Vrasja makabre e Jak Prengës në resortin luksoz, 5 autorët e arrestuar kërkojnë lirinë

358
Sigal

Ka nisur seanca në Gjykatën e Apelit në Tiranë për 5 autorët e arrestuar për rrëmbimin dhe vrasjen e 49 vjeçarit Jak Prenga në resortin luksoz ‘Golden’ në Durrës që është në pronësi të Hajrajve.

Mësohet se 5 të arrestuarit kanëapeluar masën arrest me burg dhe kërkojnë lirimin e tyre.

Kujtojmë se para disa ditësh gjykata ka dhënë masën arrest me burg për 5 autorët e vrasjes makabre, të filmuar në garazhin e resortit luksoz ‘Golden’ teksa masakruan viktimën dhe ata janë; Bajram Hajri, Elton Hajri, Leonard Hajri (të tre vëllezër), Olsi Turja dhe Festim Bezhdili, të cilët janë pjesë e bandës që ka kryer ekzekutimin e 49 vjeçarit.

Këta persona akuzohen për “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, “Fshehje ose asgjësim i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahje e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Jak Prenga u rrëmbye në 17 janar në mes të Kamzës dhe më pas u rrah për vdekje në kompleksin “Golden”, në Shijak pasi vëllai i viktimës Astrit Prenga i cili ishte korrier i një grupi kriminal, nuk ka dorëzuar në Angli me porosi të tyre 243 kilogram kokainë.

Pasi sasia e kokainës nuk është dorëzuar në destinacionin e kërkuar, vëllezërit Hajri në shenjë hakmarrje kanë marrë peng vëllain e korrierit Jak Prengën, trupi i të cilit nuk është gjetur ende.

Sipas informacioneve vëllezërit Hajri kanë qenë thjesht ekzekutuesit e një porosie që vinte nga tjetërkush. Dhe bëhet fjalë për 4 porositës, 3 shkodranë dhe një vlonjat. Një prej tyre është vlonjati me dy emra, Gramoz (Dritan) Rexhepi, personazhi më i fuqishëm i botës së krimit në Vlorë dhe me një ‘Cv’ të pasur aktiviteti që shtrihet nga vendet e Bashkimit Europian (Holanda, Italia, Spanja, Belgjika), deri në Ekuador.