Zbardhen emrat e parë, kush janë të arrestuarit për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës

239
Sigal

Shtatë masa arrest me burg dhe dy arrest në shtëpi janë dhënë në mungesë të Dielën e 26 Marsit nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të prokurorisë, lidhur me çështjen e inceneratorëve.

Mes emrave të listuar në vendimin e gjyqtares Irena Gjoka është ai i ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Koka është arrestuar më herët dhe ndodhet në qeli, sipas një vendimi të mëparshëm po të gjykatës së Posaçme, lidhur me atë që është cilësuar “afera e inceneratorëve”.

Arrest me burg është vendosur dhe për Klodian Zoton, pronari i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, të shpallur më herët në kërkim.

Një tjetër emër është ai i Pëllumb Abeshit – që ka mbajtur postimin e Drejtorit të Përgjithshëm i Politikave Mjedisore dhe Jetësimit të Prioriteteve në Ministrinë e Mjedisit. Po ashtu, ka qenë kryetar i Komisionit për Dhënien e Koncesionit për inceneratorin e Elbasanit (me objekt “Ndërtim dhe administrim i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan për prodhimin e energjisë”).

Florian Muçajt, anëtar i Komisionit të vlerësimit të ofertave për inceneratorin e Fierit, është po ashtu në listë. Po ashtu edhe Erion Murataj, anëtar i Komisioni të Prokurimit për inceneratorin e Tiranës.

Ndaj Arenc Myrtezanit, ish-administrator i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Fierit – “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” – është caktuar po ashtu masa e arrestit me burg.

Në arrest shtëpie janë lënë Sabina Cenameri, ish-anëtare të komisionit për prokurimin për inceneratorin e Fierit dhe Etleva Kondi ish- anëtare Komisionit të Prokurimit për Inceneratorin e Elbasanit.

Masat dhe akuzat

Lefter Koka – arrest në burg, i dyshuar: për kryerjen e veprave penale  “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Pëllumb Abeshi – “arrest në burg”, i dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Azem Shatëri- “arrest në burg”,  i dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Florjan Muçaj, “arrest në burg”, i dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Erjon Murataj – “arrest në burg”, i dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Klodian Zoto – “arrest në burg”, i dyshuar: për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Arenc Myrtezani – “arrest në burg”, i dyshuar: për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Sabina Cenameri, – “arrest në shtëpi”, e dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Etleva Kondi – “arrest në shtëpi”, e dyshuar: për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.