KESH regjistroi 256 milionë euro humbje në vitin 2022, por kjo duket se nuk e ka penguar entin shtetëror të energjisë të zhvillojë tendera luksi. Pak ditë më parë, KESH ka mbyllur një tender me vlerë 130 mijë euro për kurim imazhi, ku përfshihet ndër të tjera blerja e pajisjeve audio dhe video, të cilat do të përdoren për aktivitete të KESH. Mbetet e paqartë se si një infrastrukturë e tillë muzikore do vihet në punë, pasi për përdorimin e tyre kërkohet numër i madh njerëzish dhe specialistë të fushës.
2022 ishte një nga vitet me bilancet më negative të Korporatës Elektroenergjitike shqiptare, duke shënuar rreth 256 milionë euro humbje. Mirëpo, teksa humbjet në miliona euro shënohen si statistika në raportet e Ministrisë së Financave, enti i drejtuar nga Ergys Verdho duket i pashqetësuar për humbjet, duke i lejuar vetes të bëjë tendera luksi. Në 17 korrik, KESH ka firmosur kontratën me dy kompani private, për mbylljen e një tenderi me objekt: Shërbime në funksion të komunikimit, promovimit dhe organizimit të aktiviteteve të KESH sh.a.
Vlera e këtij tenderi është rreth 130 mijë euro me TVSH. Po për çfarë do t`i përdor KESH 130 mijë euro? Përgjigjen e japin dokumentet zyrtare, që KESH ka bashkëngjitur në tenderin e zhvilluar vetëm pak ditë më parë. Sipas dokumenteve, ashtu si parashikohet në kontratë, KESH do të blejë materiale kancelarie, si fotokopje, dosje, letra, stilolapsa, logo etj.
Por jo vetëm kaq, KESH ka vendosur të shpenzojë para sikur të ishte një agjenci eventesh apo aktivitetesh festive, pasi do të blejë edhe dhjetëra pajisje audio dhe video.
Këto pajisje, si bokse, mikser fonie, mikrofona, ndriçim artistik, ekrane led, kompjuterë, fotograf, kameraman, do të përdoren të gjitha për imazhin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Mbetet për t`u sqaruar, se pse KESH ka vendosur të shpenzojë qindra mijëra euro për blerjen e pajisjeve të tilla, në një kohë që e gjithë kjo infrastrukturë kërkon edhe një staf profesionistë mbështetës prej dhjetëra personash për t`u vënë në punë.
KESH i rikthehet blerjes së energjisë, 5.3 milionë euro në dy procedura
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, i është kthyer për këtë vit procedurave të blerjes së energjisë elektrike. Referuar publikimeve në faqen e KESH për dy prej tyre, që mbulojnë një hark kohor prej 9 nëntë ditësh janë shpenzuar rreth 5.34 milionë euro. Konkretisht KESH bleu 10 200 MËh energji për dy ditë në korrik ndërkohë që kjo u pasua me një procedurë blerjeje për një javë energji ku në lotin e parë u siguruan 33 600 MËh me një çmim mesatar të ponderuar 113 euro/MËh ndërkohë që në lotin e dytë 7000 MËh me një çmim mesatar të ponderuar 99.51 euro/MËh.Këto janë procedurat e para të këtij viti në një shumë të konsiderueshme sa i takon blerjes së energjisë nga KESH teksa gjatë këtij viti në shumicën e procedurave objekt ka qenë shitja. Sipas të dhënave të publikuara nga KESH për të gjithë shit-blerjet e kryera nga 1 janari e deri më 17 korrik janë shitur 36 milionë euro energji. Situata hidrike e favorshme gjatë këtij viti ka bërë që KESH të jetë më i lehtësuar sa i takon sigurimit të energjisë ndërkohë, që rritja e nivelit të konsumit në disa raste e bën të pamundur edhe pjesën e sigurimit të energjisë përmes prodhimit në vend duke shtuar para nevojën e plotësimit me import të diferencës në oraret e pikut. Po kështu blerja e fundit e KESH sinjalizon për një përdorim më të kujdesshëm të kaskadës që gjithsesi këtë vit ka qenë në nivele të mira. Madje duke pasur parasysh prezencën ende të rrezikut të krizës, niveli i Fierzës është mbajtur në kuota maksimale. Vetë KESH pohoi për “Monitor” pak javë më parë se në thelb të planit për përballimin e verës qëndron gjenerimi i energjisë nga asetet e kompanisë.“Sigurimi i energjisë në periudhën vijuese të verës deri në fund të vitit, do të vazhdojë të bazohet në gjenerimin brenda vendit nga asetet në zotërim të shoqërisë, përfshirë edhe gjenerimit termik, i menaxhuar nëpërmjet importeve, të cilat do të realizohen në mënyrë dinamike sipas pozicioneve tregtare të tregjeve të energjisë”-thuhet në reagimin e KESH. Por vetë kompania e ka shprehur edhe më herët që nevojat në momente të caktuara të pikut mund të çojnë kompaninë drejt blerjeve në tregun e lirë.