Vrasja e Arben Lleshit në qeli, lirohen policët e burgut të Peqinit

21
Sigal

Policët e burgut të Peqinit që ishin arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të muajit dhjetor 2023, ku në qelinë e këtij burgu u vra Arben Leshi nga Sokol Mjacaj, janë lënë të lirë.

Vendimi për t’i liruar është marrë nga Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm.

Kujtojmë se në lidhje me ngjarjen e rëndë ishin ndaluar 12 zyrtarë, mes tyre drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha dhe tre shefa policie në këtë IEVP, të cilët akuzoheshin për shpërdorim detyre.

Vrasja e Arben Lleshit në qelinë e burgut të Peqinit:

Ekzekutimi i të dënuarit përjetë, Arben Lleshi, në burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin ka shokuar opinionin publik. Ngjarja e rëndë vjen pak ditë pasi jo pak herë erdhën sinjale nga ky burg për protesta dhe kërcënime me greva urie për shkak të kushteve jo të mira që kanë të burgosurit në atë vend të vuajtjes së dënimit.

Ekzekutimi është bërë në mënyrë mafioze, ndërsa ende mbetet mister mënyra se si është futur arma brenda atij burgu.

Vrasja dyshohet se është e mirëmenduar dhe e urdhëruar nga jashtë, për qëllime hakmarrjeje.

Lleshi u dënua me burgim të përjetshëm nga autoritet angleze për vrasjen e Agim Hoxhës në vitin 2012, trupi i të cilit u gjet i djegur brenda një automjeti.

Pas kësaj ngjarjeje, nisi saga e vrasjeve dhe eliminimeve në fisin Lleshi.

Në vitin 2013 u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi, xhaxhai i Arben Lleshit.

Më pas në vitin 2016 u vra Hajredin Lleshi në fshatin e lindjes në Burrel, i cili është vëllai i Xhavitit dhe xhaxhai tjetër i viktimës së sotme Arben Lleshi.

Ndërkohë në vitin 2017 u zhduk pa gjurmë Artan Lleshi, djali i Hajredinit, i cili nuk është gjendur sot e kësaj dite. Të njëjtin fat pati edhe Klevis Lleshi, i cili u zhduk në vitin 2020 dhe eshtrat e tij u gjetën në pronën e dajave të viktimës së shkaktuar nga Arben Lleshi në Angli, Agim Hoxha.

Me vrasjen e Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj bilanci i vrasjeve në familjen Lleshi arrin në 4 të vrarë dhe një tjetër person që është zhdukur pa gjurmë.