Radarët, tenderi i Ministres Kodheli kushtoi 3 miliardë e 750 milionë

1260
KLSH konstatoi në Ministrinë e Mbrojtjes shkelje të rënda në procedurat e tenderit pë radarët, ministria Kodheli nuk i merr parasysh
KLSH ka denoncuar abuzimet e miliarda lekëve nga Ministria e Mbrojtjes dhe shkeljet ligjore nga entet e prokurimit në krye të të cilëve qëndrojnë gjeneralë,t të cilët për këtë shërbim u graduan në poste të larta 
Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve dhe në aktivitetin e vetë udhëhiqet nga dy parimet bazë që janë misioni dhe vizioni I KLSH. 
Mosfunksionimi i radarëve krijoI mundësinë për qarkullimin e tonelatave të drogës të prodhuara në Shqipëri por edhe qarkullimin e tranzitit nga lindja në vendet perëndimore, duke përdorur lirshëm rrugët detare, tokësore dhe atë nga ajri. Veç kësaj vendi ynë si partner strategjik i koalicionit euroatlantik dhe anëtar i NATO-s nuk mundet të garantojë sigurinë dhe jetën e forcave speciale,atyre të shërbimeve policore, tregtare dhe civile si dhe jetën e personaliteteve të larta të botës euro-atlantike që vizitojnë Tiranën. Skandali i mungesës së radarëve që Ministria e Mbrojtjes duhet të kishte vendosur e mirëmbajtur e ka zanafillën shumë më herët. Rreth një vit më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes ku konstatoi shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik për radarët. Kësaj Ministrie për mirëmbajtjen e radarëve iu la si detyrë të kontaktonte kompaninë amerikane “Lockheed Martin Global INC USA”, gjë që nuk e bëri, edhe pse kishte ofertën më të mirë. Gazeta “Telegraf” e ka trajtuar këtë problem në shkurt të vitit 2016. Në këtë koment, kur skandali i mungesës së radarëve është kthyer në një debat të gjerë, “Telegraf” e risjell për publikun materialin e zgjeruar duke u bazuar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili auditoi këtë ministri duke patur parasysh, jo vetëm respektimin e ligjeve në RSH, në përputhje me praktikat me të mira të BE dhe me standardet ndërkombëtare të INTOSAI, por edhe duke kontribuar për qeverisjen e mire, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr. Bujar Leskaj, me shkresë Nr. Prot. 125/54, datë 30.09.2015 me lëndë “Mbi Auditimin në Ministrinë e Mbrojtjes dhe rekomandimet”, drejtuar Ministres Kodheli, krahas konstatimeve të mangësive dhe shkeljeve të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, të cilat paralelisht ishin trajtuar me detaje në Raportin Përfundimtar të Auditit, ka rekomanduar dhe kërkuar zbatimin e shumë masave (masa organizative, masa administrative-financiare me qëllim “Shpërblim dëmi ekonomik” si dhe masa disiplinore), ku ndër më kryesoret, specifikisht për procedurën e sistemit të radarëve, përmendim:
Përjashtimi i “Lockheed Martin Global INC USA” 
Procedura e prokurimit për “riparimin e radarëve dhe mirëmbajtje e sistemit të vëzhgimit të hapësirës detare shqiptare”, kryer në Ministrinë e Mbrojtjes (MM) dhe fituar nga firma shqiptare IDEA-TEL Sh.p.k. me vlerë të plotë, me vlerën totale të kontratës 756 234 180 lekë, me tvsh, e vendosur me nivel klasifikimi procedurë “I kufizuar” nuk ka qenë i mbështetur në asnjë dokument apo arsyetim tekniko-ligjor. Ministria e Mbrojtjes ka gabuar jo vetëm në llojin e procedurës së zgjedhur/ndjekur “I kufizuar”, kur e njëjta procedurë prokurimi është realizuar në vitin 2011 në formën “Procedurë e Hapur” në zbatim të ligjit “Për prokurimin publik” Nr.9643, datë 20.11.2006, i ndryshuar, por edhe në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë. Specifikisht theksohet se MM, për realizimin e kësaj procedure, duhet t’i kërkonte/bënte ftesë në veçanti kompanisë amerikane “Lockheed Martin Global INC USA”, e cila jo vetëm kishte ndërtuar dhe vendosur në punë këtë sistem radarësh, por krahas garancisë e besueshmërisë për punimet në sistem, ofronte çmime/oferta për të njëjtin lloj shërbimi deri 4 (katër) herë më të pak/ulët se sa vlera e tenderuar dhe ofruar nga firma shqiptare. Ministria e Mbrojtjes jo vetëm ka pranuar çmimet/ofertën e ofruara nga firma “IDEA-TEL” gjatë prokurimit, por ka “pranuar/miratuar dhe zbatuar” pa asnjë pengesë të gjitha kërkesat e firmës si për zgjatjen dyfish të afateve kohore për realizimin/përfundimin e punimeve dhe kontratave (si për kontratën bazë, ashtu edhe për kontratën shtesë) si edhe specifikisht në “ndryshimin/rritjen e çmimeve” të pajisjeve elektronike, të kërkuara në “kontratën shtesë”, pavarësisht ofertës dhe çmimeve të deklaruara gjatë procesit të tenderimit në MM, duke shkaktuar një dëm ekonomik 41 864 750 lekë. KLSH i ka rekomanduar Kodhelit, që duke respektuar “kushtet e sigurisë”, të orientojë/realizojë kryerjen e shpenzimeve financiare në zbatim të ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006, i ndryshuar, me qëllimin e sigurimit të transparencës, konkurrencës etj, dhe për mirë menaxhimin efektiv të fondeve publike.
