Gazeta Telegraf
Nuk ka Bashkim Europian, nëse shteti nuk bllokon kaosin e zaptimeve dhe ndërtimeve pa leje si në qytete ashtu edhe në zonat turistike. Dhe kjo ka një arsye për të cilën BE nuk toleron, pasi mjedisi, është një nga kriteret bazë të hapjes së negociatave. Ishte pikërisht fuqia e këtij aksioni të iniciuar nga Kryeministri Rama, që bindi BE-në të hapi 2 ditë më parë edhe 4 kapituj të rinj, kryesisht për çështjet e mjedisit dhe klimës.

Por këtij aksioni u munduan t’i vendosnin gurë nën këmbë, gyqtarë e prokurorë, të cilët nga paaftësia, apo arsye të tjera kanë dhënë vendime në mbrojtje të paligjshmërisë në ndërtimet, shtesat dhe zaptimet e bregdetit, qëndrave të qyteteve, zonave turistike malore etj.
Ndaj kryeministri Edi Rama foli me zë dhe figurë për emra dhe persona konkretë, gjyqtarë dhe prokurorë, që kishin shpërdoruar detyrën, madje duke i kërkuar organeve përgjegjëse për kontrollin e gjyqësorit që të ndërhynin dhe të mos qëndronin duarkryq. Ai foli për gjyqtarët Hazbi Balliu Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Ligoraq Toshi që nuk ka lejuar prishjen e një ndërtese pa leje me kupolë xhami dhe që ka bllokuar hapësirën mes dy pallateve në Tiranë, për Klarent Demiri, që bllokoj ekzekutimin e vendimit të çlirimit të tokës. Ndaj sot për të disatën herë Telegraf, pas po publikon , pas ankesës së pronarit të tokës Z. Kostandin Basho ku është ngritur kulla “Alban Tower”, se gjyqtarja e gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Samiramis HOXHOLLI, ka hedhur poshtë vendimmarrjen e IMT që ka vendosur gjobë dhe prishjen e shtesave. Por gjyqtarja Samiramis HOXHOLLI, me sa duket jeton në tjetër planet, pasi i falur gjobën Shoqërisë “Al&GI” Shpk, ndërtuese e kullës “Alban Tower”, si dhe ka urdhëruar mos prishjen e shtesave pa leje, të kërkuara nga IMT. Vendimarrja e gjyqtares recidiviste Samiramis Hoxholli të shkarkuar nga KPK, por që kapërceu ylberin në KPA, është një vendimmarrje jo vetëm kundër IMT-së, por ajo bie ndesh me interesin publik dhe zbatimin e programit të qeverisë për Shqipërinë-2030 në BE. Vendimi i gjyqtares Samiramis HOXHOLLI, përveç dëmeve financiare që i shkakton shtetit, rrit pasigurinë e ndërtimit jashtë projektit, dhe cënon edhe detyrimin ndaj pronarit të tokës, të cilit ende sot e kësaj dite nuk i ka dhënë pjesën takuese me kontratën e shkëmbimit.

Po si qëndron e vërteta për të cilën gjyqtarja e gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Samiramis HOXHOLLI, mori një vendimmarrje, vërtetë ulëritëse, por që përbën edhe një sfidë totale të ligjit e rregullit në këtë vend, që kërkon të bëhet sa më shpejtë pjesë e BE:
Z.Kostandin Basho, pronari i truallit mbi të cilin është ngritur objekti “Alban Tower” përballë Kishës Ortodokse, ka kërkuar disa herë ndërhyrjen e Kryeministrit Z. Edi Rama, pasi po mbahet peng nga ndërtuesi i kullës për kontratën e shkëmbimit, ndërtimin e kateve, por edhe të shtesave pa leje nga ndërtuesi Alban Xhaferri. Letrën e parë pronari i tokës Kostandin Basho e ka dërguar më 08/04/2025 . Pasi janë konsumuar të gjitha rrugët institucionale, të pushtetit lokal dhe organeve të tjera ligjzbatuese, pronari Basho, kërkon ndihmën e kreut të qeverisë nëpërmjet një letre të hapur për zgjidhjen e çështjes. Pas kësaj kërkesë për të ndërhyrë Kryeministri Rama, pasi edhe leja ishte dhënë që në kohën kur z.Rama ishte Kryebashkiak i Tiranë, organet e Bashkisë filluan të vihen në lëvizje.
Shoqëria “Al&GI” Shpk, ndërtuese e kullës “Alban Tower”, u sanksionua nga IMT pranë Bashkisë Tiranë me gjobë dhe me vendimmarrje për prishje të shtesave të kryera në objektin ndërtimor, proces ky i iniciuar nga një ankesë e pronarit të truallit Kostandin Basho, pasi çuditërisht, Bashkia e Tiranës nuk e shihte këtë Kullë, edhe pse hija e saj binte mbi dritaret e zyrës së ish-kryebashkiakut Veliaj, që duket se ka qenë edhe kumbar dhe protektor i kësaj kulle dhe ndërtuesit të saj.

