Vrasja e rojës së sigurisë së “Top Channel”/ Meta: Edhe sot krimi e mori një jetë…

107
Sigal

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shpreh ngushëllime, duke u bashkuar me dhimbjen e familjes së rojës së sigurisë Pal Kola, i cili humbi tragjikisht jetën mbrëmjen e djeshme pas disa të shtënave me armë zjarri

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meta mban përgjegjës qeverinë për ngjarjet e fundit kriminale në vend, duke theksuar se viktimat e krimeve nuk janë të largët dhe të panjohur, ata janë njerëzit tanë.

“Edhe sot krimi e mori një jetë. Një jetë të pafajshme, të një punëtori. Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë.

Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë.

Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve.

Dhe do të marrë fund, shumë shpejt!”- shkruan Meta.

Top Channel është përballur me një situatë të rëndë në orët e para të mëngjesit të së hënës, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës, duke lënë të vdekur rojen e sigurisë, Pal Kola. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.

Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.

Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.