Tymi ‘pushton’ Vlorën, zjarr i qëllimshëm në pikën e grumbullimit të mbetjeve, disa të shoqëruar

163
Sigal

Djegia e mbetjeve po kthehet në një problem serioz për Vlorën. Qyteti bregdetar vijon të vuaj këtë fenomen, ndërkohë që zjarri vijon të jetë aktiv që dje në fushën e mbetjeve në Vlorë. Puna për të penguar përhapjen e flakëve vijoi përgjatë gjithë natës ndërsa të premten në mëngjes zjarrfikëset ua lanë vendin fadromave që hodhën dhe mbi zonat ku ende kishte zjarr.

Në ndihme të tyre shkuan dhe mjetet e ushtrisë, ndërkohë tymi dhe era e rëndë mbuluan gjithë zonën. Banorët ngrenë shqetësim ndotjen e shkaktuar nga djegia e mbeturinave. Nga hetimi paraprak, ka dyshime se zjarri është i qëllimshëm, ndërkohë raportohet se disa persona janë shoqëruar.

Policia po punon ende për identifikimin dhe vendosjen para përgjegjësive të autorëve. Kjo është e treta herë që digjen mbetjet në Vlorë ndërsa landfilli i Sherishtës që ka kushtuar afro 20 milionë euro dhe ku duhej të depozitoheshin mbeturinat ende nuk ka nisur të funksionojë.