Vlerat e LANÇ-it janë të mëdha dhe të padiskutueshme

929
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Populli shqiptar bëri sakrifica të mëdha
Rreziku që kërcënonte njerëzimin ishte fashizmi italian, nazizmi gjerman, militarizmi japonez, të quajtur “Bosht”. Popujt paqedashës krijuan Aleancën Madhe Antifashiste me: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Bashkimin Sovjetik. Populli shqiptar, iu bashkua kësaj aleance. Të gjitha shtresat e popullit u përfshinë në Luftë. Nuk ishin vetëm 70.000 luftëtarët me armë në dorë, të cilët ishin pararoja, por dhe mijëra shqiptarë që luftuan në strukturat territoriale, si dhe të gjithë shqiptarët e varfër, e ndihmuan Luftën, ndaj dhe quhet lufta e popullit shqiptar.

Populli shqiptar në këtë luftë, bëri sakrifica të mëdha si njerëzore, ashtu dhe materiale. Populli i organizuar dhe i drejtuara nga Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar përmbushi një detyrë morale të jashtëzakonshme. Ky vend i vogël, Shqipëria, fitoi edhe një herë si në kohën e Skënderbeut dinjitet dhe prestigj në shtetet e botës. Vlera dhe rëndësia e LANÇ-it, nuk qëndrojnë vetëm tek trimëritë, heroizmat dhe sakrificat e luftëtarëve, por se Shqipëria u çlirua prej pushtuesve të huaj duke rifituar pavarësinë dhe u dha brezave mesazhin e atdhetarisë dhe patriotizmit.

Në kohën e monizmit, për këtë Luftë u fol me vend dhe pa vend nga njerëz partiakë. Këta njerëz në ditët e sotme, i janë kundërvënë me mënyra dhe mjete, për ta mohuar, dhe e quajnë antikombëtare, shkojnë edhe më tej duke e quajtur fatkeqësi kombëtare. Këta njerëz dhe grupime politike që mohojnë LANÇ-in, hedhin baltë mbi dëshmorët dhe veprën atdhetare të popullit shqiptar, janë ata që nuk ishin pjesë e Luftës, e që nuk dinë çfarë ka ndodhur në Shqipëri dhe në botë, janë bijtë dhe nipërit e atyre që bashkëpunuan me pushtuesin, kundër të cilit u bë Lufta.

Kjo kategori njerëzish e minimizojnë dhe e zhvleftësojnë Luftën, dhe thonë se kontributi i Shqipërisë në këtë luftë ishte i parëndësishëm. Mohimi i LANÇ-it është mohimi i rëndësinë së luftës për rivendosjen e pavarësisë kombëtare. Kjo luftë e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. Nga kjo Luftë nuk mund të mohosh gjakun e derdhur, idealet e pastra të dëshmorëve, të mos i pranosh burgosjet, internimet, torturat e patriotëve shqiptarë antifashistë, të mohosh ndihmën materiale të popullit fukara të fshatrave dhe qyteteve të Shqipërisë. Duke i mohuar këto vlera, shkojmë në një drejtim tjetër, në atë që të jesh një popull pa dinjitet, që pranon pushtimin e vendit dhe bashkëpunimin me pushtuesin. Ka gazetarë e analistë, drejtues programesh artistike dhe televizive dhe disa politikanë, që mohojnë dhe bëjnë humor me luftëtarët dhe sakrificat e tyre. Ka dhe historianë mjeranë që e shtrembërojnë me vetëdije të plotë të vërtetat dhe faktet, duke u vënë në shërbim, me lekë, mohues të luftës heroike të LANÇ-it.

Rezistencë e qartë ndaj pushtuesve
Fakte dhe të vërteta, të njohur nga historia botërore e kësaj lufte, Shqipëria rreshtoi në këtë luftë 70.000 luftëtarë të rreshtuar në batalione, brigade, divizione e korparmata, që një ushtri moderne do ta kishte zili, për drejtimin, rregullin, disiplinën dhe organizimin e përsosur që u vrej gjtë kësaj lufte heroike. Në fshatrat e Shqipërisë, gjatë luftës u strukturuan dhe forcat territoriale, ku mori pjesë popullsia civile në mbështetje të forcave luftëtare. Lufta mori jetën e 28.000 shqiptarëve, ku një pjesë dëshmorë të formacioneve të rregullta partizane dhe pjesa tjetër viktima të luftës. Në Shqipëri kishte një rezistencë të qartë ndaj pushtuesve, e cila duke e krahasuar me popullsinë e asaj kohe të Shqipërisë, prej 1 milionë banorë, mund të quhet një rezistencë jashtëzakonisht e madhe, ka theksuar më herët historiani gjerman Michail Shmid.

