Genc Pollo: Kultura e dialogut si përpjekje permanente

259
Sigal

“Ne mund të dialogojmë por jo të negociojmë” përsëriste vazhdimisht ministri i brendshëm Sandër Lleshaj në pranverë 2017 duke e bërë të qartë se fliste në emër të qeverisë e të kryeministrit. Opozita kishte braktisur parlamentin për të protestuar kundër mpleksjes së qeverisë me krimin e organizuar dhe instrumentalizimin e këtij të fundit nga partia në pushtet për të ndikuar votuesit në favor të saj. Ajo  që kuptohej nga deklarata e ministrit ishte se mund të uleshin në tryezë me opozotën për të bërë muhabet. Por jo për të vepruar në përgjigje të shqetësimeve e të pretendimeve të opozitës.

Po të googllosh fjalën dialogue mund të gjesh një duzinë përkufizimesh të dialogut. Por fjalia e ministrit shkëlqen si një shembull i asaj çfarë nuk është dialogu.

Dialogu i mirëfilltë të çon përmes kompromisit, ku palët bëjnë lëshime, në marrëveshje;  atëhere mos-dialogu është shprehje e vullnetit për të mos bërë lëshime, për të mos rënë në kompromis e për të mos arritur marrëveshje. Natyrisht gjithkush me të drejtë mund të thotë se lëshimet lipset të jenë të arsyeshme dhe kompromisi duhet të mbetet parimor. Patjetër por kjo nuk është dhe aq çështja. Problemi që hasim më shpesh është mungesa e vullnetit për të konsideruar interesat e pikëpamjet e tjetrit. Kur ky tjetër sidomos është një kundërshtar apo rival. Edhe kur këto interesa janë legjitime apo edhe kur pikëpamjet janë të bazuara e të arsyeshme.

Mungesa e dialogut të mirëfilltë si dhe e sensit të kompromisit në shoqëritë post komuniste ka qenë objekt debati intensiv që në fillim të viteve 90. Studjues e intelektuale e shpjegonin me pikëpamjen e rrënjosur në komunizëm se kompromisi është diçka negative; diçka dekadente e lidhur me rendin borgjez. Në esencën e vet totalitare komunizmi nuk mund të kishte hapësirë për ide të tjera e të ndryshme e aq më pak për interesa të tilla. Rendi i ri shoqëror bazohej në mohimin absolut të rendit të shkuar (borgjezo-demokratik apo borgjezo-autoritar) si dhe në pohimin e idesë unike të socializmit shkencor të realizuar përmes diktaturës së proletariatit dhe pushtetit ekskluziv të partisë komuniste si garant i këtij realizimi. Në kushtetutën e aprovuar nga Shqipëria komuniste në v. 70 madje thuhej shprehimisht se pushteti politik i përkiste në mënyrë të pandashme kësaj partie.

Hijet e një mentaliteti të kultivuar prej dekadash  me këtë ideologji totalitare ishte e pamundur të mos ndiheshin në fillimet e demokracisë. Ndryshimi i regjimit fillimisht solli një paradigë të re politike ku forcat demokratike të themeluara rishtas dhe të ardhura në pushtet përmes lëvizjes popullore dhe shpesh përmes votimeve plebishitare me të drejtë e shihnin vetveten si të legjitmuara demokratikisht. Ndërsa partia komuniste ishte e diskredituar nga dekadat e regjimit opresiv dhe mjerimi ekonomik. Ky ishte rasti i Shqipërisë dhe i disa shteteve të tjera. Por pati edhe shtete ku partia komuniste e ruajti pushtetin duke adoptuar pluralizmin në sistemin politik dhe duke përqafuar socializmin demokratik.

Në të tëra rastet mungesa e dialogut politik të mirëfilltë ishte e pranishme në jetën e vendit po ashtu si pagadishmëria për kompromise politike të arsyeshme. Si pasojë kemi rritjen e tensionit politik. Ai shprehej me bojkotime të institucioneve përfshi parlamentin e me tubime protesta në rrugë që ndonjëherë agravoheshin me dhunë. Në raste ekstreme ka patur edhe bojkotim të zgjedhjeve nga partitë e opozitës.

Tentativat për të zgjidhur ngërçe të tilla janë orientuar në disa raste nga gjykatat, përfshi edhe gjykatën kushtetuese. Por gjyqësori shpesh ka qenë i ndikuar politikisht, sidomos nga partia në pushtet. Në këto kushte ai nuk ka mundur gjithmonë të japë zgjidhje paqëtuese në sensin që ishin a priori të pranushme nga palët. Tjetër adresë për të zgjidhur ngërçet ishin ndërkombëtarët. Në Shqipëri e në Ballkan roli i tyre mbidimensional është një lloj sëmundje foshnjore e demokracisë por që shfaqet periodikisht edhe sot e kësaj dite. Ndonëse sidomos në dekadat e para autoriteti i ndërkombëtarëve ishte i lartë në vijim ka jo pak  raste kur reputacioni i tyre edhe është dëmtuar për shkak të qëndrimeve të perceptuara si të njëanshme.

Duhet të pranojmë se për këto probleme nuk ka një zgjidhje deus ex machina. Ashtu si demokracia e të drejtat e njeriut janë një proces që zhvillohet përditë e madje edhe mbrohet përditë po kështu lipset të ndodhë me kulturën e dialogut. Shkolla është një institucion i rëndësishëm për ngjizjen e lulëzimin e saj. Por edhe familja  e shoqëria në tërësi duhet të luajnë një rol. Me durim e qëndrueshmëri; si në vrapimin në distancë gjatë.