Transparenca e KLSH-së përballë partnerëve strategjikë të saj

931
Kriza financiare globale, e cila shkatërroi vendet e punës dhe dëmtoi rritjen ekonomike në shumë pjesë të botës, përqendroi vëmendjen në nevojën për një transparencë më të madhe në sektorin publik dhe atë privat. Kjo thirrje për transparencë, së bashku me shtrirjen gjithnjë e më të gjerë të internetit, digjitalizimin e të dhënave, përdorimin e teknologjisë si dhe nga lëvizjet e ndryshimeve shoqërore dhe politike, krijuan atë që quhet “agjendën e hapur të veprimtarisë”. Në Transparency International Strategy 2020 (TIS) theksi vihet në ndryshimin që, institucionet publike dhe private të zbatojnë standardet më të larta të transparencës, llogaridhënies dhe integritetit për të parandaluar dhe përballuar korrupsionin. “Transparenca” mund të përshkruhet si parim që njerëzit, të cilët varen nga vendimet administrative, transaksionet e biznesit ose subvencionet, fitojnë njohuri se si bëhen vendimet që i prekin ato në mënyrë direkte ose indirekte. Është detyrë e nëpunësve civilë, menaxherëve dhe agjencive të veprojnë në mënyrë transparente, të kuptueshme dhe të parashikueshme. Vitet e fundit po bëhen përpjekje të madhe për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe një nga kriteret e rëndësishme për tu plotësuar është, përshtatja e legjislacionit të Komunitetit Evropian në hapësirën e tyre ligjore dhe pastaj ta vënë atë në zbatim. Ndërmjet shteteve demokratike është arritur një konsensus i përgjithshëm mbi përbërësit e qeverisjes së mirë, që përfshijnë disa parime, ku përveç të tjerave është transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në vendim marrjen e institucioneve publike. Sa më sipër procedurat transparente nënkuptojnë mbledhjet e hapura, publikimin e gjendjes financiare, legjislacionit, buxhetin, auditimet, prokurimet etj. Në Republikën e Shqipërisë ekziston një nevojë dhe domosdoshmëri për ndërgjegjësimin dhe edukimin e vetë institucioneve për transparencë në administratën publike. Si e tillë, vendi ynë ka nevojë të përmirësojë politikat e qeverisë për sa i përket transparencës si dhe qytetarit i duhet ofruar një pasqyrë për një administratë publike të depolitizuar, profesionale dhe të zhvilluar duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare të menaxhimit të burimeve njerëzore. Vetëm një qasje e tillë do të siguronte krijimin dhe zhvillimin e një administrate publike të pa korruptuar dhe të pavarur nga ndikimi politik, e cila bazë themelore të funksionimit të saj ka ligjin dhe si e tillë është në shërbim të të gjithë shoqërisë. Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit në administratën publike duhet të jetë rrënjësor dhe të gjitha institucionet duhet të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me njëra tjetrën. Duhet të kthehet besimi i publikut dhe të rritet rezistenca kundër sjelljes dhe praktikave të korruptuara. Mungesa e transparencës në marrëdhëniet midis politikanëve, shërbyesve civilë, udhëheqësve publikë dhe bizneseve të tyre krijon një ambient të mbyllur ku mundësia dhe presioni i korrupsionit është i lartë. Këtë nismë të rëndësishme, nëpërmjet një pune me vullnet të palodhur, prej viti 2012 e deri më sot, e ka vënë në zbatim një nga institucionet model të vendit tonë, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas standardeve ndërkombëtare (ISSAI 20), nocioni i transparencës i referohet raportimit publik të besueshëm, të qartë dhe relevant të SAI mbi statusin, mandatin, strategjinë, aktivitetet, menaxhimin financiar, operacionet dhe performancën e SAI-t. Përveç