Vangjush Saro: “Rilindja” e një vendi pa trena

127
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Rilindja” dhe PS ia hodhën edhe këtë herë, anipse ishin dhe mbeten të zhytura në korrupsion dhe në gafa; prej shumë vitesh. Shumëkush,(me të drejtë) thotë: bëni analiza, flisni me argumente, Ekonomia kështu e Turizmi ashtu; përndryshe duket sikur “ia hamë hakun” PS-së, liderit të saj megalloman dhe ndjekësve fanatikë të tyre. Ja përgjigjia më e shkurtër: një nga ato gafa e mosarritje (që u përmendën më lart) është shkatërrimi, e tash mungesa e një sistemi hekurudhor, sikundër edhe e një sistemi transporti ndërurban; çka nënkupton shumë mungesa të tjera. (Tani, trenat e Shqipërisë shkojnë shumë larg; nga Tirana gjer në…Durrës.)

Nëse ka ndonjë vend pa trena e pa hekurudhë në Ballkan, në Evropë jo se jo, na e thoni. Tek ne, kjo histori filloi me versionin e dekovileve, kontribut i austriakëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Hekurudha e vërtetë rinisi të ndërtohej në sistemin e shkuar. (Le ta gjejmë çfarë shkonte keq në ato kohë, por jo te hekurudha.) Ajo u zgjat nga Tirana në Shkodër, edhe më tej, gati për t’u lidhur me Malin e Zi dhe sistemin ndërkombëtar të këtij lloj transporti; kurse në Jug, gjer në Ballsh e Vlorë (edhe pse duke u tallur me atë fjalimin patetik të ish-Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Hekuran Isai). U ndërtuan qindra kilometra hekurudhë; një pjesë, me aksion nga disa breza, duke sakrifikuar nga jeta e vet, nga studimet e veta, kontribut me të cilin mund të krenohet modestisht edhe autori i këtyre radhëve. Tani, ne i numërojmë këto kilometra hekurudhë nga e keqja, se na vjen keq… (“Njeriu me kujtesë të mirë asgjë nuk kujton, sepse asgjë nuk harron.” S. Beckett) Gjatë Tranzicionit, Hekurudha u rrudh, ngordhi. Ekspertët, para do kohe, konstatonin se amortizimi ishte deri në 80%; transporti i brendshëm dhe ai i pasagjerëve arritën në shifra të papërfillshme. Një episod më vete, ishte shkatërrimi stacioneve të trenave, çka dalëngadalë u bë (dhe mbetet) një problem i madh për qytetarët; bie fjala, stacioni i Tiranës shkoi në Kashar; jo, në Ndroq, në Vorë. (Më parë, atje ishte stacioni i parë ku treni ndalej gjatë rrugës për në Durrës.)

“Janë bërë legjendë versionet Tiranë-Durrës e Tiranë-Rinas, fliten projekte dhe ëndrra për t’u lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe me Kosovën, lançohet një “projekt” me Greqinë… Por realisht, gjer më sot, ka vetëm ëndrra”

Por nga shkohet tani për në Durrës? Këta thonë është… 20 minuta; aq kohë, në mos më tepër, duhet për të dalë nga Tirana. Dhe në Tiranë, ka vend për ndërtime e kulla soj-soj (tashmë ky është një realitet i frikshëm) por nuk kishte vend për të ndërtuar një stacion treni e, po ashtu, stacione autobusësh ndërurbanë. Kudo, edhe në qytete gjigande, gjendet një stacion treni dhe disa stacione për autobusët ndërurbanë; në një rreze të pranueshme. Por ne bëjmë ndryshe nga të tjerët, në çdo gjë. Këta thonë që marrin përvojë nga… bota; dhe vërtet, e kanë parë dhe e shohin botën. Por nuk merret vesh pse e shohin mbrapsht. Se e kemi parë dhe e shohim edhe ne. (Me një ndryshim: ne, falë fatit, atje ku punuam, por sidomos dhe kryesisht, me lekët tona; kurse këta… edhe këta e shohin me… lekët tona. Nuk paska ndryshim!) Ani, kjo është e keqja më e pallogaritshme. Por meqë e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin botën, të na thonë në cilin qytet a kryeqytet të saj ka stacione trenash e autobusësh kaq larg e në skaje pa kuptim? Për të qenë sadopak realistë, le të themi se ka pasur ndërkohë disa financime, por ca më shumë janë shpeshtuar bisedat dhe debatet në rangje të ndryshëm. Janë bërë legjendë versionet Tiranë-Durrës e Tiranë-Rinas, fliten projekte dhe ëndrra për t’u lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe me Kosovën, lançohet një “projekt” me Greqinë… Por realisht, gjer më sot, ka vetëm ëndrra, vjedhje (nga lart e nga poshtë) dhe nuk është arritur asnjë objektiv; ndërmarrja gjigande nuk ka mbijetuar dot dhe aktualisht vendi është pa Hekurudhë. Po, jemi zgjuar një mëngjes Tranzicioni dhe kemi parë që sistemi hekurudhor është kthyer në kohën kur vullnetarët shtronin shinat gjer në Peqin. Të gjitha pushtetet që kanë qenë protagonistë në këto tri dekada, kanë secili barrën e vet të gafave dhe mosarritjeve. Me pangopësi zyrtarët e lartë, kryesisht partiakë të lartë e, sipas rendit, edhe të tjerë më poshtë, rrënuan një ekonomi që ishte në krizë, por prapëseprapë kishte njëlloj vlere. (“Kësaj i thonë vidh njërin xhep të mbushësh tjetrin.” Xh. Xhojs) Kjo ndodhi pak a shumë edhe me hekurudhën, që është mbase ndër më të trishtuarat “histori” të Tranzicionit. Fakti që s’kemi trena dhe hekurudhë, që në këtë pikë gjeografia jonë duket për të qarë, është jo vetëm një skandal i madh, jo vetëm një vjedhje e madhe, por më së pari është një turp i madh. Mirëpo këta e hanë turpin me bukë…