Zhduken reliket prej ari nga Banka

1715
Sigal

Ngarkesat u sollën nga Tunelet e Skraparit. Misteret e grupit 7 vetësh që bënë inventarizimin në Kërrabë. Pritet nisja e hetimeve

Deklarimi i Fullanit se, ‘në Thesar në tunelet e Linzës nuk është vjedhur ndonjë sasi e madhe parash’, duket se është tepër i saktë përballë një grabitjeje tjetër mafioze floriri në tunelet e rezervave në Kërrabë 21 vite më parë. Nuk bëhet fjalë për atë grabitje për të cilën u dënuan disa fshatarë të Kërrabës, të cilët gjetën 2-3 ‘gjela’ të rëna nga baulet e shpuara të grabitësve mafiozë të shtetit, por një grabitje tjetër, e cila me përkujdesjen shtetërore, është mundur të mbahet ‘Top-sekret’ për 23 vite. Më konkretisht, bëhet fjalë për grabitjen e ndodhur në vitin 1993, kohë në të cilën rezerva ari, me makina ushtrie, u transferuan nga tunelet e Skraparit për në tunelet e Kërrabës. “Janë qindra kilogram flori i materializuar në vepra arti që ruheshin në tunelet e Skraparit që erdhën në Kërrabë dhe rezultojnë të zhdukura. Konkretisht kanë qenë kryqe floriri të marra nga kishat, lugë floriri, gdhendje ari, argjendi, bronzi e serme  në vepra arti, të cilat ishin në inventarin e monizmit dhe tashmë nuk janë. Përveçse vlerës së tyre si flori (ishin  24 karat), ata ishin vepra të rralla arti e historike, shumica qindravjeçare, por që nuk dihet se ku përfunduan. Në vend të tyre, në peshë mund të jetë vënë flori lingotë apo në forma të tjera, 12 apo 14 karat. Nëse vlera reale e kësaj grabitjeje përllogaritet, do të rezultojë shumë herë më e madhe se grabitja e rreth 46 milionë eurove në Bankën e Fullanit.  Për këtë, ka pasur dikur dhe një inventarizim me vendim Parlamenti, por inventarizuesit e kësaj pasurie 21 vite më parë ose janë bërë pjesë e rangjeve të larta të pushteteve, ose janë zhdukur…”, -konfirmojnë burime të rezervuara “Telegraf”  nga Banka e Shqipërisë.

TRANSFERIMI NGA SKRAPARI

Historia nis që nga tunelet e rezervave në Skrapar, ku ruhej thesari (floriri, etj..) në monizëm, nga ku, në qeverisjen e parë të së djathtës, kur Sali Berisha ishte President, u transferua në tunelet e Kërrabës, ku ishin Rezervat e Shtetit. Transferimi i Thesarit nga Skrapari në Kërrabë, kujtohet nga dëshmitarë të kohës dhe ushtarakë që kryen këtë operacion. “Ishte urdhër i dhënë nga lart, e për zbatim, u angazhuan makina të ushtrisë. Një karvan makinash ushtarake, pasi ngarkuan arkat me flori e thesar (përfshi veprat e artit…), me masa sigurie e në mënyrë sekrete, arritën deri në Berat. Këtu, drejtuesit e automjeteve, pra shoferët, shoqëruesit dhe të gjithë ata që kryen këtë pjesë të operacionit, u zëvendësuan me të tjerë. Kjo, për shkak të sekretit, që mos mësohej destinacioni i mallit.  Kështu, në formë zinxhiri, vazhduan ndërresat e personave në operacion, derisa të fundit, më të besuarit, e shkarkuan në Kërrabë”- shton burimi i mësipërm.

INVENTARIZIMI I THESARIT

Pikërisht, këtu në Kërrabë, nis dhe projekti i megaskandalit që është mbajtur fshehur për shumë vite… “… Pas ardhjes së ngarkesave nga tunelet e Skraparit, nisi inventarizimi. Me vendim të posaçëm, u ngarkua për inventarizim një grup i përbërë nga 7 persona të qeverisë dhe Parlamentit. Komisioni i inventarizimit kryesohej nga V.D., funksionari i lartë i kohës. Në përbërje të këtij grupi ishin përfaqësues nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme. U punua një vit e ca me inventarizimin, në kushte sekreti e sigurie. Në fund, inventarizuesve iu kërkua që të firmosnin një deklaratë përgjegjësie që nuk do të nxirrnin asnjë sekret, asnjë detaj të punës, inventarizimit, objekteve dhe çfarë kishin parë në thesar.  Kështu u bë. Kjo ka ndodhur në vitin 1973…”,- shtojnë burimet e mësipërme.

Po çfarë ndodhi më pas qoftë me reliket e florinjta, sermaje, shpata me zbukurime qindravjeçare, enë e relike të shtrenjta?! Po me inventarizuesit? Burimet e mësipërme thonë se, “që të gjithë pjesëmarrësit në inventarizim, janë kërcënuar, janë ulur nga detyrat e larta” dhe janë mbajtur apo mbahen nën vëzhgim. “Dikush ka pësuar aksident të rëndë automobilistik, që nuk është zbardhur, dikush tjetër është shpërblyer e ka heshtur. Ndërsa vlerat e objekteve me minerale të rralla, në miliona euro sot, janë zhdukur”,- shton burimi.

FATURA E SKANDALIT

Megaskandali (i cili kërkon angazhim serioz të shtetit për t’u zbardhur), sipas specialistëve, është shoqëruar dhe me debate dhe në sferat më të larta të pushtetit. “Në një debat mes Pjetër Arbnorit e Topallit, janë përmendur akuzat ‘për zhdukjen e floririt në Kërrabë në vitin 1993’, por gjithçka, siç ndodh në grabitjet me suport shtetëror, mbeti me kaq”- shtojnë burimet e mësipërme… Shtohet gjithashtu, se vetëm vlera e objekteve të arta, është mbi 400 kilogram. “Vetëm cilësia e floririt që thuhet se janë zëvendësuar, e rrit vlerën si metal në 2-3 herë. Shto këtu dhe vlerën historike të objekteve të arta, krahasuar me kursin e sotëm, është miliona dollarë, ose shumë herë se sa vlera e grabitjes së fundit në Bankën Shqiptare”,-vazhdon i njëjti burim. Po çfarë duhet bërë?. Është detyra e strukturave të shtetit që të hedhin dritë mbi këtë megaskandal të shumë viteve më parë…