Mesi: “Integrimi Digjital, detyrim dhe angazhim për qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm”

657
Shkup / Samiti i Parë i Digjitalizimit të Ballkanit Perëndimor 
Maqedonia mirëpret në Shkup, mes datave, 18-19 Prill, organizimin e Samitit të Digjitalizimit të Ballkanit Perëndimor, i cili mbledh Krerët e Qeverive nga rajoni, përfaqësues të rëndësishëm nga bizneset, organizatat rajonale, rinia, akademia dhe shoqëria civile e Ballkanit Perëndimor. Objektivi kryesor i këtij Samiti është ngritja e një platforme digjitale për shkëmbimin e ideve dhe propozimeve brenda Ballkanit Perëndimor. 

Në ditën e parë të këtij Samiti ishte e pranishme ZëvendësKryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi, e cila mori pjesë në panelin me temë “Integrimi i Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tregun Digjital Pan-Evropian” së bashku me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, Presidentin e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Denis Zvizdiç, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Ministren e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliç.

Në fjalën e saj, ZëvendësKryeministrja Mesi, duke shprehur angazhimin e plotë të Shqipërisë drejt integrimit digjital të rajonit brenda tregut digjital pan-evropian, shprehu bindjen se ky integrim mund të jetë një realitet dhe se ai përbën një detyrim dhe angazhim për qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm. “Si rajon, jemi plotësisht të angazhuar për të zhvilluar më tej agjendën digjitale nëpërmjet projekteve konkrete dhe iniciativave të përbashkëta. Përshtatja e strategjive të aftësisë digjitale në linjë me modelin e BE-së, domosdoshmëri për të gjithë rajonin”, shtoi Znj. Mesi. 

Në lidhje me politikat e koordinuara të ‘Roaming’, ZëvendësKryeministrja Mesi nënvizoi gatishmërinë dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për t’ju bashkuar marrëveshjes rajonale të Roaming. “Politikat e koordinuara Roaming drejt një rajoni me Roaming të lirë janë pjesë e angazhimit tonë. Jemi plotësisht të përkushtuar të punojmë së bashku në krijimin e një zone të lirë roaming, e cila do ta çojë më tej bashkëpunimin tonë në rajon”, u shpreh ajo. 

Gjatë panelit, Znj. Mesi duke u ndalur tek progresi i dukshëm që ka bërë Shqipëria për sa i përket digjitalizimit të administratës publike dhe shërbimeve publike ku Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është tashmë pjesë e të gjitha fushave në sektorin publik, shprehu gjithashtu angazhimin e vendit tonë për të mirëpritur Samitin e Digjitalizimit të Ballkanit Perëndimor në vitin 2020-të. 
Sigal