Ushqimet dhe faturat e ujit rrisin çmimet në shkurt

708
Shtrenjtimi i ushqimeve dhe rritja e çmimit të ujit në kryeqytet kanë bërë që inflacioni të përshpejtohet në muajin shkurt. Ndryshimi vjetor i çmimeve ishte më I larti që prej qershorit të vitit 2017. Në muajin shkurt 2018, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,1 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2 %, raportoi INSTAT. Pavarësisht rritjes, indeksi mbetet poshtë synimit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%, për disa vite radhazi tashmë, duke dëshmuar për një konsum relativisht të ulët, por edhe inflacion të ulët të importuar, të ndihmuar dhe nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit të muajit Shkurt 2018, krahasuar me Janar 2018, është 0,8 %. Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,62 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,11 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Mobile, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje.
Sigal