Rekomandohet ftesa për kompani britanike dhe gjermane
KLSH i ka rekomanduar MM që, nisur nga specifikat që paraqet vetë procesi për “mirëmbajtjen e sistemit të SIVHD-së”, duhet të kërkojë/ftojë jo vetëm kompaninë amerikane “Lockheed Martin Global INC USA”, e cila në bashkëpunimet e mëparshme përveç cilësisë etj, ka afruar edhe çmimin më të ulët deri 4 herë, por në një kontekst më të gjerë dhe/ose çdo kompani tjetër të të njëjtit nivel që ofron “besueshmëri, forcë dhe siguri, në interesa më afatgjata gjeo-politike” (kompani nga aleatët strategjik të SHBA, Britania e Madhe, Gjermani etj). Në rast se MM nuk do të mund të realizojë kontratën e “mirëmbajtjes së SIVHD-së” me këto kompani, atëherë MM duhet të orientojë/organizojë marrjen e masave të nevojshme për realizimin e kësaj procedura direkt nga prodhuesi, nga vetë “prodhuesi i radarëve GEM Itali, etj (njëlloj si për “Blerjet për qëllime ushtarake”), e cila do të ndikojë në uljen e shpenzimeve të fondeve financiare publike. MM gjatë llogaritjes së fondit limit, duhet të evidentojë burimin e çmimeve për njësi për mallra/punime shërbimi objekt prokurimi të ofruara dhe në çdo rast duhet t’i dokumentojë ato në zbatim të pikës 2, të Kreut të III-të të VKMNr.1, datë 10.01.2007. KLSH ka autorizuar/urdhëruar Ministren Kodheli, si titullare e njësisë publike, nxjerrjen e “menjëhershme” të akteve administrative me qëllim “shpërblim dëmi ekonomik” për firmën IDEA-TEL Sh.p.k. në vlerën totale 41 864 750 lekë, të vjetra, nga ku 24 822 170 lekë, të vjetra, për mos zbatimin/realizimin në kohë të shërbimeve dhe punimeve në kontratën për “Blerjen, instalimin e pajisjeve dhe riparimin e sistemit të radarëve – SIVHD-së” si edhe 17 042 580 lekë, të vjetra, për shkak të rritjes/ndryshimit flagrant, jashtë çdo argumentimi dhe referencë ligjore, të çmimeve të pajisjeve elektronike të radarëve, krahasuar me ofertat fillestare të dorëzuara nga vetë firma gjatë realizimit të tenderimit të kësaj procedure.
