Damian Gjiknuri: Elbasanit do të votojë për fitoren e PS-së

93
Sigal

“Më 14 Maj do të jetë një fitore e pastër dhe qytetaria e Elbasanit do të triumfojë”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri në një takim me banorët e rajonit Nr. 4 në këtë qytet. I shoqëruar dhe nga kryebashkiaku Llatja dhe deputeti Klevis Xhoxhi, numri dy i socialistëve u shpreh se vota për PS është garanci për të vijuar me zhvillimin e bashkisë dhe rritjen e pagave. “Më 14 Maj, kush do zhvillimin e Elbasanit? Gledian Llatja: – Partia Socialiste; kush do të hapë dritën jeshile për rritjen e pensioneve? Gledian Llatja: – Partia Socialiste. Kush do rritjen e rrogave? Gledian Llatja: – Partia Socialiste. Kush do një Elbasan më të pastër më të zhvilluar? Gledian Llatja: – Partia Socialiste! Ai nuk është vetëm, ju nuk do të jeni vetëm, do të na keni të gjithë bashkë”,- tha ai.

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, siguroi për vijimin e politikave sociale.

“Më 14 Maj ne kemi mundësi të vlerësojmë dhe politikat e qeverisë shqiptare. Ju e keni parë që qeveria shqiptare përveç programit të zhvillimit për Elbasanin, ku janë bërë shumë gjëra, ne kemi mundësi të vlerësojmë dhe politikat që janë në dobi të njerëzve. Ne po rrisim pagat e administratës shtetërore, pagën minimale dhe kjo do të çojë në rritjen e pagës mesatare në të gjithë Shqipërinë. Kjo do të bëjë që vitin tjetër të shkojmë tek ai synim, që i kemi vënë vetes, ta çojmë pagën mesatare 900 Euro për administratën shtetërore për të gjithë punonjësit. Rritja e pagës do të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë dhe të rejat tanë që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Rritja e pagës mesatare do të sjellë dhe rritjen e kontributit për sigurimet shoqërore dhe fondin e pensioneve. Ka ardhur momenti që ne t’i themi “Po” me votën tonë politikave progresiste, që ndihmojnë edhe pensionistët”,- shtoi numri dy i socialistëve.

“Gledi nuk kandidon i vetëm, Gledi ka mbrapa Partinë Socialiste dhe qeverinë shqiptare. Gledi nuk është si ai kandidati tjetër që ka frikë të deklarojë se cilës partie i përket, e fsheh identitetin e tij politik. Po ta shikoni në të gjitha ligjërimet e tij publike ai thotë jam kandidat i qytetarëve. Po më fal, nëse do të ishe kandidat i qytetarëve do dilje të kandidoje i pavarur apo jo, me mbështetjen e qytetarëve?! Ti je kandidat i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Nuk e fsheh dot këtë. Në fletën e votimit është Ilir Meta “Bashkimi për Fitore”, në Elbasan Luçiano Boçi. Kjo është fleta e votimit të dashur qytetarë. Prandaj ai dhe ata nuk kanë guxim ta thonë, se u vjen turp nga baballarët politikë, të cilët e kanë deleguar këtu”,- tha ai. Numri dy i socialistëve shtoi më tej se opozita po përgatit alibinë për humbjen e radhës.

“I shikoni sondazhet? E nxjerrin fitues Gledin dhe Partinë Socialiste, ekipin e kemi më të kompletuar. Tani kanë filluar thonë: Po na vjedhin. Kjo është alibia e humbjes. Deri dje thonit bandat, ku janë bandat? Pra një njeri që nuk do të përballet me të vërtetën tregon karakterin e vërtetë të fushatës së tij, prandaj do përgatitemi tani për fazën e fundit, që zgjedhjet na u vodhën. Kjo është e vërteta. Bashkë me Flamur Nokën del thotë: po na blejnë votat. Ju jeni të gjithë qytetarë këtu, ne komunikojmë me njerëzit, ne angazhimet i marrim publike. Ne nuk jemi nga ata që hyjnë natën aty dhe të sajojmë historira të tilla. Prandaj them se më 14 Maj ju do t’i jepni notën e duhur”,- deklaroi Gjiknuri.