Vepror Hasani: Barazia gjinore larg standardeve europiane, femra shqiptare ende dhunohet

234
Sigal

Gratë dhe vajzat duan të punojnë, por tregu i punës dominohet nga burrat

Krejt ndryshe ndodh në vendet që ka punë për të gjithë dhe mirëqenie

 

Përgjithësisht dhuna shkaktohet nga mjerimi, këtë gjë e tregoi më së miri periudha e pandemisë, (karantinimi i stërgjatur), kur pothuajse të gjithë mbetën pa punë. Ishte pikërisht kjo periudhë kur u fol më shumë për dhunë seksuale

Gratë dhe vajzat e qarkut Korçë, përfshi këtu bashkitë Korçë, Pogradec, Devoll,  Kolonjë, madje dhe Prenjasin, pasi kjo e fundit ka qenë e përfshirë edhe në një nga projektet e përbashëkta me bashkitë e qarkut juglindor të vendit, rrëfyen se dëshira e tyre për të qenë pjesë e tregut të punës nuk u kishte munguar kurrë, pasi sipas tyre, puna është mirëqenie, pavarësi ekonomike, mirëkuptim familjar, plotësim i nevojave të familjes etj, sepse në krahasim me të shkuarën kërkesat për një jetë më të mirë janë rritur mjaft; por e vërteta është se tregu i punës në çdo sektor të jetës predominohet nga burrat,  ku shumë pak gra dhe vajza arrijnë të bëhen pjesë e tregjeve të tilla. Gjithashtu, sipas grave dhe vajzave të bashkive të qarkut Korçë, mungesa e punësimit nuk sjell gjë tjetër veçse grindje në familje, konflikte, dhunë, keqkuptime, mosmarrëveshje etj, të cilat në mjaft raste përfundojnë me zgjidhje të martesave, duke lënë pas një varg problemesh në mirërritjen dhe mirëdukimin e fëmijëve.

Barazia gjinore, fuqizim i gruas

 Sipas organizatorëve të projekteve të kryera deri më sot në qarkun e Korçës, barazia gjinore dhe fuqizimi i femrës mbetet detyrë kryesore, pasi në pjesën më të madhe të rasteve janë ato jo vetëm që dhunohen, por mbajnë edhe peshën më të madhe në familje. Mungesa e barazisë gjinore më e dukshme është në zonat rurale, kryesisht në fshatrat e thella, por kjo nuk do të thotë se pabarazia gjinore nuk evidentohet në qytet. Edhe në qytet problemet janë të shumta, ndonjëherë edhe më të agravuara. Krejt ndryshe ndodh në ato vende ku ka punë për të gjithë e për rrjedhojë edhe mirëqenie për të gjithë. Në vende të tilla askush nuk ndihet keq përballë mirëqenies së tjetrit, ashtu siç nuk mund të xhelozohet as për makinën që ka komshiu. Mjerimi është shkaku i të gjithave, pasi edhe pas 30 vitesh demokraci, nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe; më shumë flitet për vjedhje sesa për begati. Gjithsesi, në kushtet e Shqipërisë, predominimi i vendeve të punës nga meshkujt, nuk përbën ndonjë çudi, apo ndonjë “grabitje” të vendit të punës ku mund të punonte një zonjë, sepse në Shqipëri, një vajzë apo grua shkon në fasoneri, kurse një burrë në ndërtim ose ku t’i dalë.

Dhunën e sjell mjerimi

Përgjithësisht dhuna shkaktohet nga mjerimi, këtë gjë e tregoi më së miri periudha e  pandemisë, (karantinimi i stërgjatur), kur pothuajse të gjithë mbetën pa punë. Ishte pikërisht kjo periudhë kur u fol më shumë për dhunë seksuale, për dhunë fizike, për dhunë psikologjike etj, madje gjatë kësaj kohe u rrit ndjeshëm numri i personave me shqetësime psikologjike ose që dëshironin vdekjen përmes vetëvrasjeve. Nuk qenë të pakta rastet kur pacientët hidheshin nga dritarja. Pra pandemia, nuk bëri gjë tjetër veçse nxori në pah problemet e thella sociale dhe ekonomike, të cilat kishin ekzistuar edhe më parë, por në kushtet e mjerimit u bënë të papërballueshme. Vetëm gjatë vitit 2020 në Bashkinë e Korçës u evidentuan 110 raste dhune në familje. Nga këto raste, 87 prej tyre u menaxhuan nga mekanizmi i koordinuar i referimit në Bashkinë e Korçës. Edhe këtë vit rritmet janë pothuajse të njëjta. Në këtë kuadër u organizua edhe një tryezë e rrumbullakët me temën: “Stop dhunës me bazë gjinore” si dhe takime të tjera, ku në qendër ishte vendosur  dhuna me bazë gjinore, strehimi emergjent për viktimat e dhunës në familje dhe ndërgjegjësimi i komunitetit rural nëpërmjet aktiviteteve sensibilizuese në luftën kundër dhunës në familje. Madje u diskutua edhe për ndryshimin e ligjit dhunë me bazë gjinore, por nuk u fol asnjëherë si të rrisim mirëqenien te këto familje që nuk po gjejnë dot prehje.

Projekte ndihme

Sipas organizatorëve, lidhur me barazinë gjinore do të ketë projekte edhe në vijim, të cilat me sa duket do të jenë më të përmirësuara, si: “Sigurimi i ekspertizës teknike për qeverinë dhe organizatat, zhvillimin, buxhetimin, zbatimin dhe monitorimin e zbatimit të masave për ndalimin e dhunës ndaj grave, bazuar në strategjinë e re të barazisë gjinore dhe të planit të veprimit përgjatë vitit 2021. Gjithashtu, kujtojmë se Aleanca Kombëtare e Këshilltarëve u ngrit në mars të vitit 2018, dhe përfaqëson deri më sot, 60% të grave këshilltare në 32 bashki të vendit.