Vizita e James Bejker, Elez Biberaj: Mesazhi ka të njëjtën jehonë sot sa 30 vjet më parë

229
Sigal

Në 22 qershor të 1991, James Bejker, i cili mbante postin e Sekretarit amerikan të Shtetit, vizitoi Shqipërinë, një moment historik në atë kohë, pas 45 vitesh diktaturë. Kjo ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në vendin ku diktatura kishte shfaqur format e saj më çnjerëzore.

Vizita e Bejker u shoqërua me një nga mitingjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë, ku mijëra qytetarë me flamuj amerikanë në duar, për orë të tëra prisnin në sheshin Skënderbej, fjalimin disa minutësh të Sekretarit amerikan të Shtetit.

Sot pas 30 vitesh, kjo vizitë ka ende jehonë, ndërsa gazetari i njohur Elez Biberaj, shkruan se Sekretari amerikan i Shtetit, në fjalimin e tij tha: ‘Liria funksionon! Më në fund, ju jeni të lirë të mendoni mendimet tuaja. Më në fund, ju jeni të lirë të thoni atë që mendoni. Më në fund, ju jeni të lirë t’i zgjidhni vetë liderët tuaj. Më në fund, ju jeni të lirë të adhuroni në mënyrën tuaj… Mirë se vini në liri, qytetarë të lirë të Shqipërisë’!

Biberaj e mbyll postimin e tij me frazën se mesazhi i Bejker ka të njëjtën jehonë sot sa edhe 30 vjet më parë.

Postimi nga Elez Biberaj

‘Liria funksionon’

Në një vizitë historike në Tiranë, si sot 30 vjet më parë, më 22 qershor 1991, Sekretari amerikan i Shtetit James Bejker mirëpriti Shqipërinë në Botën e Lirë pas thuajse gjysmë shekulli diktaturë komuniste.

Në fjalimin para qindra mijëra shqiptarëve të mbledhur në Sheshin Skënderbej, Sekretari i Shtetit tha:

‘Liria funksionon! Më në fund, ju jeni të lirë të mendoni mendimet tuaja. Më në fund, ju jeni të lirë të thoni atë që mendoni. Më në fund, ju jeni të lirë t’i zgjidhni vetë liderët tuaj. Më në fund, ju jeni të lirë të adhuroni në mënyrën tuaj… Mirë se vini në liri, qytetarë të lirë të Shqipërisë’!

Bejker u bëri thirrje shqiptarëve të linin pas mbeturinat e komunizmit e të vendosnin një rend të ri politik që do të pasqyronte respekt të plotë për të drejtat e njeriut, demokratizimin e qeverisë, median e lirë e pluraliste, dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Mesazhi i Baker ka të njëjtën jehonë sot sa edhe 30 vjet më parë.