Deklarata e Elizabeth Barker që gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte e atashuar në Ministrinë Britanike të Luftës thotë se një argument më tepër për rezistencën antifashiste të popullit shqiptar, ka të bëjë lidhur me të vrarët e të plagosurit e forcave pushtuese në Shqipëri, ku jep edhe shifra, se “në Shqipëri u vranë rreth 8000 italianë, 7000 gjermanë dhe u kapën robër 900 gjermanë të tjerë”. Përfundimi: Natyrisht që është e qartë për cilindo, se kush i vrau dhe i zuri rob këta nazifashistë. 

Vlerësojmë cilësitë e tyre luftarake
Kryeministri Britanik, Çurçill me admirimin flet për rezistencën shqiptare nga njoftimet e plota që kishte marrë rreth kësaj lufte. Në nëntor të vitit 1943, deklaron në dhomën e komunave se me mijëra guerilas shqiptarë, janë duke luftuar tani në malet e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre. Oficerët e ndërlidhjes britanike, të cilët janë bashkë me guerilasit, kanë vlerësuar me nderim të lartë, cilësitë e tyre luftarake. Ne shohim se shqiptarët në përputhje me traditat e tyre të lashta, do të lozin pjesën e vet në zhvillimet e ardhshme ushtarake në Mesdhe. Ne dëshirojmë ta shohim Shqipërinë të lirë nga zgjedha e boshtit dhe të ripërtëritur drejt pavarësisë së saj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte informacion dhe e vlerësonte rezistencën e popullit shqiptar, në luftën antifashiste. Kur nisi Konferenca e San Fraciskos, në prill 1945, Presidenti i Amerikës, Franklin Rusevelt kishte thënë se Shqipëria është në anën tonë prandaj duhet ta thërrasim. Më duket se ka këtu një ministër ose përfaqësues dhe duhet ta thërrasim të nënshkruaj deklaratën. Ky propozim i Presidentit amerikan, nuk dihet sa dhe si u vlerësua, por Shqipëria nuk u përfaqësua në këtë konferencë. Më 10 dhjetor 1942, Sekretari i shtetit amerikan Cordell Hull bëri një deklaratë, ku lavdëronte luftën e guerile të partizanëve shqiptar dhe thekson se “Qeveria dhe populli amerikan mezi presin ditën që këtyre burrave trima t’ju jepet ndihmë ushtarake për ta shporrur armikun nga vendi i tyre”. Rëndësia e pjesëmarrjes në bllokun antifashist botëror, është e pamatshme, kjo për faktin e rifitimit dhe të mos copëtimit të Shqipërisë së pasluftës. Dokumente të shumta janë gjendur në arkivat britanike dhe gjermane, ku vërtetojnë, se mos pjesëmarrja e Shqipëria në luftë, territoret e Jugut do ti jepeshin Greqisë, kurse Jugosllavia mund të merrte ndonjë copë në bregdetit verior me dalje në det, si shpërblim.

Deklarata e 17 dhjetor 1942 në parlamentin Britanik, ku ndër të tjera u theksua se “Qeveria e Madhërisë së tij e sheh çështjen e kufijve të shtetit shqiptar pas luftës, si një çështje që do të duhet të merret në shqyrtim në Konferencën e Paqes”. Fuqitë e Mëdha, në vështrimin e tyre, ende statusi i Shqipërisë ishte i paqartë. Kjo sepse asnjë qeveri shqiptare në mërgim, nuk ishte njohur prej tyre, vetëm rezistenca antifashiste, ku vendi kryesor e zinte Fronti Antifashist NÇ, u bë faktorit kryesor dhe mbeti afirmues i integritetit të Shqipërisë të pasluftës.