Edhe pas kësaj vendimmarrje, që konstatonte një të vërtetë ulëritëse, konkretisht ndërtimit në mes të Tiranës së kateve e sipërfaqeve shtesë, në sfidë totale të ligjit e rregullit në këtë vend, Shoqëria Ndërtuese e ankimoi vendimmarrjen e IMT-së në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku gjyqtarja e pushuar nga KPK, por e saporikthyer nga KPA-ja pas dy vitesh shkarkim, znj. Semiramis Hoxholli, e shfuqizoi habitshëm këtë vendimmarrje të IMT-së pranë Bashkisë Tiranë edhe pse sipërfaqet shtesë të objektit janë evidente. Shfuqizimi ka të bëjë jo vetëm me urdhërimin për prishje, por çuditërisht edhe me gjobën e vendosur, e cila duke qënë në një masë të konsiderueshme shkakton edhe një dëm të rëndë për buxhetin e shtetit. Në një periudhë dhe në një Gjykatë ku seancat gjyqësore zhvillohen maksimalisht me një frekuencë jo më të shpeshtë se 1 seancë në 1-2 apo edhe 3 muaj, kjo Gjyqtare zhvillon 6 seanca në dy muaj dhe vendos “me sirena” pranimin tërësisht të padisë.
Natyrisht që mbetemi në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës për të parë “forcën e argumenteve” të përdorur nga kjo Gjyqtare në këtë rast kaq flagrant, vendim ky që duket fiks i tipit të “fushatave të “shirjes në lëmë” në kohë fushatash kooperativiste të fushave të Korçës. Në këto kushte flagrante, i vetmi mendim që të shkon në kokë është ai i dhënies së një vendimi në kushtet e mundshme të presionit, ndikimit të paligjshëm, apo ca më keq, të korrupsionit, si të vetmet “argumenta” për arritjen e një konkuzioni të tillë gjyqësor. Për këto shkaqe si dhe ato për të cilat u vendos masa administrative kundër këtij subjekti, IMT-ja ka detyrimin ligjor për të paraqitur ankim në Gjykatën Administrative të Apelit, për të mos u përfshirë në bashkëpunim me ata që e kanë orkestruar e ekzekutuar marrjen e këtij vendimi të turpshëm.
Në të tilla kushte, është detyrë e menjëhershme e organeve të reja të drejtësisë sikundër është SPAK, KLGJ apo ILD (Inspektori i Lartë i Drejtësisë) për të kryer verifikimet e nevojshme se si Gjykata ka mundur të arrijë në konkluzione kaq ulëritëse, sikundër është fakti i pakundërshtueshëm i ndërtimit të sipërfaqeve pa leje. Ndoshta ky do ishte rasti dhe pse jo i vetmi që SPAK, KLGJ dhe ILD-ë të “zgjohen nga gjumi”, sikundër e kërkonte me forcë edhe Kryeministri Rama nga tribuna e Parlamentit, me qëllimin e vetëm që të tilla vendime, të cilat thjesht përbaltin sistemin dhe reformën e pretenduar në drejtësi, të kapen në kohë për t’u korrigjuar dhe shkelësit e Ligjit të marrin ndëshkimin e merituar. Magjistratët dhe në veçanti gjyqtarja e gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Samiramis HOXHOLLI duhet të bëhen pjesë e zbatimit të programit të qeverisë për Shqipërinë-2030 në BE, dhe jo të bëhen pengesë, pasi drejtësia e pavarur, prona, mjedisi, të drejtat dhe liritë themelore janë pjesë e 5 kritereve bazë të integrimit, që nga koha kur u dakortësuan nga qeveria shqiptare dhe ish-komisioneri Stefan Fyler.
E megjithatë studio ligjore e avokatëve të pronarit të tokës mbi të cilën është ndërtuar Kulla “Alban Tower” do ta dërgojë çështjen në SPAK, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ( KLGJ) dhe pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë..




















