Udhëzimi për shkollat/ Mësim me 4 turne, ç’ndodh nëse nxënësit infektohen. Tre skenarët për 9-vjeçaren e të mesmen

429
Sigal

Një vit jonormal i situatës shëndetësore në vend do të diktojë edhe mësim në kushte jonormale, me orë të shkurtuara 25-30 minuta, pa pushim të gjatë, deri në orët e mbrëmjes.

Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimin e detajuar pas diskutimeve me grupet e interesit, i cili s’ka asnjë ndryshim nga drafti i publikuar këto ditë nga gazeta. Dokumenti u vjen në ndihmë drejtorëve të shkollave, mësuesve, prindërve e nxënësve. Që tani kanë nisur të përllogaritet numri i nxënësve për çdo klasë, për të bërë ndarjen me turne e nënturne.

MËSIMI

Në rastin më të mirë të mundshëm, një shkollë do të mbyllë mësimin në orën 15:00 pas dy turneve të njëpasnjëshme me orë 30-minutëshe. Sakaq, të gjitha të tjerat do t’u nënshtrohen tri apo katër turneve mësimore, duke e mbyllur procesin mësimor çdo ditë në 19:45.

Më të vegjlit, ata të ciklit fillor, do të kenë përparësi, ndërsa klasat e ciklit të mesëm të ulët, nga VI-IX, do të jenë vetëm pasdite. Për të përfunduar të nxënit në klasë sa më shpejt, orët do të bëhen nga dy të njëpasnjëshme dhe vetëm 25-minutëshe. Thënë ndryshe, dy të tilla në klasë do të kenë kohëzgjatjen e një ore normale mësimore si vitet jopandemike.

Vetëm një pjesë e vogël shkollash në zonat rurale apo shkollat kolektive, ku bëhen bashkime nxënësish të klasave të ndryshme, do ta kenë “luksin” të mësojnë në banka me orë të plota 45- minutëshe, me nga një nxënës në bankë, duke respektuar kështu protokollin e sigurisë.

Ndonëse i vështirë për t’u zbatuar, ky është skenari i parë i hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Arsimit, zbatimi i të cilit tregon një qëndrueshmëri të situatës shëndetësore në vend. Një përkeqësim i shifrave, në shkollë, qytet apo edhe rang kombëtar do të sjellë në vëmendje skenarin e dytë, shkollën mikse, një javë mësim në klasa dhe javën tjetër online.

Ndërsa më i keqi i mundshëm dhe më i padëshiruari është skenari i tretë, ku i gjithë mësimi do të bëhet online, sikurse në tre muajt e vitit që lamë pas. Kjo do të sjellë grafik të ri oraresh dhe mënyrë krejt të re vlerësimi, ku në qendër do të jetë gjendja shëndetësore, sociale e mendore e nxënësit dhe jo dijet e marra prej procesit mësimor.

COVID NË SHKOLLË

Pasi u njohën me udhëzimin për mënyrën sesi do të zhvillohet mësimi, mësues e prindër kanë pyetur ministren për masat e sigurisë në rast se konstatohet një rast në shkollë, qoftë nxënës apo mësues.

Besa Shahini ka kthyer përgjigje përmes një videoje në rrjetet sociale, ku ka adresuar disa nga shqetësimet e tyre. “Protokollet e sigurisë së shëndetit e përcaktojnë qartë se si do të veprohet në rast se një nxënës, një mësues, apo një grup nxënësish del që është infektuar me COVID-19. Tamponimi ndodh për të gjithë grupin. Mbyllet klasa apo e gjithë shkolla në rast se klasa ka pasur komunikim apo kontakt me të tjerët dhe për një periudhë kohore të paracaktuar, që mund të jenë 2 apo 3 javë, grupi i nxënësve që do të jetë karantinuar do të vijojë mësimin në kushte shtëpie. Kjo është dhe arsyeja pse RTSH Shkolla do të punojë paralelisht me të gjithë procesin mësimor, që do të zhvillohet në objektet shkollore”.

Ndonëse udhëzimi nuk është shoqëruar me rritje buxhetore, ministrja sqaron se për mësimin në kushtet e pandemisë do të lindë nevoja për rekrutimin e mësuesve të rinj, si dhe orë shtesë për ata që janë në sistem. Për të dyja këto thotë se ka mbështetje financiare.

“Ne kemi planifikuar shtimin e numrit të mësuesve sipas nevojave. Nëse sëmuret një mësues apo nëse do duhet të mbulohen turne, ne kemi buxhet tashmë të shtuar për të mbuluar çfarëdo nevoje që mund të dalë gjatë vitit, për të siguruar një mbarëvajtje sa më të mirë të procesit mësimor”, deklaroi ministrja.

Sa i takon mësimit përmes RTSH Shkolla, është hartuar një paketë temash mësimore që po xhirohen dhe do të transmetohen paralelisht me kohën kur është parashikuar të zhvillohen në klasa, sido që të shkojë situata pandemike.

VARIANTET E MËSIMIT GJATË PANDEMISË

SKENARI 1: Mësimi zhvillohet në mjediset fizike të shkollës, duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, nëse situata e pandemisë është e qëndrueshme.
SKENARI 2: Mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë), duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, në rast se do
të ketë situatë të rënduar të pandemisë.
SKENARI 3: Mësimi zhvillohet vetëm në distancë, në rast se situata e COVID-19 përkeqësohet shumë në nivel kombëtar, në
nivel lokal ose në nivel shkolle.
Shembull i ndarjes së klasave:
Klasa IX-A ka 33 nxënës. Klasa ndahet në dy
grupe. Grupi i parë ka 17 nxënës. Grupi i dytë
ka 16 nxënës.
Klasa IX-A ka vetëm një regjistër, me të cilin punojnë të dyja grupet.
Ndarja në dy grupe kryhet mundësisht duke ndjekur renditjen e nxënësve në regjistër: p.sh., grupi i parë nga numri 1-17, ndërsa grupi i dytë nga numri 18-33.
Nxënësit nuk mund ta ndryshojnë grupin sa herë të duan. Ata do të caktohen në fillim në njërin prej grupeve dhe do ta vijojnë mësimin vetëm në atë grup.
Orari i mësimit do të hartohet për grupin e
parë të klasës IX-A, njësoj siç është hartuar
edhe më parë nga shkolla. I njëjti orar do të zbatohet edhe për grupin e dytë.
Grupi i parë do të zhvillojë mësim nga ora 8:00- 11:15, ndërsa grupi i dytë nga ora 11:45-15:00.
Nxënësit e një grupi kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime për angazhimin, pjesëmarrjen dhe frekuentimin, si edhe në klasat e plota.