“Vetëm në përvjetore kujtohemi për një skulpturë”

596
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, skulptori Vladimir Caridha: “Klithma” për mua është klithja karshi zhdukjes së një kulture”

Skulptori Vladimir Caridha, në një intervistë për “Telegraf”, tregon rrugëtimin e tij të gjatë në profesionin që ka zgjedhur, ku ndër të tjera shpreh edhe opinionin e tij për skulpturat e qytetit të Elbasanit,  a duhet të ketë një strategji për vendosjen e tyre  në ambientet publike, si bëhet lëvizja e monumenteve dhe si funksionon Galeria e Artit në Elbasan.

Zoti Caridha, Elbasani është i njohur si një qytet i dashuruar me artin. Si mendoni për vendosjen e skulpturave,  aq më shumë kur këto ditë po bëhen mjaft debate me lëvizjen e veprave skulpturore.  A mendoni se duhet të ketë ndonjë strategji për këtë qëllim?

Në Elbasan, sa herë ka përvjetorë të ndryshëm del nevoja edhe krijimit të skulpturave. Për fat të keq, vetëm atëherë kujtohemi për një vepër arti. Mendoj se, është tepër e nevojshme dhe urgjente për të pasur një strategji të qartë, një plan vendosje të përgjithshëm në të gjithë qytetin. Duhet të mirëpërcaktohen se, ku do të jenë qendrat, ku do të vendosen figurat, sidomos ato më të spikatura që ka qyteti ynë. Duke u planifikuar, nuk do të ekzistojë më problemi i lëvizjes së monumenteve siç po ndodh tani. Kjo nuk ka të bëjë me rastin kur ka gërmime shumë të rëndësishme arkeologjike. Ne orientojmë sheshe për vendosjen e skulpturave në bazë të një strategjie e planimetrie të qytetit, duke krijuar edhe raporte të drejta hierarkie të vlerave të figurave. Qyteti nuk është vetëm bulevardi kryesor. Estetizimi i qendrave krijon dhe një nga qytetet më tërheqës. Për këtë duhet të jetë një grup artistësh si skulptorë, arkitektë, piktorë, urbanistë, historianët, një Këshill Bashkiak, etj., pra kjo do një dashamirësi, pra duhet një strategji e përgjithshme e qytetit.

Jemi në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, a keni ju ndonjë punim për këtë ngjarje të madhe?

Po, kam një punim për 100-vjetorin e Pavarësisë, i cili është në proces. U vonova, pasi e kisha planifikuar ta derdhja në bronz, por disa sponsorë të u tërhoqën, dhe tani po e bëj në qeramikë me shpenzimet e mia. Tema është persekutimi që është bërë në kohën e diktaturës komuniste, dhuna karshi individit.

Ju jeni autor i disa skulpturave të njohura. Cilat janë më të dashura për ju?

Kam realizuar skulpturën kushtuar arsimtarëve elbasanas, një vepër që u kushtohet atyre që kanë dhënë kontributin si në qytet dhe në fshat. Një tjetër punë, të cilën e çmoj shumë është memoriali kushtuar gjenocidit të popullit çam, ku unë në skulpturë kanë derdhur gjenocidin kulturor që është gjëja më e fuqishme, më e rëndë që mundet të ndodhi një populli.

Ju po restauroni edhe disa nga skulpturat e Kalasë së Elbasanit, kujt periudhe i përkasin ato?

Po, jam krenar që më është besuar një punë shumë e vështirë dhe me përgjegjësi. Është Besnik Guri, i cili ka nënshkruar një kontratë me Ministrinë e Kulturës dhe Monumenteve për restaurimin e kalasë, të një pjese të “Torrës”, ku mua më janë besuar tre relieve romake, ku janë shumë të dëmtuar.

A ka Galeri Arti Elbasani, dhe si funksionon është një nga qytetet më të mira dhe artdashëse, ku kultura, arsimi e gjithçka zë vendin kryesor?

Po ka një galeri arti Elbasani, unë mendoj që ajo duhet të ketë një fond të caktuar, që t’u shërbejë qytetit, qytetarëve. Nëse do të ketë një fond të caktuar, të garantuar vetë galeria në çdo vit në bazë të një konkursi, mund të ndërtojë një ekspozitë më të vërtetë cilësore.

EMRAT E RRUGËVE

Emrat e rrugëve duhet të sintetizojnë momente të ndryshme nga historia, ngjarje, tradita apo kultura e qytetit dhe vendit tonë. Ato nuk mund të ndryshojnë sa herë që ndryshohen forcat politike, siç po ndodh sot me monumentin e Aqif Pashë Elbasanit apo dhe monumentin e Isuf Myzyrit. Është e nevojshme që të merret një mendim unanim, i përgjithshëm. Sa për ilustrim, emrin e piktorit të madh, ONUFRI-t, cilado forcë politike të që qeverisë qytetin, nuk mund ta heqë dot, pasi ai është një figurë e shquar që e njeh gjithë Shqipëria.