Kur kanë kaluar disa muaj nga vdekja e shtetases keniane, Joy Ayoko, Policia e Shtetit ka nisur një aksion sot në Tiranë.
Katër banesa janë kontrolluar dhe gjashtë persona janë shoqëruar në Komisariat për të dëshmuar edhe njëherë lidhur me vdekjen e 22-vjeçares.
Nga të shoqëruarit, është marrë edhe shoferi i kazinosë, Rodi Braçi, por gjithashtu në pyetje marrë dhe i vëllai. Kjo pasi nga zbërthimi i telefonit të të resë, u zbulua se personi i fundit që ka komunikuar me të ishte shoferi i kazinosë ku ajo punonte.
Joy Ayoko u gjet e rrëzuar nga kati i tretë i banesës ku jetonte me qira, pranë vilave gjermane në gusht të vitit 2022. Ajo shtrua në spitalin e Traumës më datë 14 gusht 2022.
22-vjeçarja i mbijetoi fillimisht plagëve të marra, por një dëmtim në tru e la në gjendje vegjetative.
Pas disa muajsh, ajo u kthye në Kenia bashkë me të ëmën, ku edhe ndërroi jetë. Ndërkohë, Policia e Shtetit nuk ka vendosur në pranga asnjë person për sulmin makabër ndaj të resë.