U kapën duke transportuar heroinë dhe kokainë nga Gjermania në Norvegji, arrestohet grupi shqiptar

535
Sigal

Autoritetet gjermane e norvegjeze kanë arritur të shkatërrojnë një grup ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Grupi ishte përfshirë në trafikun e drogës midis dy vendeve. Operacioni u mbështet në mënyrë aktive edhe nga agjencia evropiane Eurojust, duke arrestuar pesë të dyshuar, tre në Gjermani dhe dy në Norvegji.

Gjatë hetimeve, 27 kilogramë heroinë dhe një kilogram kokainë u gjetën në një makinë rrugës për në Norvegji, bën me dije agjencia evropiane “Eurojust”.

Disa vendbanime janë kontrolluar dhe më shumë drogë është sekuestruar gjatë operacionit.

Hetimet filluan verën e vitit të kaluar dhe treguan se një rrjet kriminal shqiptar po trafikonte drogë nga Gjermania në Norvegji. Në bashkëpunim të ngushtë midis autoriteteve dhe me mbështetje nga Zyrat Ndërlidhëse Gjermane dhe Norvegjeze në Europol, filloi një operacion i fshehtë, i cili çoi në arrestimet.