Viçat e importit, “shengen” për t’u futur pa kontroll në Shqipëri, këmbimi 1 me 2

2053
Ndërsa vendet e zhvilluara të BE po përballen me ata që hyjnë nga kufijtë e tyre si klandestinë, kufiri shqiptar po “sulmohet” nga viçat kontarbandë, të cilët futen në Shqipëri, ku përfundojnë si “mish bio, i kontrolluar dhe i sigurt” për popullatën. Këto viça futen në piakt e kalimit të kufirit në Qafë-Thanë, në Peshkopi e Kukës, duke u lejuar të kalojnë sikur të jenë “me pasaportë shengen”, dyndje e cila jo pa humor e tallje, prej shtetit shqiptar po cilësohet si “shkelje e një prej kriterve bazë”, të vendosur prej BE për hapjen e negociatave! Importi, ose më saktë emigrimi i viçave maqedonas, serbë, bullgarë e nga çdo lloj shteti i rajonit drejt Shqipërisë, përbënë një skandal që është zbuluar dhe regjistruar prej kohësh nga organet kompetente të hetimit, por që nuk po ndalohet. Një rast i tillë kontrabande viçash, u zbula këto ditë fare rastësisht, pas kontrollit dhe ndalimit rutinë të dy personave nga Prrenjasi e Librazhdi në pikën kufitare të Qafë-Thanës. Bëhet fjalë për një skandal me xhambazllëkun e bagëtive që shiten e blihen nga brenda e jashtë kufirit me Shqipërisë, xhambazllëk që është lënë e po lihet jashtë kontrollit si prej organeve të kufirit edhe prej institucioneve të kontrollit e sigurisë ushqimore rajonale. Në vijim gazeta “Telegraf”, do të publikoj fakte skandaloze, të zbuluara nga investigimi i bërë në pikat e kalimit kufitar e doganor shqiptar në Kukës, Korçë, Durrës, Pogradec, Peshkopi etj., në lidhje me bagëtitë dhe produktet ushqimore që kalojnë e futen pa asnjë kontroll, ose me kontrolle fiktive në mënyrë kontrabandë. Kujtojmë, që në kufirin shqiptar të qarqeve që përmendëm më lartë, 80% e ushqimeve të konsumit bazë të përditshëm të popullatës që futen në tregun dhe agro-industrinë përpunuese e prodhuese shqiptare janë me cilësi të dobët dhe me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe jetën e konsumatorit. Sot po publikojmë një skandal në lidhje me import-eksportin e bagëtive që bëhet jashtë çdo kontrolli, ose më saktë nën kontrollin e pazareve që bëhen në kufi e doganën e Qafë-Thanës në Pogradec, ku strukturat e kontrollit ushqimor hedhin firma e vula dhe mbushin fletë-analiza fiktive për sigurinë ushqimore. Çfarë ndodh me viçat që futen e dalin nga Shqipëria në pikën e kalimit të Kufirit, atë doganore dhe Pikën e Inspektim Kontrollit Ushqimor (PIK) në Qafë-Thanë? Tregtia, babëzia dhe kontrabanda e bagëtive shqiptare, nuk po ndalet as nga ligjet, as nga uniformat e shtetit, as nga siguria rajonale ushqimore e veterinare dhe as nga frika e dënimeve, pasi ajo ka mburojë strukturat e kufirit dhe të tjera struktura të shtetit që kanë detyrë kontrollin dhe ndalimin e kontrabandës. Vetëm pak ditë më parë, fare rastësisht, dy oficerë të Policisë Kufitare në Qafë-Thanë, ndaluan dy persona që sapo kishin kryer shkëmbimin e një viçi shqiptar me dy viça maqedonas, ose më saktë të ardhur nga Gostivari e Struga. Ky xhambazllëk, ose më saktë kjo tregti e paligjshme dhe pirateske, ka vite që kryhet, madje duke pasur si mburojë edhe shërbimet kontrolluese e kufitare të