rregullt, bllokimi dhe prishja e orëve të mësimit, shkatërrimi i bazës materiale. Kjo sjellje e kësaj kategorie nxënësish, ka shkuar deri edhe në akte e shëmtuara që po ndodhin edhe ndaj ne mësuesve. Nuk e teprojmë të themi, se edhe në shkollat tona në Elbasan shohim e dëgjojmë nga kolegë të zonave dhe rretheve të tjera, se ka përditë raste kur mësuesit janë sharë e fyer, janë goditur fizikisht nga nxënësit, janë provokuar me denigrime me synim nxitjen e mësuesve për të reaguar fizikisht. Janë publikuar video kur mësuesi dhunon nxënësit, por mos harroni se janë transmetuar video kur nxënësit dhunojnë fizikisht në mes të klasës e shkollës mësuesit, madje e drejtorët dhe nuk mbahet qëndrim prej jush si ministri, si drejtori të ZA e si DRA! Përse? Sepse Ju zonja Ministre, urdhëroni që ne mësuesit të heshtim, troç të ulemi në gjunjë e të mos hapim gojë edhe kur na fyejnë, kur na kërcënojnë e për më keq kur na dhunojnë fizikisht nxënës të tillë! 
Këto po ndodhin edhe në shumicën e shkollave 9 vjeçare të Elbasanit, ndërkohë që nuk merret asnjë masë nga drejtuesit, nga DAR dhe MAS, të cilët kur ndodhin raste të tilla japin ndëshkime vetëm për mësuesit, duke u dalë në mbrojtje nxënësve të tillë, që arrijnë edhe rrahin mësuesit brenda orëve të mësimit, brenda mjediseve e oborreve të shkollave. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 5 raste, ku nxënësit e klasave të 8 dhe 9 kanë arritur deri sa të godasin fizikisht mësuesit, pasi ata u kanë tërhequr vëmendjen për mos prishjen e orës së mësimit, por që përveç prishjes së orës mësimit kanë provuar edhe fyerjet, kërcënimet dhe grushtat e shkelmat! Ndërsa në vitin shkollor 2015-2016, në shkollat e sistemit 9 vjeçar të Elbasanit janë regjistruar dhjetëra raste ekstreme të sjelljeve rrugaçërore nga nxënës të tillë problematikë dhe 3 raste kur kanë vepruar fizikisht ndaj mësuesve. Sipas dëshmive të disa mësuesve të lëndës së matematikës, fizikës, biologjisë, kimisë, gjuhës e letërsisë madje edhe të fizkulturës e edukimit shoqëror, rezulton se në shkollat tona 9 vjeçare ka një situatë tepër alarmante lidhur me dhunën psikologjike e deri fizike që nxënësit ushtrojnë ndaj mësuesve, të cilët edhe pse janë përballë shkatërrimit të orës mësimore, janë të provokuar e të dhunuar fizikisht, detyrohen të qëndrojnë “urtë” e të mos thonë asnjë fjalë, mbasi Ju zonja Ministre nuk ndërhyni, nuk veproni, nuk krijoni një bazë të re ligjore e administrative për raportet mësues nxënës e anasjelltas! Por në çdo rast edhe kur prej mësuesve të provokuar, të dhunuar fizikisht, të tensionuar e acaruar prej kësi rastesh lëshohet ndonjë pëllëmbë, shkulje veshi, apo zë i lartë, Ju zonja Ministre nxitoni e dilni në mbrojtje të këtyre nxënësve dhunues e denigrues duke u bërë palë aktive e publike me sjelljen dhe dhunën e tyre e për më skandalin tuaj, duke larguar nga puna dhe çuar në ndjekje penale mësuesit e dhunuar, duke mbajtur në shkollë nxënësit dhunues, të cilët vazhdojnë avazin e tyre që ju ua merrni në mbrojtje.
Zonja Ministre! 
