Elona Agolli. Dialog me gazetarin 1991: Më fatkeq u ndjeva kur m’u larguan shumë shokë, për shkak të bindjeve politike

1053
Sigal

Viti 1991, vit fatkeq politik

 

Më thoni një rast kur e keni konsideruar veten me fat ?

Dritëroi: Rasti më i madh që e kam konsideruar veten me fat ka qënë ai kur më kanë vërshëllyer plumbat në të dy veshët dhe nuk mundën të më vrisnin. Kjo ka ndodhur në operacionin e qershorit të 1944-s , operacion i gjermanëve pushtues. Dhe rastin e dytë , që e quaj vërtet fat, unë mund ta dalloj atë ditë , kur u vendos në Ministrinë e Arsimit , më 1952, që të shkoja të studioja jashtë shtetit (në Rusi).

Më thoni një rast kur e keni konsideruar veten fatkeq ?

Dritëroi : Njeriu në jetë, ka shumë orë, ditë dhe vite kur ndodhet në fatkeqësi, ashtu siç ka edhe çaste kur gjendet në fatmirësi. Por unë do të veçoja vetëm një vit, kur e kam quajtur veten fatkeq, vitin 1991, kur shumë shokë, përkohësisht,  m’u larguan për arsye të mendimeve të ndryshme politike  mes meje dhe mes atyre. Ndër këta shokë, kishte plot edhe nga ata, që unë i pata ndihmuar në çaste të vështira të jetës së tyre.

Çfarë pëlqeni tek miqtë tuaj?

Dritëroi : Tek miqtë pëlqej ardhjen në shtëpinë time pa ceremoni dhe pa drojtje, thjesht pa telefonuar , vetëm me një trokitje në derë dhe me një thirrje : “ A je brenda , o lumëmadh !”

Çfarë ju duket bezdisëse te miqtë tuaj ?

Dritëroi: E mërzitshme tek miqtë e mi më duket kur më pëshpërisin : “filani tha kështu dhe ashtu për ty, se është hileqar dhe i poshtër, se ka miqësi edhe me atë hipokritin ,” . Me një fjalë, më mërzisin  miqtë  thashethemtarë.  Më duket e mërzitshme edhe kur më shpojnë rrugës me bërryl, e më thonë: “e sheh atë atje?”

Cilën gjë e bëni me shumë dëshirë dhe cilën e bëni me përtesë ?

Dritëroi : Unë jam një qenie njerëzore dhe zakonisht qeniet njerëzore i bëjnë me qejf ose gjërat e ndaluara , ose gjërat e rastësishme. Ju e keni vënë re në vitet shkollore, kur nuk lexonim letërsinë e detyruar,  por lexonim atë që nuk e kishim në program . Sipas Biblës, Eva dhe Adami, synuan drejt mollës së ndaluar. Rrjedhimisht, unë e kam kryer me përtesë atë që e kam patur për detyrë, përveç detyrës ndaj Atdheut që ngaherë e kam patur mbi gjithçka, edhe mbi jetën time. Sjellë në vëmendje nga Elona Agolli