Copëtimi i Shqipërisë rrezik real pas lufte
Copëtimi i Shqipërisë pas luftës ka qenë një rrezik real dhe i provuar me dokumente. Kush mundohet ta anashkalojë këtë, bën spekulim me gjakun dhe sakrificat e popullit shqiptar që bëri të mundur të mos ndodhte. Partizanët e shpëtuan Shqipërinë, e çliruan prej pushtuesve të huaj me forcat e tyre dhe e shpëtuan prej copëtimit midis vendeve fqinjë. Ka dokumente ku theksohet se grekët kishin marrë garanci nga qarqe britanike, se me mbarimin e luftës do tu jepej Vorio Epiri. “Në mbarim të luftës mund të jetë vështirë të gjendet për grekët një kompensim territorial tjetër, veç atij që ofrojnë krahinat e Shqipërisë së Jugut”, ka theksuar specialisti që mbulonte çështjet e Ballkanit në qeverinë Britanike, që në dhjetor 1940. Ndërsa Sekretari i ministrisë së Jashtme Britanike Dixon, më 30 mars 1942 ka thënë se “Greqia duhet të lejohet të marri Epirin e Veriut për arsye se balanca e argumenteve historike dhe etnologjike, anojnë lehtazi nga Greqia”. Ky zyrtar i lartë e ka ritheksuar edhe një herë më 9 tetor 1943, ku sqaron se “Ka shumë argumente në favor të pretendimeve Greke. Ne padyshim dëshirojmë t’i shpërblejmë grekët për rolin që luajtën në luftë, si aleatët tanë. Tani për tani, është e pamundur të vendoset nëse do të ishte e dëshirueshme të rindërtohej ose jo një Shqipëri e pavarur”. Në disa dokumente të Foreign Office të datës 8 gusht 1944, parashikohej që pas Luftës së Dytë Botërore, Serbisë mund ti jepeshin territore nga lumi Drin deri në veri. Në Kartën e Libanit, bëhen të qarta qëllimi dhe kërkesat e Greqisë për sigurimin e kufijve të rinj të saj, të një Greqie të lirë dhe të madhe. Kërkesa këto që padyshim do të përfshijnë edhe atë të Vorio Epirit. Ndërsa Komiteti për marrëdhënie me jashtë në Senatin Amerikan, votoi për një rezolutë që t’i akordohej Greqisë, Jugu i Shqipërisë. Edith Durham i shkruan një letër Fan Nolit më 25 qershor 1943, ku i shpjegon se këtu, në Londër ka shumë pak shqiptarë dhe ata janë të përçarë… Këtu kombi më i popullarizuar dhe më i organizuar, është ai grek. Grekët janë duke punuar shumë dhe janë të vendosur për të kërkuar aneksim. Këto Fuqi të Mëdha kishin si pretekst dhe kapeshin fort për copëtimin e Shqipërisë pas luftës, sepse për bazë merrnin ekzistencën e qeverive kuislinge në Tiranë, të mbështetura nga pushtuesit italianë dhe gjermanë. Ky ishte një fakt dhe një argument i fortë, për ta ndëshkuar Shqipërinë e pasluftës. Ja dhe disa fakte që sillnin: dekreti 149, 9 qershorit 1940, Shqipëria ishte në gjendje lufte me të gjitha vendet që Italia ishte në luftë. Kryeministri i Greqisë K. Saldaris, në Konferencën e Paqes në Paris, të vitit 1946, e quan Shqipërinë vend të mundur, anëtar të “Boshtit”, prandaj theksonte se Shqipëria duhet të paguaj. Deklarata të çonte në atë anë që Shqipëria patjetër duhet të copëtohet, siç, ndodhi me vendet realisht me “Boshtin”, si Moldavia, vendet e Balltikut, Transilvania e Dobruzha dhe vendet e tjera si Rumania, Bullgaria, Hungaria e Finlanda. Lufta partizane dhe lufta e mbarë popullit shqiptar, kundër fuqive të “Boshtit”, Italisë e Gjermanisë, bëri që të mbahej qëndrim objektiv nga mjaft pjesëmarrës me influencë në Konferencën e Paqes në Paris. Pavarësisht se nuk u pranuam me fillimin e Konferencës së Paqes dhe nuk u ftuam në Konferencën e San Franciskos, përfundimisht më 25 tetor 1946, Shqipëria u pranua si fuqi shoqe e vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore.
Sigal