VIDEO tronditëse nga përmbytja e Librazhdit/ Banorët: Duam dëmshpërblim

333
Sigal

Nga të gjitha përmbytjet, që po kthehen në normalitet në qytetet e drejtuara nga kryebashkiakët socialistë, ajo që bëri më shumë përshtypje dje ishte përmbytja e Librazhdit. Në mënyrë të pabesueshme, një qytet që nuk kishte njohur përmbytje, e gjeti veten në mes të ujit. Pati frikë dhe panik, por për fat nuk pati të lënduar. Megjithatë janë shkaktuar dëme nëpër biznese dhe banesa.

Banorët e Librazhdit thonë se një përmbytje e tillë ka ndodhur në vitin 1964. Në këtë qytet, investimi kolosal prej 6.2 milionë euro përfundoi në 1 qershor të vitit të shkuar. Por duket se dhe këtu pas 2 orësh shi, qyteti duket si të ishte Venecia. Pasojat janë prezente dhe sot.

“O burra të gllabërojnë tenderet, të marrin sa më shumë. Para e imja, e jotja, para e popullit”, u shpreh një qytetar.

Edhe investimet e fundit duket se po kryhen me nxitim në këtë qytet.

“Unë asnjëherë nuk kam pasur probleme me përmbytjet edhe kur ka rënë më shumë shi. Parku që është bërë para një jave do priste Edi Ramën dhe shtruan pjesë mbrapa ku edhe e ngritën mbi nivel. Dhe uji u mblodh në një vend dhe m’u fut brenda në shtëpi”, u shpreh një banor.

Parku i qytetit ky investim i ri që është ndërtuar në unazën e qyteti u përmbyt dhe vetë. Ai kap vlerën e rreth 7 milionë lekëve. Banesa e familjes Brahja është përmbytur. Siç tregon çifti i bashkëshortëve pusetat ishin të bllokuara dhe orenditë ju janë shkatërruar.

“Puseta ekzistuese ka qenë e vendosur 30 vite më parë është bllokuar dhe i kishin hedhur beton, por ne e zhbllokuam”.

Një tjetër qytetar bën apel për shkak të problemeve që i janë shkaktuar.

“Më janë shkatërruar orenditë, dua dëmshpërblim. Të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë bërë këtë. Bëjnë rregullime pa inxhinierë dhe nuk dihet ku do shkojë uji, s’ka fare tubacione.  Edhe kur binte shi dhe pati bllokime, nuk erdhi asnjë, ku janë emergjencat? As pompë nuk më sollën për të tërhequr ujin”.