Veliaj : Këto janë investimet në Tiranë që do futen në histori

81
Sigal

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se projektet, që kanë bërë për zhvillimin e Tiranës do të futen në histori, ku mes tyre përmendi, ndërtimin e 40 shkollave, zgjerimin e parkut të Liqenit Artificial, hapjen e parkut të Farkës, Piramida, etj. Veliaj tha se këto janë projekte që do të mbesin tërë jetën.

“Mandati i tretë do të jetë pikërisht mandati i vajtjes në çdo cep fundor. Të gjitha akset që të sjellin në qendër tani janë transformuar sigurisht, që tani fillojmë dhe punojmë në nivel kapilar, edhe me mbarimin e Unazës së Madhe. Ndjekim korsinë e unazës”.

Nga Kavaja, gjatë një takimi me operatorët turistikë atje, në hapje të sezonit, drejtuesi Politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me kandidatin e PS-së për Bashkinë e Kavajës, Redjan Krali, nënvizoi faktin se kur njerëzit bëjnë bilanc të punëve në qytet, rezultati është se vetëm Partia Socialiste, në bashkëpunim me qeverinë, mund ta çojnë vendin përpara.

“E di që Kavaja vjen nga e djathta, e di që edhe shumica e mandateve të Saliut janë prodhuar në Kavajë, por të thuash që sot, në vitin 2023, ti ke varur xhaketën diku, dhe të mos dukesh për 4 vjet, dhe mendon se njerëzit rrinë dhe adhurojnë xhaketën tënde të varur në gozhdë, apo të thuash që këta i kam në xhep, besoj se është një fyerje shumë e madhe. Unë mendoj se njerëzit duhet të kenë një marrëdhënie bilanci me politikën. Nëse bilanci thotë se janë ndërtuar disa shkolla dhe sot kemi kushte më të mira, se është shtuar pastrimi, se është shtuar ndriçimi, se është shtuar numri i turistëve, është shtuar edhe një atraksion turistik si vepra ‘Meteor’. Unë besoj se bilanci ynë në Kavajë del pozitiv, është bilanc në favor të Redit dhe Partisë Socialiste, që e shikojnë Kavajën jo për ta pasur në xhep, jo për të varur xhaketën, jo mish për top, dhe as për të mbushur autobusët për protesta në Tiranë”,- u shpreh Veliaj.

Veliaj kërkoi mbështetjen e operatorëve turistikë për kandidatin e PS-së për Kavajën, Redjan Krali, sepse ka vetëm një parti që e çon vendin përpara me punë dhe jo me përçarje.