Vepror Hasani: Coronavirusi, pas Korçës, i rrezikuar edhe Devolli

630
Sigal

Gjatë marsit erdhën nga Italia dhe Greqia qindra emigrantë

Nga Vepror Hasani

Qyteti i Korçës shënoi edhe një rast tjetër të ri të prekur nga coronavirusi. Bëhet fjalë për një të moshuar 70-vjeçar, i cili ka qenë fqinj me dy të moshuarit e mëparshëm, të cilët rezultuan pozitivë. Mësohet gjithashtu se një ditë më parë ishin dërguar në Tiranë 6 tampona për kryerje analizash, nga të cilat 5 rezultuan negative. Tashmë numri gjithsej i të prekurve nga virusi është 16. Shpresohet që kjo familje të mos ketë anëtarë të tjerë të infektuar nga virusi.

I rrezikuar nga virusi edhe Devolli    

Pas Korçës, i rrezikuar mbetet edhe Devolli, pasi gjatë muajit mars në këtë rreth hynë nga Italia më shumë se 50 persona. Gjithashtu, gjatë këtij muaji hynë edhe 160 persona të ardhur nga Greqia, dy vende këto të prekura nga virusi corona. Shifrat e mësipërme konfirmohen nga burime pranë Shërbimit Epidemiologjik të Devollit. Kujtojmë me këtë rast se edhe qyteti i Korçës zanafillën e prekjes nga virusi corona e pati nga një vajzë e ardhur nga Italia për të takuar dy gjyshërit e saj. Që nga ajo ditë dhe deri më sot, numri i të prekurve për Korçën ka shkuar në 16.  Të ardhurit e Devollit nga Italia dhe Greqia, gjithsej 210 persona, tashmë gjenden të vetëkarantinuar në familjet e tyre. Mbetet të shihet si do të ecë karantinimi i tyre 14 ditor, pasi numri i personave të mbërritur gjatë muajit mars konsiderohet i lartë. Ata nuk i përkasin vetëm qytetit të Bilishtit, por edhe fshatrave. Për mosthyerjen e rregullave të karantinës dhe evidentimin  e çdo rasti të mundshëm të prekjes  nga virusi corona po bashkëpunohet me policinë, qendrat shëndëtësore ku përfshihen emigantët e ardhur dhe kryetarët e fshatrave. Deri më sot janë dërguar në Tiranë disa tampon për analiza, të cilat kanë rezultuar negative. Megjithatë gjithçka do bëhet më e qartë në ditët në vijim

Korçë, vijnë emigrant të tjerë

Gjithashtu, gjatë muajit mars, në qytetin e Korçës mbërritën emigrantë të tjerë nga Greqia dhe Italia. Edhe këta të fundit gjenden në vetëkarantinim. Mundësia për të patur të infektuar të tjerë nga virusi corona është real. Numri gjithsej i të ardhurve nuk është bërë i ditur, por është pohuar se ata janë disa dhjetra. Informacioni në fjalë mbërriti në institucionet e qeverisjes vendore të Korçës nga Policia e Shtetit, bashkë me listën e emrave të personave. Të gjitha këto raste përbëjnë risk për banorët e Korçës, ndërsa mbetet të shpresohet të mos ketë të tjerë të infektuar. Të ardhurit nuk kanë qenë vetëm emigrant të qarkut Korçë, por edhe të qarqeve të tjera të vendit. Gjatë marsit nga pika e kalimit kufitar Kapshticë hynin në Shqipëri çdo ditë nga 70 deri 100 persona.

Rrezik i shtuar i coronavirusit

Rreziku i prekjes nga virusi corona mbetet i shtuar jo vetëm për qarkun e Korçës, por për mbarë vendin, pasi përveç të ardhurve gjatë muajit mars, sërish një ditë më parë nga Pika e Kalimit Kufitar Kashticë, hynë nga Greqia në vendin tonë dhjetra qytetarë të tjerë. Numri i të ardhurve për muajin që sapo lamë pas, është i lartë. Duke filluar nga sot nuk do të lejohet asnjë shtetas shqiptar apo i huaj të hyjë në tokën shqiptare nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, ndërsa qeveria greke nuk do të penalizojë askënd prej tyre që kishte patur lejë qendrimi 90-ditore, pasi kufijtë u mbyllën për shkak të virusit corona. Megjithatë tashmë edhe  Devolli ndihet i rrezikuar ashtu si Korça.