Shatri e Sina: “Arsyet pse PS-LSI do të kenë një bashkëjetesë të gjatë”

601
Sigal

Flasin për “Telegraf”, ish-kreu i Qarkut Berat, Pelivan Shatri dhe kreu aktual, Petrit Sina, përfaqësues të LSI-së

Bashkimi i Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka ndikuar shumë në bashkëjetesën jo vetëm në Berat, por në shkallë vendi. Madje, kjo bashkëjetesë ngjalli shpresat tek Komuniteti i Beratit dhe më gjerë.

Pelivan Shatri

Ish-kryetari i Qarkut të Beratit prej 8 vjetësh, Pelivan Shatri, që më parë i përkiste Partisë Socialiste dhe tashmë ky ish-drejtues i është bashkëngjitur Lëvizjes Socialiste për Integrim, prej disa kohësh shprehet për gazetën “Telegraf” se: “Kjo ishte zgjidhja me e mundshme për këto dy forca politike të majta. Kjo do të ndikojë shumë në zhvillimin e këtij qarku, por edhe në të gjithë vendin, do të shihet ky ndryshim. Ne tashmë si dy forca politike ndihemi shumë të sigurtë për një fitore të thellë ndaj Berishës. Janë këto dy forca që në bashkëpunim do të rrëzojnë diktatorin më të fundit në Ballkan. Këto janë dy nga forcat politike që do të kenë një bashkëjetesë të gjatë, këtë fakt le ta mësojnë të gjithë. Këto dy parti kanë në përbërje të tyre një sërë intelektualësh dhe drejtues me vizion të gjerë, drejtuesit po nuk patën vizion, nuk kanë të ardhme për vendin e tyre. Unë si ish-kryetari i qarkut prej 8-vjetësh jam zëvendësuar nga një tjetër drejtues, një nga intelektualët e njohur siç është Petrit Sina, i cili është njëkohësisht dhe Kryetari i LSI-së në Qarkun e Beratit. Ne kemi marrëdhënie të mira. Qarku duke patur një bashkëpunim të mirë me socialistët ka arritur të realizojë shumë projekte. Unë gjithmonë kam dhënë ndihmesën time si një nga drejtuesit më të vjetër të qarkut. Ka qenë bashkëpunimi i mirë midis krerëve të qarkut. Ka bërë që dhe projektet të jenë të realizueshëm. Bashkimi i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim do t’u kthejnë besimin këtij populli, i cili prej disa vjetësh e ka humbur atë. Ky veprim është i vonuar, ai duhej të bëhej qysh në vitin 2005, por dhe tani nuk është vonë”, tha Shatri.

Petrit Sina

Ndërsa Kryetari aktual i Qarkut të Beratit, Petrit Sina është shprehur për gazetën “Telegraf”, se: “Ne si dy forca politike do të bëjmë më të mirën për këtë popull. Ne do të bashkëpunojmë me njëra-tjetrën dhe do të kemi një fitore të thellë jo vetëm në Qarkun e Beratit, por në shkallë vendi. Ne nuk jemi për hakmarrje, por për ndryshime. Ne jemi për integrimin e Shqipërisë në Europë, pasi do të jenë këto dy parti, ato që do të bëjnë këtë integrim. Disa persona duhet të ndërgjegjësohen se, bashkimi ishte i domosdoshëm, duhet të pastrojmë ndryshkun se po e gërryen Shqipërinë. Ne e kemi pritur shumë mirë ftesën e Partisë Socialiste. Meta e ka pritur me kënaqësi të madhe këtë ftesë zyrtare, pasi kjo ftesë do të ketë një bashkëjetesë shumë të madhe, pasi Meta di të zgjidhë situatat kur ajo është në favor të shqiptarëve”,- tha Sina.