Vepror Hasani: Edhe Korça e prekur nga coronavirusi, regjistrohen 3 raste

227

Askush nuk kundërshton shtetrrethimin,  rrugët e Korçës pa njerëz

Nga Vepror Hasani per”Telegraf”

Qyteti i Korçës u gdhi i boshtisur, me rrugë të zbrazta, pa automjete në rrugë, pa njerëz, pa të rinj e të moshuar, pa zëra e lëvizje; në rrugë lëvizin vetëm forcat e policisë, nuk ka dyqane të hapura, qepena të ngritura, çdo lagje e qytetit gjendet nën vëzhgimin e policisë. Gjithkush qëndroi brenda shtëpisë në respekt të shtetrrethimit. Por mëngjesi i së dielës për qytetin e Korçës erdhi me një lajm të trishtë. Spitali rajonal i Korçës  kishte evidentuar tre njerëz të prekur nga coronavirusi; një çift bashkëshortësh të moshuar, njëri 75 vjeç dhe tjetri 76 vjeç, të cilët mendohet se janë infektuar nga mbesa e tyre e ardhur nga Italia; tjetri është një i ri 31 vjeç,  menaxher lokali, për të cilin nuk dihet saktësisht ku mund të ketë rënë në kontakt me virusin. Të tre të sëmurët u nisën drejt spitalit infektiv të Tiranës. Familjarët e tyre janë vetëkarantinuar. Nuk dihet gjithashtu nëse prej tyre janë prekur persona të tjerë jashtë familjes. Tashmë edhe Korça nuk është më e pastër ashtu siç mendohej deri një ditë më parë. Në këto kushte dhe shtetrrethimi i qytetit të Korçës, duket edhe më i legjitimuar. Gjithkush mund të gdhihet një mëngjes i prekur nga virusi i tmershëm dhe të pyesë veten: “Si më gjeti mua virusi?” Lajmi i trishtuar dhe  boshtsija e qytetit të sjellin ndërmend edhe thenien e Joshua Lederberg, mbajtës i çmimit nobël në mjekësi, ku thotë: “Jetojmë në garë evolutive me mikrobet, bakteret, dhe viruset, nuk ka asnjë siguri nëse do jemi ne të mbijetuarit”. Thënia e tij nuk lë asnjë dyshim: lufta me viruset nuk është e lehtë.  Shpresohet që qyteti i Korçë të mos ketë  rastë të tjera të prekur nga coronavirusi

 

Asnjë  dalje nga shtëpia

Orët e qytetit të Korçës duket sikur lëviznin tepër ngadalë, jo si herët e tjera, madje askush nuk ka dëshirë të dalë në rrugë, masat e marra nga qeveria janë mjaft të rrepta. Çdokush që mund të merrte mundimin për të dalë nga shtëpia e ka të qartë për sanksionet që e presin; në një rast të tillë të hiqet çdo ndihmë shtetërore, të mohohet çdo lloj kompensimi, çdo lloj ndihme financiare për të paktën një vit, çdo lloj burse për studentët apo rimbursim të barnave pa përjashtuar këtu as pensionistët. Deri një ditë më parë, ishin mundur të shfrytëzonin orët  e lira që jepeshin për qytetarët për të plotësuar nevojat e tyre të përdisthme me ushqim barna  etj, sot kur tre rstet e evidentuara u bënë të njohura që në orët e para të mëngjesit gjithkush e kupton, se sa shumë kanë rrezikur, duke u takuar më njerëz të tjerë apo duke marrë diell  në stolat e lulishtes ku lëviznin edhe njerëz të tjerë. Ndërsa vështrojmë rrugët e mbetura pa njerëz, pa fëmijë e pa zëra, na vjen ndërmend thirrja e doktoreshës Romina Selenica: “…Unë nuk i kërkoja dot Zotit të ndalte tërmetin, ama sot unë të kërkoj ty të ndalosh virusin, unë sot të kërkoj ty t’i izolosh këta armiq që ndhohen jashtë kudo në shqipëri dhe në botë, unë të lutem ty që të mos më marrësh jetën mua, kolegut tim, familjarëve të mi apo të çdo qenie njerëzore. Unë sot të lutem të më dëgjosh, ajo Shqipëri e vogël me plagë plot, ende të pa shëruara, mos të vuajë më shumë, unë sot të lutem ty të izolosh veten, që të gëzosh dhuratën më të shtrenjë, që është jeta…” Dr. Romina Selenica, mjeke shqiptare në Itali.

Vlerësim i munguar     

Rrugët dhe lagjet, sheshet dhe lulishtet, stolat dhe këndet e lojrave do të vijojnë të mbeten të heshtura. Nga sa shihet askush nuk ka dëshirën të tentojë daljen nga shtëpia. Jo se do t’i etiketojnë “të pabindur”, jo se do t’i quajnë “tradhtarë”,  jo se do të përdoret uji dhe gazi lotsjellës, por edhe sepse ky shtetrrethim i ndërgjegjësoi njerëzit, u tregoi të gjithëve se mund të rrihet edhe në shtëpi,  pa tentuar të abuzohet me orët e lira të cilat shërbejnë për plotësimin e nevojave jetike të familjes. Pas kësaj dite, nisur edhe nga 3 rastet e prekura nga virusi corona në qytetin e Korçës,  gjithkush kupton se gjendja do të rëndohet nga dita në ditë, nga java në javë. Gjithkujt mund t’i ndodhe ta shohë veten duke mos marrë dot frymë, i mbytur nga dhimbjet e gjoksit dhe  kolla e thatë.  Ky është çasti kur edhe mund t’i thuash jetës “lamtumirë” sepse nuk desha të rrija brenda shtëpisë time.