Zgjerohet lista e të falimentuarve, kriza “shuan” mbi 4600 biznese

126
Sigal

Falimenti erdhi si pasojë e krizës së rritjes së çmimeve dhe rrjedhimisht e rritjes së kostove të biznesit. Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër arsye që po shkakton probleme mbi funksionimin normal të sipërmarrjeve.

Viti 2023 ka nisur me një numër të lartë të bizneseve, të cilat kanë ndërprerë aktivitetin e tyre. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të përpunuara nga SCAN përgjatë periudhës janar deri më 15 maj 2023, në total 4668 subjekte kanë kaluar në status pasiv.

Në një treg të lirë hapja dhe mbyllja e bizneseve është një fenomen normal, por shifra e lartë e muajve të parë të vitit mund të vijë si pasojë e krizës së rritjes së çmimeve përgjatë vitit që kaloi dhe në vazhdim dhe rrjedhimisht e rritje së kostove të biznesit.

Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër arsye që po shkakton probleme mbi funksionimin normal të sipërmarrjeve. E ndarë sipas Drejtorive Rajonale, vihet re se Tirana zë vendin e parë për numrin e subjekteve të transferuara nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, me 2101 të tilla.

Lista vijon kryesisht me qarqet e mëdha, si Durrësi, Fieri, Vlora, Elbasani, Shkodra dhe Korça. Ndërsa me më pak subjekte të “shuara”, rezulton Dibra dhe Kukësi, të cilat konsiderohen edhe si qarqe me zhvillim të pakët ekonomik.

Sipas legjislacionit në fuqi, një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; apo deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore.

Në regjistër janë të pasqyruara të gjitha bizneset që nga viti 1991 e më tej, që kanë marrë status pasiv. Numri total i subjekteve të listuara aktualisht arrin në rreth 147 mijë. Qëllimi i publikimit të kësaj liste është që të vihen në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv. “Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj”.