Penalitetet për gjeneralët abuzues
Njëkohësisht KLSH i ka kërkuar Ministres Kodheli, ndër të tjerëve, që për titullarin – ushtarakun Gjeneral Brigade Qemal Shkurti, (si Komandant i Komandës së Forcës Detare, në atë kohë) të jepet masa disiplinore, sipas shkallës së renditur të dhënies së masave disiplinore, referuar manualeve të RJB të FA/MM, nga “vërejtje deri në largim nga pozicioni i detyrës” që ka mbajtur, kur ishin konstatuar shkeljet nga KLSH-ja. Masa disiplinore-administrative argumentohej me faktin se Gjeneral Brig. Qemal Shkurti ka urdhëruar rishikimin/ndryshimin në “rritje” të çmimeve të disa artikujve – pajisjeve për radarët, i cili është shoqëruar me dëm ekonomik në vlerën 17 042 580 lekë, të vjetra, në tenderin – “kontratën shtesë” me objekt “blerjen, instalimin e pajisjeve dhe vendosjen në punë të SIVHD-së” me fondin limit të saj prej 96 044 920 lekë të vjetra, në kundërshtim flagrant me pikën 3 të Nenit 35/1, të ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006, i ndryshuar, si edhe të pranimit/miratimit të shtyrjes dyfish të afateve kohore për zbatimin e kontratës (edhe për kontratën shtesë) nga firma IDEA-TEL Sh.p.k. me Nr. 382/4, datë 30.12.2013, me 45 ditë (pra 90 ditë gjithsej), në kundërshtim me përcaktimet e përshkruara në kontratën e lidhur midis palëve, pa zbatuar penalitetet me vlera të llogaritura ndaj firmës në shumën 24 822 170 lekë, të vjetra. Ministria Kodheli “urdhëroi” personalisht Gjeneral Maj. Shkurtin për pranimin e ndryshimit/rritjes së çmimeve të pajisjeve të radarëve sipas ofertës të firmës private. KLSH-ja e ka definuar komplet procesin e prokurimit për “riparimin dhe mirëmbajtje e radarëve – sistemit të vëzhgimit të hapësirës detare shqiptare” për vitin 2014, veçanërisht procesin e lidhjes së “kontratës shtesë”, si një poçes komplet të “kompromentuar”, i cili është shoqëruar me ndryshimin flagrant të “imponuar, jashtë çdo rregulli” të çmimeve të disa pajisjeve elektronike të radarëve, sipas kërkesave dhe ofertave financiare të dorëzuar nga vetë firma IDEA-TEL Sh.p.k. E vërteta e hidhur dhe faktet e dokumentet tregojnë qartë se pasi grupi i punës, që kishte hartuar studimin dhe ndiqte zbatimin e kontratës për “riparimin e sistemit të radarëve”, nuk kishte pranuar kërkesën e KFD-së (Njësisë së Prokurimit) pra të vetë firmës për njohjen e disa artikujve/pajisjeve si “të rinj” sipas kërkesës së KFD-së me Nr. 02/1, datë 05.03.2014 “Kërkesë për përcaktimin e kapaciteteve/specifikimeve teknike të disa pajisjeve elektronike të radarëve, të përfshira në listën e materialeve shtesë, që janë kërkuar të blihen brenda “Kontratës shtesë”, vetë personalisht Ministria Kodheli urdhëroi Gjen. Maj. Qemal Shkurtin të përgatiste dhe dërgonte urgjentisht direkt tek Ministria një “informacion mbi procesin e lidhjes së kontratës shtesë”, i cili i është dërguar me shkresën Nr.900, datë 07.03.2014 mbi “Informacion mbi lidhjen e kontratës shtesë (20% të vlerës së kontratës fillestare) me shoqërinë “IDEA TEL”. Paralelisht një kopje të këtij informacioni ishte kërkuar urgjentisht, jashtë çdo procedure administrative, edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjen. Major Jeronim Bazo, për t’ia dërguar në postën e tij elektronike! Pikërisht në këtë informacion për Ministren Kodheli ishte theksuar fakti dhe konstatimi për tendencën flagrante të ndryshimit të çmimeve nga OE për disa artikuj, krahasuar me çmimet e fiksuara në “marrëveshjen kuadër”. “Çuditërisht” vetëm pas 2 dite, po ky Gjeneral, i cili kishte kundërshtuar për mbi një muaj lidhjen e kontratës shtesë me ato pretendime të firmës për ndryshime/rritje çmimesh të pajisjeve, ka nxjerrë urdhrin Nr. 89, datë 10.03.2014 për realizimin e testimit të tregut për këta artikuj, tani të miratuara prej Tij si artikuj “të rinj”.
