Zbulohet rrjeti/ Tentuan të trafikonin drejt Francës një 26 vjeçare, pranga polices së Rinasit dhe dy të tjerëve

500
Sigal

Tre persona janë arrestuar nga policia, pasi po tentonin që të çonin një 26-vjeçare nga Librazhdi për prostitucion në Francë.

Policia bën me dije se ka arrestuar dy të rijnë, të cilët i kishin premtuar 26-vjeçares se do shkonte për punë në Francë, por personi që e priste do ta shfrytëzonte për prostitucion.

Në pranga ka rënë edhe një oficere policie në Rinas, pasi ka ndihmuar në kalimin e vajzës në pikën kufitare.

Njoftimi i policisë:

Operacioni nga Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me SH.Ç.B.A.

Goditet një rast i tentativës për trafikim të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion.

Në pranga dy shtetas, si dhe një punonjëse e Policisë Kufitare Rinas.

Shpallet në kërkim shtetasi që do të priste shtetasen e mashtruar për ta shfrytëzuar për prostitucion në Francë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “TRANZIT”, ku u bë e mundur arrestimi i shtetasve:

– A.K.,29 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

– A. Ç., 26 vjeç, lindur dhe banues në Librazhd.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas kanë tentuar të trafikojnë drejt Francës me qëllim shfrytëzimi për prostitucion një shtetase 26-vjeçare, të cilën do ta priste në Francë shtetasi K. B., 33 vjeç, pasi ky shtetas dyshohet se do të shfrytëzonte për prostitucion.

Shtetasi K.B, është shpallur në kërkim dhe në bashkëpunim me Policinë Franceze po punohet për kapjen e tij.

Po në kuadër të këtij operacioni në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë u bë arrestimi në flagrancë edhe i shtetases F. K., 30 vjeçe, me detyrë kontrollore pranë Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas Tiranë.

Kjo shtetase dyshohet se me veprimet e saj kundrejt ryshfetit dyshohet të ketë ndihmuar dhe lehtësuar procedurat e kalimit deri në zonën tranzit të Rinasit për shtetasen 26-vjeçare.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Trafikim i personave”,”Shfrytëzimit të prostitucionit”,“Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.