Ndoshta nuk e dini, mbasi keni shumë vite që nuk jepni mësim sepse keni gjetur rehat në postet shtetërore, por ejani e provoni të jepni një orë, një ditë, një javë, një muaj mësim me nxënës tipa të tillë, për të cilët ju këshilloni e urdhëroni që të lihen të lirë në aktet e tyre dhe jemi të bindur, se Ju që na mbani leksione “qetësie, durimi e tolerance” ose do të dorëzoni regjistrin, ose do të qëndroni “pulë” përballë denigrimit e do të pranoni të hani dajak dhe pështyma nga nxënës të tillë, nga frika se do të heqin nga puna, siç veproni ju me mësuesit e dhunuar. Po ju bëjmë edhe njëherë me dije, atë që ju e dini shumë mirë, që shkolla po degradon për shkak të shfrenimit që ju si Ministri i keni bërë sjelljes së dhunshme të nxënësve ndaj mësuesve. Sa ankesa ju vijnë në ditë në ministri? Sa ankesa e denoncime shkojnë përditë në drejtoritë arsimore të rretheve e qarqeve? Përse nuk veproni kur ankohen mësuesit e dhunuar, por jepni alarmin demagogjik edhe me kamera televizive kur dhunohet një nxënës që ushtron dhunë? Çfarë politike rilindëse qenka ka kjo, që po “vdes” dinjitetin e mësuesit, të shkollës, të orës së mësimit, të arsimit shqiptar? Konstataojmë, se arsimi, shkolla, dinjiteti i mësuesit po degradon çdo ditë, pasi mungon një rregullore e cila mund të ishte efikase për të ndëshkuar elementë të tillë problematikë. Veprimi ndëshkues ndaj mësuesve dhe mungesa e veprimit ndëshkues ndaj nxënësve dhunues, po shkatërron proceset mësimore, drejtuesit e shkollave u kanë dhënë porosi dhe urdhër të prerë mësuesve “çdo nxënës dhunues e problematik pavarësisht se shkatërron orën e mësimit, se reh shokët, se rreh mësuesit, të mos nxirret jashtë klase e të mos mbetet në klasë”. E thënë ndryshe, këta elementë që gjatë gjithë vitit prishin orët e mësimit, që nuk pranojnë të ngrihen në mësim e për rrjedhojë që nuk vlerësohen asnjëherë me nota, sipas ministrisë duhet “të mbahen afër, të durohen me qetësi dhe t’u vihet edhe nota kaluese, sepse prishet imazhi shkollës”. Situata në të cilën ndodhen shkollat e sistemit 9-vjeçar në Elbasan, mbetet më tepër se serioze përsa i përket gjallërimit dhe përshkallëzimit të sjelljeve të pahijshme nga nxënës me probleme, numri i të cilëve sa vjen e shtohet.
Zonja Ministrie! 
Ne 200 mësuesit e shkollave të sistemit 9 vjeçar në Elbasan, kërkojnë nga ana juaj “mbrojtje ligjore, pasi kemi arritur deri atje sa të bëhemi qesharakë në sytë e nxënësve, duke duruar sharjet, fyerjet, talljet, poshtërimet e madje edhe dhunën fizike të manifestuar prej 2-3 apo 4 nxënësve problematikë të çdo klase, që po përdhosin orët e mësimit dhe po i kthejnë shkollat në vende sjelljesh e qëndrimesh që nuk kanë asnjë lidhje me shkollën! Të gjendur përballë pafuqisë së drejtorëve të shkollave dhe të drejtorive zyrave arsimore e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Elbasanit e cila ashtu si ne është urdhëruar të mos veproj ndaj këtyre tipe nxënësish, kërkojmë nga ana Juaj, rikthimin e dinjitetit dhe rikthimin e seriozitetit të orëve të mësimit, përcaktimin e një pike të rregullores së brendshme të shkollave për ndëshkimin e çdo nxënësi që manifeston dhe ripërsërit sjelljet e papranueshme në shkolla dhe për ata, që arrijnë të ushtrojnë kërcënime e dhunë fizike ndaj mësuesve.

Shënim i “TELEGRAF”

Duke vlerësuar letrën e 200 mësuesve të Elbasanit si problem të madh të arsimit shqiptar e për më tepër si një çështje me të ardhme shqetësuese shoqërore e sociale, gazeta “Telegraf”, fton të marrin pjesë me mendimet e tyre në debat të lirë mësues, prindër, drejtues shkollash, specialistë të Ministrisë së Arsimit, të Ministrisë së Brendshme e Ministrisë së Drejtësisë, drejtues të pushtetit lokal, profesorë, metodistë e specialistë të arsimit dhe edukimit, psikologë dhe cilindo që e konsideron shqetësim këtë realitet dhune që ka lindur e po merr përmasa shfrenimi në raportet mësues-nxënës, duke hedhur ide që mund të frenojnë dhe ndryshojnë situatën e rëndë të krijuar në shkollat shqiptare!