Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Ekonomisë Eurorajonale “Alcide De Gasperi” në Poloni, organizuan konferencën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me temë “Kufijtë e të Drejtave të Njeriut: Dialog midis Detyrimeve dhe Lirisë”. Në panelin hapës të konferencës morën pjesë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, Igli Hasani, Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, rektorja e Universitetit Polak të shkencave të aplikuara Prof. Magdalena Sitek dhe Antonio Felice Uricchio, Presidenti i Agjencisë Kombëtare për vlerësimin dhe akreditimin e Universiteteve dhe Instituteve të Kërkimit shkencor, Itali dhe ish Ministri i institucioneve publike në Poloni, prof . Dr Psemesvath Carnek.

“Në një shtet si Shqipëria, që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, trajtimi i baraspeshuar i të drejtave dhe detyrimeve nuk është vetëm një objekt studimi, por edhe një detyrë politike dhe institucionale. Kjo nënkupton se çdo rend ligjor që pretendon të jetë evropian në frymë dhe përmbajtje, duhet të demonstrojë jo vetëm përfshirjen formale të këtyre të drejtave në legjislacion, por edhe funksionalitetin e tyre në praktikë përmes institucioneve të pavarura dhe efektive”, u shpreh Presidenti i Universitetit Mesdhetar në fjalën e tij.

Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani theksoi se Demokracia nuk është një stad i përfunduar, por një proces i vazhdueshëm. “Ajo kërkon ruajtjen e një ekuilibri të ndjeshëm mes lirisë dhe përgjegjësisë, mes të drejtave të individit dhe detyrimeve të shtetit, mes sovranitetit kombëtar dhe angazhimeve ndërkombëtare. Shqipëria i jep rëndësi ruajtjes së këtij ekuilibri duke fuqizuar individin e përgjegjshëm që ecën paralelisht me konsolidimin e institucioneve që mbrojnë interesin publik”, u shpreh Ministri.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, theksoi se është përgjegjësi e përbashkët që me kurajo dhe vizion profesional kushtetutat të sillen në kontekstin e jetës duke bërë të mundur të jenë sa më pranë qytetarëve, në mënyrë që e drejta kushtetuese të jetë gjithpërfshirëse dhe e prekshme në përditshmërinë e tyre. “Si drejtuese e gjykatës kushtetuese e shoh misionin tonë jo vetëm si detyrë por si një mision thellësisht njerëzor dhe në këtë kontekst duhet të jemi të gatshëm të përqafojmë dhe të implementojmë të drejtat e gjeneratës së re, si të drejta që janë të gjykuara të cilat mund t’i nënshtrohen procesit gjyqësor me qëllim që ato të interpretohen, të garantohen dhe të zbatohen”, u shpreh ajo.
Konferenca e bëri bashkë një komunitet të larmishëm ndërkombëtar studiuesish, ekspertësh dhe profesionistësh që vijnë nga fusha të ndryshme të dijes dhe vende të ndryshme të botës.






