(Përkujtimore për 70 vjetorin e vdekjes)
Bajram Ligu (Prongjia) ka lindur në vitin 1880 në fshatin Prongji të rrethit Gjirokastër në një familje të varfër por atdhetare, i ndarë nga jeta 70 vjet më parë, në muajin tetor 1943. Në memorien historike të kombit njihet si atentatori i Bimbashit turk në fundin e muajit shkurt të vitit 1908 në lagjen Hazmurat të qytetit të Gjirokastrës. Aksion ky i kryer së bashku me Hito Labin (Habili), luftëtar i çetës patriotike të Çerciz Topullit.
Vrasja e Bimbashit ishte vendosur nga Komiteti kryengritës për paudhësitë e shumta, bastisjeve që bënte në popull, gjobave të rënda ndaj tregtarëve etj. Për këtë aksion ngarkoi çetën patriotike të Çërçiz Topullit, që në atë kohë strehohej në Manastirin e Dropullit. Ky aksion në fillim ju ngarkua luftëtarëve Hajredin Tremishti dhe Asllan Starja, për ta kryer në 23 Shkurt 1908, ditën e djelë, por nuk u realizua sepse Bimbashi nuk u doli në pritë. Kështu Çerçizi vendosi që këtë aksion ta kryenin Barjam Prongjia e Hito Labi më 24 shkurt, ditën e hënë, meqenëse ishte ditë pazari. Për këtë urdhëroi që çeta të shkonte në Gjirokastër që të siguronin mbështetjen e tyre. Sipas planit të dy trimat u veshën si tregtarë dhe u pozicionuan në rrugën e kalldrëmtë të lagjes Hazmurat që të nxirrte në qendër nga ku kalonte Bimbashi. Kështu rreth orës 11 paradite u krye ky aksion dhe urdhri ishte i prerë që fillimisht të paralizohej roja i tij, të cilin e qëlloi në dorë Hito, ndërsa Barjami qëlloi mbi Bimbashin 3 plumba, të cilin e rrëzoi përdhe. Mbas aksionit vazhduan rrugën që të çonte në dalje të qytetit ku luftëtarët e çetës ishin zënë pozicionet për t’i mbrojtur dhe luftimet vazhduan për 2 orë. Në vendin e kryerjes së këtij atentati është ngritur një lapidar që përjetëson këtë aksion. Këtë ngjarje e përshkruan me hollësi Mihal Grameno në librin “Kryengritjet Shqiptare” duke nënvizuar edhe një hollësi që Barjamin e mori në krahë vetë Çerçizi pasi nga vrapimi u bllokua nga azma dhe u largua me shpejtësi. Ushtria turke i ndoqi këmba-këmbës, por luftëtarët pasi arritën në fshatin Mashkullorë u strehuan në shtëpinë e Shahe Haskës, i vëllai i luftëtarit të çetës Zeman Haska (Mashkullora) sepse Çerçizin e kishin djalin e tezes së tyre. Mandej vazhduan rrugën nëpërmjet Malit të Gjerë dhe kaluan në anën tjetër në fshatin Prongji, ku siguria ishte me e madhe dhe Brajami ishte nga ky fshat dhe kushëriri i tij Riza Ligu, ishte mik i ngushtë i Çerçizit. Çeta qëndroi disa kohë në Prongji në një shpellë, që njihet edhe sot si shpella e Çerçizit, ku Barjami se bashku me bashkëfshatarin e tij Majko Llurin u çonin ushqimin që siguronin nëpër shtëpitë e fshatit. Turqit e zbuluan që çeta strehohej në Prongji dhe bënë disa tentativa që t’i kapnin por nuk i kapën dot. Vrasja e Bimbashit turk pati jehonë të madhe në popull dhe nxiti dëshirën e të rinjve që t’i bashkoheshin çetës në luftimet që u zhvilluan në fshatrat e krahinës së Kardhiqit. Këtë ngjarje populli e ka përjetësuar në vargjet: Doli Shkurti hyri marsi/ Në Gjirokastër u vra Bimbashi/ Të vranë o Bimbbash të vranë/ Barjami me Hito Labë. Bajrami si luftëtar aktiv i kësaj çetë ka marrë pjesë në të gjitha aksionet e zhvilluara si në Gjirokastër, Sarandë, Delvinë dhe në fshatrat e bregdetit Jon.
