Vrasja e Klodian Rashës / Qytetarët ngrihen në protestë në Shkodër

271
Sigal

Qytetarë dhe aktivistë marshuam të martën në mbrëmje në Shkodër pas orës 22.00, në shenjë proteste për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha në Tiranë. Protesta u organizua qëllimisht pas orës së ndalim qarkullimit, pasi policia njoftoi se Rasha ishte qëlluar pasi kishte refuzuar një urdhër ndalimi të policisë, që është lidhur me shkeljen prej tij të orareve të lëvizjes.

Protestuesit u grumbullua në qendër të qytetit, në sheshin mes përmendoreve të Nënë Terezës dhe Luigj Gurakuqi, ndërsa disa prej tyre mbanin qirinj në duar. Më pas ata marshuan drejt pedonales.

Edhe pse gjatë kohës që ishte njoftuar protesta kishte reshje shiu në protestë morën pjesë dhjeytra qytetarë që ndaluan tek Prefektura e Qarkut Shkodër, në derën e së cilës kanë vendosur qirinj të ndezur.

Protesta ka qenë simbolike dhe askush nuk ka folur ndërsa organizatorët thanë se ata donin të përcillnin mesazhin se thyerja e orarit policor nuk mund të bëhet shkak për veprime ekstreme të policisë.

Ndërkohë edhe policia, ndryshe nga protesta të ngjashme që janë shpërndarë për shkak të ndalesave nga COVID-19, nuk ka ndërhyrë  dhe i ka ndjekur lëvizjet e protestuesve nga larg.

Rasha u qëllua nga një oficer policie pak metra larg shtëpisë së tij, pasi ishte larguar me vrap policisë që e ndiqte. Oficeri i policisë që qëlloi u arrestua mesditën e të martës, ndërsa akuzohet “për vrasje në tejkalim të vetëmbrojtjes”. Shërbimi për Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Brendshme njotoi se përdorimi i armës nga policia ishte në shkelje të ligjit, ndërsa në njoftim iu kërkua ndjesë familjes së viktimës. Policia fillimisht pretendoi se Rasha kishte qenë i armatosur, por familjarët e tij kundërshtuan këtë pretendim.