kësaj, ai përfshin detyrimin e raportimit publik mbi gjetjet dhe konkluzionet e auditimit, si dhe qasjen e publikut në informacionin mbi SAI. Duke i vënë gjetjet e tyre të auditimit në dispozicion të publikut, SAI-t ofrojnë një dritare kritike mbi transparencën në menaxhimin e financave publike. Kohët e fundit qytetarët i shikojnë Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) si institucione të besueshme, të cilat nëpërmjet raporteve dhe gjetjeve të tyre ndihmojnë në përdorimin e fondeve publike me ekonomicitet, eficiencë dhe efikasitet. Ata duan të dinë se si shpenzohen fondet publike nga institucionet publike dhe se si institucionet i kryejnë detyrat e tyre. Sot, siç është theksuar më parë, ekziston një kërkesë më e fortë për promovimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë, e cila kërkon forcimin e transparencës dhe llogaridhënies. Si një institucion kyç për t’iu përgjigjur kësaj kërkese, SAI-t po marrin shumë rëndësi, roli dhe përgjegjësitë e tyre po rriten vazhdimisht. Siç theksohet në standardet ndërkombëtare, SAI duhet të komunikojë në mënyrë të qartë me qytetarët se çfarë bëjnë dhe çfarë vlere të shtuar ata krijojnë për shtetet dhe shoqëritë e tyre në mënyrë që të rrisin njohuritë publike rreth rolit që luan SAI në aspektin e llogaridhënies dhe transparencës. Sa më sipër, bazuar në motot “Udhëheqja nëpërmjet shembullit” dhe“Qytetarët janë përfituesit kryesorë të auditimit publik”, KLSH ka nxitur rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës, dhe përdorimit me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet të pasurisë publike, duke forcuar integritetin dhe besimin e publikut tek institucioni, për të qenë vlerë e shtuar për shoqërinë dhe të sjellë ndryshim në jetën e qytetarëve. Ndryshimi në drejtimin e institucionit në dhjetor 2011 solli transformime të rëndësishme në filozofinë e menaxhimit të KLSH-së, si dhe të raportit të institucionit me palët e interesit në përmbushjen e misionit të tij kushtetues. Kryetari i ri i këtij institucioni shumë të rëndësishëm, theksonte në fund-vitin 2011, se “Do të realizojmë përmirësimin e transparencës në marrëdhëniet me publikun, nëpërmjet një partneriteti të gjerë me median dhe me organizatat jo-fitimprurëse që luftojnë korrupsionin”. Kjo qasje e KLSH-së e ndjekur përgjat një periudhe 2012-2018 është në përputhje të plotë dhe bazohet në standardet profesionale të auditimit publik suprem, ISSAI-t, ku po përmend disa prej tyre, si Deklarata e Limës (ISSAI 1), Standartin ISSAI 20 “Parimet e Transparencës dhe të Përgjegjshmërisë”, Parimi i 8-të, mbi komunikimin në kohë dhe gjerësisht të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-t), në ISSAI-n 12 “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit – Të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, dhe Parimi i 6-të mbi komunikimin efektiv me palët e interesit. Këto standarde e orientuan institucionin se si të jetë sa më i efektshëm në përcjelljen e informacionit për auditimet dhe gjetjet e tij, jo vetëm për Kuvendin, por edhe për publikun e gjerë. Krahas njoftimeve për shtyp për rezultatet e auditimeve, KLSH zgjodhi këtë qasje origjinale dhe të drejtpërdrejtë, komunikimin me qytetarin nëpërmjet shkrimeve, editorialeve, analizave në shtypin e përditshëm. Transparenca dhe përgjegjshmëria e aktivitetit të institucionit ka përbërë një nga treguesit kryesorë të modernizimit të tij dhe ka rritur besimin e publikut dhe qytetarëve. Gjatë aktiviteteve audituese 2012-2018, KLSH-ja e ka konsideruar transparencën si instrument të nxitjes së llogaridhënies të