Arroganca e ministres Kodheli
Ky ndryshim gjykimi dhe vendimi i Gjeneralit është detyruar/imponuar dhe urdhëruar direkt nga vetë Ministria Kodheli, e cila vazhdoi rrugën e përndjekjes dhe ndëshkimit edhe ndaj “autorit” të përgatitjes së informacionit të lart-përmendur, ku Ajo personalisht, pa asnjë lloj motivacioni dhe shkaku/arsye pas një muaji “liroj” dhe nxori në “dispozicion vjetor” të SHPFA-së nga detyra Komandantin e QVD-së N/Kol. Inxh. Gjergji Vasili, i cili brenda një viti në detyrë realizoi studimin teknik legal dhe ligjor për “riparimin dhe mirëmbajtjen e sistemit” si edhe mundësoi vendosjen në punë të plotë të sistemit të radarëve. Kjo “emergjencë” e elitës drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes, çiftit Kodheli – Bazo, për lidhjen e kontratës shtesë me “çdo çmim, shkelje dhe dëm ekonomik” duke ushtruar hapur ndaj KFD-së në ekstrem influencën, presionin dhe forcën e pushtetit të postit, ishte sepse sistemi i radarëve nuk ishte vendosur ende në gatishmëri pune (ishin faktikisht në punë vetëm 3 nga 7 radarët) dhe për vetë faktin tronditës se “gabimisht” Ministria Kodheli, që më datën 19.02.2014 – pra rreth një muaj përpara, në vizitën që kishte realizuar në KFD dhe QNOD (Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Durrës) kishte “deklaruar dhe mashtruar” para mediave dhe përfaqësuesve të Institucioneve/autoriteteve ndërkombëtare për mbylljen/realizimin në “kohë rekord” të procesit të “riparimit të sistemit të radarëve”. Këtë mashtrim Ministria Kodheli e ka zhvendosur, madje brenda Parlamentit shqiptar, deri në muajin “janar”.
Kodheli nuk ka zbatuar asnjë nga masat administrative të KLSH 
Ministria Kodheli, procedurën e prokurimit për “mirëmbajtje e sistemit të vëzhgimit të hapësirës detare shqiptare” për vitet 2015 – 2017, me një fond financiar të prokuruar në nivelin e ri rreth 3.7 miliard lekë, të vjetra – pra rreth 1.25 miliardë lekë në vit!, e ka ri-vendosur dhe prokuruar përsëri me nivel klasifikimi procedurë “I kufizuar”, duke mos u mbështetur në asnjë dokument apo arsyetim tekniko-ligjor. Ministria Kodheli ka ri-përzgjedhur përsëri, bile me një mbrojtje fanatike personale direkt edhe përpara Parlamentit Shqiptar, për këtë procedurë të “kufizuar” si gjithmonë të njëjtin Operatorë Ekonomik personal “strategjiko-financiar” firmën IDEA-TEL. Ministria Kodheli, me vetëdije të plotë dhe arrogancë cinike nuk ka respektuar “kushtet e sigurisë”, nuk ka garantuar dhe zbatuar kryerjen e procedurave të prokurimit për kryerjen e shpenzimeve financiare në zbatim të ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006, i ndryshuar, duke mundësuar sigurimin e transparencës dhe të konkurrencës së ndershme në këtë procedurë si edhe për mirë menaxhimin efektiv të fondeve publike. Ministria Kodheli, personalisht ka larguar/përjashtuar përfundimisht nga procesi për “mirëmbajtjen e sistemit të SIVHD-së kompaninë amerikane “Lockheed Martin Global INC USA”, pavarësisht “besueshmërisë, forcës dhe sigurisë dhe interesave afatgjata gjeo-politike”, e cila kishte afruar çmime më të ulët deri 4 (katër) herë për realizimin e këtij shërbimi. Ministria Kodheli ka përjashtuar dhe mbyllur çdo mundësi të realizimit të këtyre procedurave direkt nga vetë “prodhuesi i sistemit të radarëve GEM Itali, etj (si për rastet e procedurave të MM për “blerjet për qëllime ushtarake”), sepse nuk do të mundet të realizonte “fondin” privat financiar “Kodheli – Kraja”, meqenëse firma private i ka garantuar kryerjen e këtyre shërbimeve rreth 4 (katër ose 250%) herë më të “shtrenjta” se vetë distributorët e huaj. Ministria Kodheli, pavarësisht xhirimeve financiare marramendëse, totalisht për procedura prokurimi fiktive, vetëm këto për vitin 2015 në shumat 764 594 930 lekë, të vjetra, për firmën IDEA-TEL, nuk ka nxjerrë ende asnjë “akt administrativ” me qëllim “shpërblim dëmi ekonomik” ndaj firmës, si për vlerën e “dëmit ekonomik” të shkaktuar nga po kjo firmë në procedurën e “mirëmbajtjes së sistemit të radarëve” gjatë vitit 2011 (në nivelin e dëmit ekonomik 58 565 010 lekë, të vjetra), ashtu edhe specifikisht për procedurën e kontratës së “riparimit dhe mirëmbajtjes së sistemit” gjatë vitit 2014, e vlerësuar vetë nga KLSH në vlerën totale të dëmit ekonomik 41 864 750 lekë, të vjetra.
