Veteranët e Beratit: Kundërshtojmë festimet e 100- vjetorit të Pavarësisë në Tiranë!

551
Sigal

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve, Anastas Arbëri: “U kërkojmë qeveritarëve të mos luajnë me datat historike!”

Organizata e Veteranëve të Beratit, mbeten të indinjuar me veprimet antishqiptare që po bëjnë qeveritarët e Berishës që mohojnë dhe datën e historisë së Kombit shqiptar që është 28 Nëntori, e njohur si data e historisë së popullit shqiptar, ku u ngrit flamuri në vitin 1912 nga patrioti i shquar, atdhetari i madh Ismail Qemali. Këto veprime të ulëta që po kryejnë qeveritarët e sotëm me në krye Berishën, kanë sjellë reagimet e veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve të Beratit.

Takimi

Të mbledhur në një takim të veçantë veteranët kanë analizuar veprimtarin anti-shqiptare duke zëvendësuar datën 28 Nëntor me datën 27 Nëntor, gjë e cila nuk përputhet me realitetin historik për kontributet e patriotëve shqiptarë në shekuj. Veteranët të irrituar janë shprehur për gazetën “Telegraf” se, është një turp i madh që kjo datë, 28 Nëntori të zhvendoset nga vendi, ku është ngritur flamuri (Vlora) dhe të festohet në datën 27 Nëntor në kryeqytet. Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve, Anastas Arbëri tha për gazetën se: “Kjo datë i ka vlerat në qytetin e Vlorës. Flamuri është ngritur në Vlorë dhe jo në Tiranë, ku kërkon ta festojë Sali Berisha 100- vjetorin e Pavarësisë”.

Qëllimi

Më tej Arbëri në emër të veteranëve tha: “Kjo për mendimin tonë bëhet me të vetmin qellim për të nderuar tradhtarin e kombit shqiptarë Ahmet Zogun, i cili grabiti floririn që ishte djersa e gjaku i shqiptarëve dhe më pas e shiti Shqipërinë tek Italia fashiste. Dhe për këtë qëllim, Berisha po bënë shpenzime kolosale për të sjellë eshtrat e të ashtuquajturit “Mbreti i Shqipërisë”. Turp më të madh nuk ka për Kombin tonë”, -tha Arbëri. Veteranët janë shprehur në revoltën e tyre se të gjitha shpenzimet që po bëhen për një tradhtarë, i cili vrau dhe vari në litarë të gjithë patriotët shqiptarë, të cilët ishin ajka e kombit janë të kota. Ata i kërkojnë Kryeministrit të mos luaj me ndjenjat e shqiptarëve dhe mbi të gjitha të mos luaj me datat historike të vendit të tyre. Pasi në këtë 100 vjetor të Pavarësisë po ngrihet në piedestal figura e një njeriu që nuk e meriton dhe po nënvlerësohet figura e patriotit të madh që krijoi Qeverinë, Ismail Qemali. Veteranë për të festuar 100- vjetorin e Pavarësisë do të shkojnë në Vlorë dhe jo në Tiranë.