Veprimtarinë atdhetare Barjami e ka vazhduar edhe në vitet 1913-1914 kundër monarko fashistëve grekë që luftonin për të shkëputur Vorio-Epririn nga qeveria e Vlorës, ai ishte anëtar i lidhjes patriotike shqiptare. Në vitin 1913 u dyndën në tëre krahinën e Kardhiqit shumë andartë grekë. Në Prongji erdhën rreth 200 forca dhe grumbulluan burrat e fshatit në një livadh dhe kërkonin që të dorëzonin armët. Ata nuk pranuan dhe u rrahën barbarisht, ndërsa Barjamit i thyen dy brinjë, se e dinin që kishte qenë luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit. Fshatrat e tjerë i liruan ndërsa Barjamin e morën me vete në kalanë e Kardhiqit, ku ndodhej komanda e tyre, dhe vazhduan ta torturonin se mendonin që kishte marrë pjesë në vrasjen e dhespotit të Korçës në shtator 1906. Por ai nuk u dorëzua, qëndroi si trimat. Madje komandanti grek ishte shprehur: “Do ta bej me shenje Barjamin që të turpërohet me jetë e mot”, dhe i prenë veshin duke menduar se e poshtëruan atë. Pleqësia e fshatit u shqetësua për jetën e tij dhe mblodhën napolona flori dhe vendosën t’ia dërgonin komandantit grek. Me këtë detyrë ngarkuan patriotin Majko Lluri që njihej nga afër me Barjamin. Majko shkoi në Kardhiq, mori takim me komandantin dhe ju lut që ta lironin se ishte i sëmurë dhe në këmbim i dorëzoi qesen me flori. Mbas disa hezitimeve atë e liruan, por i kishin prerë veshin që i kullonte gjak dhe Majko e çoi të e ëma e tij Barjamja, që njihej si kuruese popullore, ku u mjekua dhe u shërua. Megjithëse kishte plagën në vesh ai e mbante kokën lart. Në librin me kujtime patrioti dhe miku i ngushtë i tij Gani Haloçi shkruan, “ai asnjëherë nuk e mbulonte veshin e prerë, ajo plagë në vend që ta shëmtonte ja zbukuronte më shumë fytyrën dhe ja rriste më shumë trimërinë. Kur e pyesnin për të Barjami thoshte, “shenja e plagës së hasmit nuk fshihet”. Aktivitetin atdhetar e vazhdoi dhe nuk njohu kthim mbrapa me gjithë peripecitë e shumta familjare që kishte kaluar. Ka marrë pjesë aktive në luftën e Vlorës në 1920 si pjesëtarë i çetës me luftëtarë nga fshati dhe gjatë luftimeve ka qenë në krahë të Selam Musait. Gjithashtu ka mbështetur qeverinë demokratike të Fan Nolit në vitin 1924. Për të gjitha këto, njerëzit e thjeshtë në tërë krahinën dhe në fshatin e tij e konsideronin si njeri të shenjtë. Vlerat si patriot e atdhetarë i vendosur i tregoi edhe ne 7 prill 1979 kur vendi u pushtua nga Italia Fashiste, që megjithëse i moshuar, ju bashkua çetës së fshatit dhe shkuan për të luftuar në Sarandë. Pas pushtimit fashist të vendit gjendja ekonomike e tij u përkeqësua më shumë, dy fëmijë i vdiqën nga sëmundjet dhe uria dhe vetë u detyrua të punonte si hyzmeqarë tek bejlerët në fshatin Mavopull të Delvinës. Nga vuajtjet që kishte kaluar dhe sëmundja e azmës së tij nuk arriti të mbijetonte dhe në vitin 1943 u nda nga jeta tragjikisht, i vetëm në një fshat të huaj dhe i varrosur në një rrënjë ulliri pranë shkollës së këtij fshati. Varrimi i tij u bë nga bashkëfshatari i tij Gani Haloçi dhe kushëriri Refat Ligu sepse nuk e pranonin në varrezat e fshatit se ishin ortodoks. Prongjiotasit nuk e lanë në harresë këtë patriot të madh dhe eshtrat e tij i tërhoqën nga vendi ku ishte varrosur. Patrioti Gani Haloçi para se të ndahej nga jeta i la porosi të veçantë nipit të tij Ajaz Bala, që punonte pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit Gjirokastër, për t’i tërhequr eshtrat e tij duke i treguar dhe vendin konkret. Ajazi e çoi në vend porosinë dhe sëbashku me Engjëll Finon, ish-gazetar e telekronist i televizionit shtetëror në atë kohë për qytetin e Gjirokastrës, shkuan në fshat, gjetën vendin e varrimit duke u ndihmuar nga drejtori i shkollës dhe nxënësit e tij. Nxorën eshtrat dhe i paketuan në një çantë. Madje drejtoria e shkollës organizoi edhe një ceremoni, ku vlerësuan aktivitetin e këtij patrioti të madh. Për arsye të pashpjegueshme nuk u pranua në atë kohë që eshtrat e tij të varroseshin tek Rilindësit. Më vonë u organizua ceremonia e varrimit në një parcelë të veçantë në varrezat e qytetit të Gjirokastrës. Traditën patriotike dhe idealet e babait të tyre i vazhduan dhe tre djemtë e tij, Nebi e Musereti, të cilët morën pjesë në LANÇ për çlirimin e vendit nga pushtuesit, ndërsa djali i vogël Dashua u vra pabesisht në Mars 1947, gjatë kryerjes së detyrës si oficer në divizionin ushtarak të Delvinës i shpallur Dëshmorë i Atdheut. Me tërë këtë aktivitet atdhetar e patriotik në shërbim të çështjes së lirisë e pavarësisë së atdheut nuk u vlerësua asnjëherë realisht, por u la në harresë. Si në 100-vjetorin e kryerjes së këtij aksioni në vitin 1908, ashtu dhe në atë të luftës së Mashkullorës dhe as në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Me interesimin dhe përpjekjet e vazhdueshme të disa atdhetarëve Prongjotas, i vetmi vlerësim për të është bërë më Tetor të vitit 2006 nga Kryetari dhe Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës ditën e promovimit të librit mbi historikun e fshatit “Prongjia dhe njerëzit e saj” shkruar nga Xhevat Lluri, ku ish-kryetari i këshillit Resul Llogo i dha titullin “Nder i qarkut”. Në 70-vjetorin e vdekjes së këtij burri trim dhe atdhetarë, u drejtohem edhe një herë strukturave të shtetit, këshillit të Qarkut Gjirokastër dhe Presidentit të Republikës për të ndërmarrë hapa konkrete për vlerësimin e figurës së tij. Kur akoma ka gjallë vajzën e tij të vetme, Zilikën dhe nipër e mbesa të tij, për ta ndierë veten krenarë për aktivitetin e babait dhe gjyshit të tyre