administratorëve publik. Ky parim nënkupton dhe i referohet disponibilitetit të informacionit të raporteve të auditimit ndaj publikut të gjerë, në përputhje me rregullat që qeverisin këtë proces, duke i konsideruar qytetarët si aleatin më besnik në luftën kundër korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë nga nëpunësit publik. Transparenca ka qenë dhe vazhdon të mbetet shprehje e filozofisë dhe përqasjes së institucionit të KLSH-së për të vendosur në plan të parë interesat e qytetarit. Duke pasur si mision informimin e publikut dhe Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me përgjegjshmërinë e qeverisë dhe të enteve të tjera publike për përdorimin e burimeve publike sipas ligjit, me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë dhe nxitjen e kësaj përgjegjshmërie në të gjithë sektorin publik, për shtimin e luftës kundër korrupsionit, KLSH e ka vënë gjithmonë theksin në forcimin e bashkëpunimit me palët e interesit, si: qytetarët, Parlamentin, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Konferencën e 7-të Ndërkombëtare Antikorrupsion, e organizuar në Lima të Perusë, për Komunitetin INTOSAI, ku KLSH ishte pjesëmarrëse, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe rritjen e rolit të tyre në ndihmë të një qeverisjeje sa më transparente. Simpoziumi i 24-t i Përbashkët OKB-INTOSAI i maj-qershorit 2017 theksoi sfidën e përdorimit të të dhënave të hapura “open data” jo vetëm si impute për auditimet, por edhe si outpute në përdorim të qytetarit, duke cilësuar se “të dhënat nga auditimi mund të publikohen si të dhëna të hapura, me qëllim që të merret përfitim shtesë për publikun… Për këtë, SAI-t kanë një rol qendror në promovimin e transparencës, si dhe aksesit të qytetarit, publikut dhe shoqërisë civile në informacionin qeveritar”. Nga viti në vit, KLSH dhe Kuvendi i kanë ngritur raportet e tyre në një shkallë më të lartë duke shërbyer si aktorë kryesorë të transparencës dhe llogaridhënies, në funksion të informimit të qytetarëve mbi mënyrën sesi shpenzohen fondet publike. Janë intensifikuar marrëdhëniet jo vetëm në nivel mbledhjesh për raportim të institucionit, por është rritur pjesëmarrja e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë në aktivitete të organizuara nga KLSH, të tilla si Konferenca Shkencore, takime me vlerësues dhe ekspertë nga Institucionet Ndërkombëtare dhe homologët etj. Partneriteti me shoqërinë civile dhe mediat ka filluar të institucionalizohet në vitin 2012 nëpërmjet marrëveshjeve të nënshkruara nga Kryetari i KLSH me disa OJF (Albanian Platform for Policiy Advocacy, Integrimi Urban, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Institutin për Studime Publike dhe Ligjore, Shoqata Mjedisore të ndryshme, Shoqatën e Ish të Përndjekurve), ndër më aktivet në luftën kundër korrupsionit për më shumë transparencë në qeverisje. Organizimi tashmë prej një periudhë 5-vjeçare për publikun e gjerë të aktivitetit “Java e hapur”, duke ofruar informacion, dëshmon për vendosmëri në transparencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë të institucionit me publikun. Kjo eksperiencë u zhvillua më tej në Nëntor të vitit 2017, ku institucioni u ofroi qytetarëve shqiptar “Muajin e hapur” me shumë aktivitete, seminare dhe prezantime për ta sjellë veprimtarinë e institucionit sa më pranë qytetarit. Në zbatim të parimit 8-të të ISSAI 20 për komunikimin aktiv të SAI-t nëpërmjet publikimeve, gjatë periudhës 2013-2018 institucioni ka botuar libra, shkrime të audituesve, revista shkencore, manuale të auditimit etj. Vetëm gjatë kësaj periudhe