shtetit. Sikur të mos kishte qenë një defekt në makinën e dy shtetasve shqiptarë, viçat nga Maqedonia nuk do të ishin zbuluar dhe mishi i tyre do të shitej si produkt “BIO” në tregjet e Tiranës, për ku ishte destinuar. Skandali është munduar të mbahet sekret, pasi në këtë “tregti” e cila nuk është gjë tjetër veçse kontrabandë e pastër, janë përzierë doganierë, oficerë të Policisë Kufitare, inspektorë të kontrollit ushqimorë e veterinarë dhe pronarët e pikave të shitjes së mishit në Tiranë e Elbasan. Pasi janë marrë në pyetje dy shtetasit shqiptar që bënë pazarin, njëri nga Prrenjasi dhe tjetri nga Librazhdi, të cilët po hetohen për gjoja “lidhje me kontrabandistë nga Maqedonia”, por sipas burimeve policore mësohet se ata dhe dhjetëra të tjerë si ata e kanë mënyrë, mjet pune e jetese këtë lloj tregtie e cila dëmton jo vetëm tregun e bagëtive, por edhe cilësinë e mishit që vjen nga shteti fqinj i rritur me metoda artificiale. Të njëjtat burime, thanë se “nga kjo lloj tregtie e cila klasifikohet si një kontrabandë e pastër e lejuar në kufi, dogana e PIK, janë futur vetëm për vitin 2015 mbi 400 viça, ndërkohë që shkëmbimet bëheshin 1 viç shqiptar, me 2 viça maqedonas, pra një viç shqiptar i rritur në fushat tona me bar natyral, me dy viça maqedonas të rritur me ushqim artificial e me “ilaçe”, duke futur në tregjet tona mish pa vlera ushqimore, madje edhe të pa sigurt. Por e veçanta ishte se, këta “tregtarë” (xhambazë), kishin porositur që deri në fundin e vitit 2015, të fusnin mbi 1200 viça nga Maqedonia dhe do tu servireshin tregjeve tona kryesisht në Tiranë, Korçë, Elbasan e Durrës si “mish bio”, ku nuk mungonin edhe porositë, si “mishi i cilësisë parë”. Zbulimi i këtij skandali forcon sërish deklarimet e qytetarëve dhe konsumatorëve të mishit në Shqipëri, për mungesën e produkteve origjinale ushqimore që tregtohen në pikat e shitjes, kryesisht i mishit. Qytetarët ankohen, se “mishi i blerë me çmim të lartë vetëm sepse u serviret si “mish viç vendi”, nuk i ka ato cilësi e vlera ushqimore dhe nuk e ka shijen e duhur, por blihet, mbasi besojnë tregtarët, por dhe ata që i sjellin të pa therur, për t’i bindur konsumatorët se mishi është “bio”. Mungesa e kontrolleve dhe verifikimeve në pikat kufitare me Maqedoninë dhe kryesisht në Qafë Thanë, tregoi se tregtia e paligjshme dhe kontrabanda edhe e bagëtive mbetet evidente, dhe e mbrojtur nga strukturat që e kanë detyrim ligjor ta parandalojnë dhe godasin këtë veprimtari të paligjshme. Rritja në fushat dhe malet tona dhe pastaj shitja apo më keq shkëmbimi i bagëtive tona si në rastin e viçave, me ato që rriten me injeksione në Maqedoni, mbetet një avaz i vjetër, një veprimtari e paligjshme që ka mbushur dhe vazhdon të mbushë xhepat e kontrabandistëve dhe atyre që i mbrojnë duke u fshehur pas uniformës së shtetit. Migrimi bagëtive tona drejt Maqedonisë, mbetet akt i pa-shembullt i injorancës së atyre që hiqen si “tregtarë viçash e lopësh” por që në fakt janë pazarxhinj të vegjël që kanë mbushur tregjet me mishin e kuq artificial, dhe që po dëmtojnë rëndë jetën e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve tanë që në embrion. 
ILIR DURMISHI
Sigal