Zona industriale e Shkozetit, kërkon plan urbanistik

692
Sigal

DURRËS/Urbanistët:Nuk duhet lejuar zhvillimi kaotik, është me pasoja për sot dhe të ardhmen!

Zona industriale e Shkozetit, prej vitesh paraqet një rajon me zhvillim kaotik ku është e vështirë të ndash subjektet që merren me biznes me blloqet e banimit. Përveç objekteve të vjetra të ndërtuara përpara vitit 1990, tashmë atje është ngritur një zonë e tërë banimi me ndërtesa pa leje të cilat janë në proces aplikimi për legalizim. “Por zona vazhdon të zhvillohet në mënyrë kaotike pasi nuk ka plan studimi urban për ecurinë e saj”,- shprehen urbanistë dhe arkitektë.

ZONA E SHKOZETIT

Zona e Shkozetit shtrihet në një territor prej  800 ha, dikur ajo ka qenë një ndër zonat më të mëdha industriale në shkallë vendi në të cilën ushtronin aktivitetin 20 fabrika e uzina dhe me dhjetëra ofiçina e magazine gjigande. Pas vitit ‘90 -të  pothuajse të gjitha u mbyllën dhe e pushuan aktivitetin. Që nga ajo kohë e në vazhdim nga ana e banorëve të zonave të largëta të vendit, Shkozeti nisi të shihej si një vend shumë i përshtatshëm për transferim e banim. Vit pas viti,  në territoret e lira nisën të ndërtohen banesa të cilat sot kanë arritur numrin 3880 të shtrira në një sipërfaqe të konsiderueshme me afro 40 hektarë. Po kështu të gjitha objektet e lira industriale u transformuan në shtëpi banimi. Në këto kushte edhe bashkia e ka pranuara në heshtje prej vitesh se “kjo zonë dikur industriale nuk është më e tillë, por më tepër një lagje e banueshme”. Në këto kushte një VKM e vitit 2005, shpalli “park industrial” zonën e Spitallës dhe të Porto Romanos, por jo Shkozetin.

ZHVILLIMI KAOTIK

Aktualisht, Shkozeti vazhdon të zhvillohet në mënyrë krejt kaotike pasi nuk ka një plan studimi urban. Veç banesave të ngritura përpara  vitit ‘90, të tjera kanë vazhduar të ndërtohen, por në këtë rajon ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe një numër jo i pakët subjektesh  private. Ka mbi 20 vjet që disa ish-fabrika, të cilat shtrihen një territor prej 10 ha vazhdojnë të paraqesin një realitet jo normal, që ndotin mjedisin dhe përbëjnë rrezik për fëmijët. Në bashki, askush nuk është në gjendje të japë sqarime se përse i gjithë ky territor nuk  përdoret nga shteti për investime publike. Të gjitha këto probleme do të merrnin zgjidhje nëse për Shkozetin do të kishte një studim urban, i cili të kishte edhe miratimin e KRRTRSH, pasi mjaft prej ish objekteve industriale janë pronë e qeverisë.