Gjeneralët firmosin kontrata korruptive dhe xhirojnë miliarda lekë
Ministria Kodheli, përkundrejt rekomandimeve/masave administrative të KLSH nga “vërejtje deri në largim nga pozicioni i detyrës” për titullarin – ushtarakun Gjeneral Major (ish Brig.) Qemal Shkurti, si ish Komandant i Komandës së Forcës Detare; për mbylljen paqësore tepër “efektive” pa asnjë lloj penaliteti dhe pengese ndaj pretendimeve – objektivave financiare të firmës, miratimit të të gjitha ndryshimeve të disa herëta të listës së pajisjeve dhe shërbimeve sipas dëshirës së firmës për pjesën e dytë të kontratës për “mirëmbajtjen e sistemit të SIVHD-së” për vitin 2014, e shtyrë kjo kontratë jashtë çdo limit kohor deri në muajin shkurt 2015; për mos lidhjen e kontratës me firmën amerikane “Lockheed Martin Global INC USA” për mirëmbajtjen 5 vjeçare të “softit MTM200”; për lejimin/miratimin e ri-hartimit të studimit për “mirëmbajtjen e sistemit të radarëve” tani 3 vjeçar 2015 – 2017, jo më me fondin dhe procedurën me “çmime për njësi për çdo riparim/zëvendësim dhe shërbimi periodik” në sistem por sipas variantit të vetë-kundërshtuar me forcë nga po ky Gjeneral përpara gjithë Drejtorëve të SHPFA dhe Gjeneral Maj. Bazo-s, tani sipas variantit “Kodheli-Kraja-Bazo-Dimo” – “full risc – pra vjedhje totale pa rrezik” me fondin marramendës 3.75 miliard lekë, (ose afërsisht 1.25 miliard për vit kalendarik), kur depot e sistemit ishin të mbushura me pajisje dhe materiale zëvendësimi; e shpërbleu këtë Gjeneral me dhënien e gradës së radhës – yllit të “Gjeneral Major-it” si edhe me “emërimin” me mision jashtë shtetit për të përfaqësuar FA në NATO. Pra “urdhri” i Ministres për të “motivuar dhe vlerësuar” ecurinë e karrierës ushtarake pra për t’u ngritur në detyrë dhe në gradë është pranimi i “nënshtrimit, bindjes, firmosjes” të procedurave abuzive dhe korruptive të Ministres Kodheli!. Sistem vlerësimi apo variant tjetër për të fituar “yllin” e radhës dhe vendin/postin e karrierës nuk ka. Ky është “urdhri i shpërblimit me një yll” për çdo Gjeneral. Pretendimet dhe akuzat e parashtruara më sipër për Ministren Kodheli vërtetohen 100 % me rastin/faktin “ylber, jo më yll gjenerali” të zëvendësimit dhe emërimit të Komandantit të Forcës Detare, “të kapurit” Gjen. Brig. Ylber Dogjani (specialiteti ushtarak “transport”). Ky ushtarak madhor, brenda 5 vjetësh ka kaluar nëpër detyrat ushtarake tepër specifike për menaxhimin e fondeve financiare, të burimeve njerëzore dhe të aferave “të përgjimeve”, të shumë pretenduara atëherë dhe tani nga Kodheli, më të përfolurat për abuzime në FA (sipas Auditit të MM, KLSH dhe dosjeve të dërguara në prokurori) si: Zv.Komandant i Brigadës Logjistike, Komandant i Qendrës së Personel Rekrutimit (QPR), Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake (AIU), për rreth 1 vit në detyrë tetor 2014 – nëntor 2015 si Komandant i Komandës Mbështetëse (pra ish Brigada Logjistike) dhe së fundmi i emëruar si Komandanti i Forcë Detare, ku lidhjen e tij me “detin” mund ta “qartësojë” vetë Ministria Kodheli, që i takon tani si Ministre të “lëpijë me kripë deti” atë që ka deklaruar dhe mbrojtur me fanatizëm në të kaluarën e saj nga tribuna e “Rilindjes”.
(Telegraf do të vijojë me raportin e zgjeruar të KLSH në lidhje me prokurimet, shkeljet dhe masat e rekomanduara për abuzuesit e financave publike dhe taksapaguesve shqiptarë.)
Sigal