KLSH, në fushën e komunikimit dhe të transparencës me publikun, ka përgatitur kolanën e saj të botimeve, e cila ka arritur në fund të vitit 2017 në 83 tituj, nga vetëm 12 botime modeste të periudhës 1992-2011. Botimet e KLSH-së janë zbatim i detyrimeve ndërkombëtare të angazhimit të institucioneve të auditimit edhe në fushën e botimeve të dokumentacionit, për t’i mundësuar qytetarëve një akses më të gjerë. Për vitin 2017, institucioni ka qenë i pranishëm 6.7 herë më shumë me informacione dhe mesazhe në median e shkruar dhe ka gjashtëfishuar praninë e tij në mediat audiovizive, krahasuar me vitin 2010, duke kontribuar në median e shkruar të vendit me 521 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike përgatitur nga audituesit e tij. Lufta kundër mashtrimit dhe korrupsionit nëpërmjet auditimeve të KLSH njeh tregues konkretë të cilët kanë ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit të tilla si intensifikimi i rasteve dhe rritje e numrit të kallëzimeve penale. Rreth 98% e vendimeve të Kryetarit të KLSH-së për gjetjet dhe rekomandimet nga auditimet sot publikohen në faqen në internet të institucionit në kohë pothuajse reale. Raportet më të rëndësishme të auditimit i janë dërguar dhe komunikuar Kuvendit, duke synuar një ndërveprim aktiv me Ligjvënësin. Transparenca dhe përgjegjshmëria institucionale ka arritur në nivelet më të larta të arritura në vitet e fundit, duke krijuar një aset të madh për institucionin e KLSH-së, aset që do të zhvillohet dhe fuqizohet më tej. Në Strategjinë për zhvillimin e institucionit të KLSH 2018-2022 dhe Strategjinë e komunikimit, theksohet se faktorë kyç në rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjes janë marrëdhëniet e KLSH me publikun dhe Kuvendin, si dhe duke përfshirë edhe partnerë të tjerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Gjithashtu KLSH, përveç zhvillimeve të rëndësishme dhe konkrete që ka arritur, sot ndodhet përball disa objektivave sfidues, të cilat do ndihmojnë në forcimin e mëtejshëm të pozitave të veta si institucioni kryesor në kontributin në luftën ndaj korrupsionit dhe mirëqeverisjen, konkretisht:
1. Garantimi i vazhdueshëm i transparencës dhe aksesibilitetit të të gjitha palëve të interesit në KLSH;
2. Promovimi i një komunikimi efektiv me qytetarët dhe Parlamentin, në kuadër të rolit të KLSH-së si një “watchdog” që siguron transparencë mbi fondet publike;
3. Përmirësimi i cilësisë së të dhënave të ofruara për palët e interest (saktësia, qëndrueshmëria dhe kohëzgjatja);
4. Konsolidimi i pjesëmarrjes së audituesve në opinion-dhënien në median e shkruar dhe kalimi gradual drejt dhënies së opinionit në emisionet televizive;
5. Forcimi i kapaciteteve të auditimit, si atij të brendshëm dhe të jashtëm publik;
6. Përmirësimi i vazhdueshëm i bazës ligjore, rregullatorë dhe metodologjisë së KLSH, në përputhje me standardet INTOSAI dhe praktikat më të mira evropiane;
7. Vëmendja e vazhdueshme ndaj qytetarëve, Parlamentit, palëve të interesuara, ndaj ngjarjeve dhe shqetësimeve të vendit, duke përdorur një komunikim efektiv.
Parë në tërësi këto sfida, me qëllim realizimin e tyre, nuk do të mjaftonte vetëm puna e Kontrollit të Lartë të Shtetit, por e të gjitha institucioneve që përbëjnë një sistem publik të cilat, duhet të punojnë së bashku për të identifikuar dhe përcaktuar një rrugë zhvillimi që do të çojë në përmirësimin e qeverisjes, sigurimin e transparencës, llogaridhënies, parandalimin e mashtrimit, abuzimit dhe korrupsionit si dhe të plotësojë kërkesat për përdorimin efikas të burimeve në sektorin publik.
Sigal