Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme do të shqyrtojë dokumentacionet e dorëzuara nga partitë politike për zgjedhjet e 14 majit. Në rendin e ditës nuk janë të përfshira partitë kryesore, por ato subjekte, të cilat nuk kanë peshë në elektorat, por që gjithsesi kanë shprehur interes për të garuar në zgjedhjet vendore.
Janë rreth 50 parti që kanë shprehur interes për tu regjistruar, ndërkohë dita e nesërme është dita më e nxehtë, pasi KQZ-ja pritet të shqyrtojë dokumentacionet e Partisë Demokratike.
Kujtojmë se më 3 mars, Gjykata e Apelit vendosi të rrëzojë “Rithemelimin” e Sali Berishës duke e kthyer çështjen sërish në Shkallën e Parë. Gjithsesi, përfaqësuesit ligjor të PD-së zyrtare, por dhe grupi i Sali Berishës kanë dorëzuar dokumentet në KQZ.
Vetë kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi është shprehur se vendimi do të bazohet mbi dokumentet, që grupimet kanë dorëzuar dhe mbi bazën e kësaj do të bëhet regjistrimi i PD-së zyrtare në zgjedhjet vendore.