Vodhi paratë e sekuestruara, oficeri i forcës speciale pezullohet nga detyra

234
Sigal

Një punonjës policie i forcës speciale ‘Enfast’ është pezulluar nga detyra, pasi dyshohet se ka vjedhur paratë e sekuestruara në kuadër të një hetimi.

Edhe pse vepra penale është e rëndë dhe nëse do të ishte kryer nga një qytetar, ai do të ishte arrestuar, por për oficerin e policisë është vendosur vetëm pezullimi nga detyra.

Hetimi është kryer nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Vjedhja e 5.5 milionë lekëve ka ndodhur në vitin 2016.

Njoftimi i SHÇBA-së:

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në zbatim të Urdhrit të Prokurorit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues, ‘Pezullim i një detyre a funksioni publik’ në ngarkim të punonjësit të Policisë, N/Komisar K.C., me detyrë specialist pranë Njësisë së Posaçme Operacionale ‘Enfast’, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ai dyshohet për veprën penale ‘Vjedhje, duke shpërdoruar detyrën’.

Pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë, janë siguruar prova, të cilat krijojnë dyshim të arsyeshëm se ky punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës si specialist pranë Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vitin 2016, ka keqpërdorur atributet dhe kompetencat e Policisë Gjyqësore, me qëllim përvetësimin për shpenzime personale të një shume të konsiderueshme parash, me vlerë 5.5 milion lekë.

Shuma monetare ishte e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në kuadër të një procedimit penal. Është e provuar se punonjësi i policisë, me dashje nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Procedurës Penale për dispononim e provës materiale mbi  kthimin e sendeve, pronarëve të ligjshëm, të cilëve iu ishin sekuestruar në kuadër të hetimit. Po ashtu, ky punonjës policie nuk ka përmbushur detyrimet për zbatimin e vendimit të gjykatës për kthimin e sendeve të sekuestruara, e për pasojë ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit dhe shtetasve. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.