Urgjenca e Sarandës, pa kushte spitalore, ilaçe dhe shërbim të specializuar

357

Apel ministrit të Shëndetësisë, z. Halim Kosova për të zgjidhur problemet që ka Urgjenca e Sarandës

Urgjenca e spitalit civil “Petro Nako” të qytetit të Sarandës, që mban emrin e të ndjerit, mjekut “Stefan Mekshi” është katandisur në pikë të hallit, si nga infrastruktura, ashtu edhe nga shërbimi. Po të bësh një sondazh të përditshëm në këtë urgjencë, do të marrësh përgjigjen: Edhe në stallë të mbarë shtrimit të bagëtive nuk e gjen një gjendje të tillë, e jo më në spital. Është për të ardhur keq kjo situatë që ka zënë vend e tanimë është kthyer në fenomen pajtues e bashkëjetues. Një urgjencë e ndërtuar para pesë vitesh, tani në gjendje të mjerë me mure të çara, xhame të thyera, mungesë uji, mure të mykura nga lagështia dhe sikur të mos mjaftonte kjo edhe arrogancë, prepotencë, mospërfillje e mosshërbim nga shefja e këtij pavijoni të rëndësishëm të Spitalit Civil të Sarandës. Një hakmarrje deri sa as vulën tek rekomandimi i mjekut familjar për të shkuar në spitalet e kryeqytetit për trajtim mjekësor të specializuar nuk të vënë. Një hakmarrje e kësaj shefeje që as age për të bërë serumin nuk jep në urgjencë, por të drejton në farmaci. Një hakmarrje që nuk prek me dorë të sëmurët, por dërgon infermierët stazhier të merren me të sëmurin në urgjencë (natyrisht të kuptohemi se nuk kemi asgjë me praktikantët), por në raste emergjente të spitalit duhet profesionisti. Një njeri që e pickon gjarpri dhe dergjet për një gjilpërë me injeksion anti-helm dhe këtë nuk e merr për kokëfortësi të shefes. Pacientë dhe familjarë të stresuar dhe më e keqja dyer të mbyllura për të trokitur dhe ankuar. Një panoramë e dhimbshme me asgjë humane e në misionin fisnik të mjekut. Në fund, i nderuar lexues, që mund t’i kesh vuajtur edhe vet këto fakte që parashtrova në këtë shkrim, dua t’i bëj me dije ministrit të shëndetësisë shqiptare (megjithëse i sapo emëruar dhe i uroj suksese) z.Halim Kosova, që problemin dhe situatën në Urgjencën e Sarandës t’i marrë seriozisht. Zoti na ruajt të gjithëve, jo vetëm nga sëmundjet, por nga përballja me mjek të tillë.